Një raport, që citon një zyrtar amerikan, thotë se Pentagoni ka përshkruar masa të mundshme ndaj aleatëve që nuk mbështesin operacionet ushtarake të SHBA-së, përfshirë edhe një propozim që shënjestronte Spanjën
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka hedhur poshtë raportimet se SHBA-ja ka konsideruar pezullimin e Spanjës nga NATO-ja pas mosmarrëveshjeve lidhur me luftën me Iranin, transmeton Anadolu
Një raport i Reuters, i cili citon një zyrtar amerikan, thotë se një postë elektronike e brendshme e Pentagonit ka përshkruar masa të mundshme ndaj aleatëve që nuk mbështesin operacionet ushtarake të SHBA-së, përfshirë edhe një propozim që shënjestronte Spanjën.
“Ne nuk punojmë me posta elektronike, ne punojmë me dokumente zyrtare dhe me qëndrimet e qeverisë së SHBA-së. Pozicioni i Spanjës është i qartë, bashkëpunim i plotë me aleatët, por gjithmonë brenda kornizës së të drejtës ndërkombëtare”, tha Sanchez.
Sipas Reuters, komunikimi i brendshëm ka shqyrtuar opsione për të “ndëshkuar” vendet anëtare të NATO që konsiderohen se nuk ofrojnë qasje dhe të drejta fluturimi gjatë operacioneve të lidhura me luftën në Iran.
Spanja ka refuzuar të lejojë përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territorin e saj ose hapësirës ajrore për operacione kundër Iranit.
Raporti shton se propozimi për pezullimin e Spanjës do të kishte ndikim të kufizuar operacional, por pasoja të mëdha simbolike, ndërsa traktati i NATO-s nuk parashikon një mekanizëm formal pezullimi.
Dokumenti i përmendur gjithashtu sugjeron se Washingtoni po shqyrton ndryshimin e qëndrimit diplomatik ndaj disa territoreve evropiane të diskutueshme, përfshirë Ishujt Falkland.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar shpesh aleatët e NATO-s për mbështetje të pamjaftueshme dhe ka ngritur mundësinë e uljes së angazhimeve të SHBA-së në aleancë.
