14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

KRONOLOGJI: 4 VJET NGA AKSIONI POLICOR “MONSTRA” (VIDEO)

Më të lexuarat

Më 1 maj të vitit 2012, policia organizoi aksionin e koduar “Monstra”,  ku  u bastisën dhjetëra shtëpi shqiptarësh dhe u arrestuan 20 shqiptarë, mes të cilëve  edhe një loke 65 vjeçare, si dhe plot gra shqiptare. Në këtë aksion morën pjesë rreth 800 forca speciale të policisë së Maqedonisë. Menjëherë pas aksionit, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska doli në media dhe tha se kanë arrestuar një grup terrorist islamik që ka kryer vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë. Por, të nesërmen, pjesa më e madhe e të arrestuarve u lëshua nga paraburgimi, ndërsa një pjesë tjetër u akuzuan për vepra të tjera.

Si të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë mbetën vetëm Fejzi Aziri, Agim Ismailoviq dhe Rami Sejdiu. Ndërkaq, për Ali Demirin dhe Afrim Ismailloviqin u shpall flet arrest ndërkombëtarë dhe ata u arrestuan më vonë në Prishtinë, ku dhe vuajtën dënimin për një vepër tjetër që nuk ka lidhje me këtë rast. Ekstradimi i tyre akoma nuk ka ndodhur. Mes personave që u arrestua më 1 maj ishte edhe Haki Aziri, mirëpo emri i tij nuk u përmend askund. Pasi familjarët nisën të kërkonin të dinin për fatin e tij, u mor vesh se ai ishte marrë si dëshmitar i mbrojtur, por më vonë ai nuk pranoi që ta bënte një punë të tillë, dhe,  edhe ai u akuzua për të njëjtën vepër.

Pas aksionit “Monstra”, ku me duar të lidhura para kamerave u publikuan personat e arrestuar mes të cilëve edhe gra dhe vajza shqiptare që tërhiqeshin nga policët e maskuar si dhe akuzave të ish Ministres Gordana Jankullovska se ka arrestuar një grup terrorist islamik, pasuan një sërë protestash.

Gjashtë muaj më vonë, më 2 dhjetor të vitit 2012, në Gjykatën Themelorë Shkup 1 nisi procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për rastin “Monstra”.  Gjatë procesit  gjyqësor numrit të të akuzuarve iu shtua edhe një person tjetër, Sami Luta, i cili u arrestua më 28 gusht të vitit 2013, duke e  çuar kështu në shtatë numrin e të akuzuarve. Që të gjithë u akuzuan për veprën terrorizëm,  ndërsa lëndën e udhëhoqi gjykatësi Ivica Stefanovski.

Gjatë procesit të gjykimit e vetmja provë në bazë të së cilës janë akuzuar ata ka qenë dëshmia e dëshmitarit të koduar E1. Si prova materiale janë marrë bisedat telefonike mes të akuzuarve, si dhe materialet e gjetura në shtëpitë e tyre dhe në kompjuterët e tyre. Si provë e prokurorisë është Kurani dhe librat e tjerë fetarë, si dhe  kënga “Për ty Gostivar” e kënduar nga Gold AG, që është gjetur në kompjuterin e njërit prej të akuzuarve.

Avokatët e të akuzuarve rastin e quajtën  të montuar politikisht. Sipas tyre prokuroria gjatë gjithë procesit gjyqësorë nuk ka paraqitur asnjë provë materiale që i lidh të akuzuarit me veprën penale. Gjatë kohës  sa zgjaste procesi gjyqësorë, ne vendin ku ndodhi vrasja u ndërtua një kishë.  Më 30 qershor të vitit 2014, Gjykata themelore Shkup 1 nën akuzën terrorizëm i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë prej të akuzuarve, ndërsa njëri, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm.

Menjëherë pas këtij vendimi pati një sërë protestash. Protestuesit u organizuan nëpërmjet rrjeteve sociale dhe protestat e para dolën jashtë kontrollit. Gjatë protestave policia përdori topa uji dhe bomba me gaz lotsjellës.  Më pas u formua Këshilli Organizativ për të dënuarit në rastin “Monstra”,  të cilët morën përsipër organizimin e protestave. Protesta për drejtësi dhe lirimin e të akuzuarve, përveç në Shkup pati edhe në qytetet e tjera ku jetojnë shqiptarë në Maqedoni, si dhe në Tetovë, Prishtinë, Tiranë e diasporë.

Pas protestave policia arrestoi disa persona të cilët më pas u dënuan me burg nën akuzën se kanë prishur rendin publik. Familjarët tashmë kanë shpresë së rasti do t’i kalojë Prokurorisë Speciale, pasi gjatë publikimit të Bombave, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se ka edhe biseda telefonike ku flitet për këtë rast.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit