Lëvizja e Deçanit dhe të tjerë si ata, që u kërkojnë shqiptarëve kthim në “fenë e të parëve”, nuk i shërbejnë në thelb Katolicizmit ose Krishterimit, sepse kauza e tyre në esencë nuk i përket fesë, por një nacionalizmi primitiv përzier me një idhujtari pagane, që identifikon kombin shqiptar si perëndi lokale dhe Perëndimin si perëndi globale.
As Krishterimi dhe as Islami nuk janë fe që Zotin e identifikojnë me kombin, sepse Krijuesi i qiellit dhe i tokës u përket të gjithëve, dhe mesazhet e Tij morale janë universale për mbarë njerëzimin. Ndërkohë nacionalizmi, si ideologji moderne dhe primitive njëkohësisht, duke identifikuar superioritet të një race a një kombi ndaj një tjetri, dhe duke mos pasur asnjë mesazh moral tjetër veç egoizmit vetjak, nuk mund të shërbej kurrsesi në kushte normale si një ngjizës moral për konvertimin nga një fe në një fe tjetër. Po, mund të shërbej vetëm në sinkretizmin e idhujtarisë primitive me një fe monoteiste, duke përçudnuar vetë fenë që i atashohet dhe zhbërë mesazhin moral dhe transcendent të saj.
Të kthehesh “në fenë e të parëve” nuk është as argument teologjik dhe as racional apo shkencor, sepse vërtetësia e një feje nuk matet me vjetërsinë e saj në historinë e një populli, sepse të tilla ne kemi kaluar disa, por me doktrinën dhe normat që ajo mbart. Dhe Kështu që kthimi në “fenë e të parëve” është slogan nacionalist dhe përgjigjja që kemi për të është: po nëse feja e të parëve është idhujtari e politeizëm dhe humbje e shpirtit në botën tjetër, a do ta pranonit atë? Nëse ky aspekt nuk u intereson, atëherë “feja e të parëve” nuk ka lidhje më me kërkesën e shpirtit dhe vetë fenë që ofron shpëtimin e tij, por me tekat e kësaj bote që janë armiqtë e besimit dhe të fesë.
Kthimi në “fenë e të parëve” nuk na bën aspak shqiptarë apo atdhetarë më të mirë, por patriot i vërtetë është ai që qëndron në anën e së vërtetës. Ky ka qenë gjithmonë krahu i duhur i historisë.
Islami është feja më monoteiste në sipërfaqe të tokës, që nuk e shekullarizon besimin, duke e ndarë atë nga një pjesë e jetës njerëzore dhe jep konceptin e vërtetë e më të saktë racional për Zotin dhe jetën njerëzore. Kjo është arsyeja kryesore, që në botën që jetojmë, thirrja për konvertim në “fenë e të parëve” nuk ka për të pasur sukses dhe me gjithë baltën që kanë hedhur ndaj Islamit, njerëzit do ta njohin të vërtetën madhore të tij.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
