9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Kosova në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve

Më të lexuarat

Në vitet e fundit, procesi për gjetjen e personave të zhdukur nga Kosova është gjithnjë e më i ngadalshëm. Të ngarkuarit me këtë punë si shkak përmendin kalimin e kohës por edhe mungesën e vullnetit politik.

Në Kosovë ende 1771 persona konsiderohen si të zhdukur. Shumica e tyre janë shqiptarë, ndërsa rreth 500 të tjerë i përkasin komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Koordinatori i Këshillit të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur në Kosovë, Haki Kasumi shprehet i pakënaqur me punën që është bërë për sqarimin e fatit të personave të zhdukur para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Krijohet përshtypja se zyrtarët nuk kanë ngutje, thotë Kasumi: “Unë nuk e di se cili është justifikimi i njerëzve që kanë marrë përsipër të punojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nuk e di se çfarë ndërgjegje kanë ata kur dihet se ky proces është aq i ngadalshëm dhe bindja jonë është se ata e kanë me nge”.

Edhe kryetari i Shoqatës së serbëve të zhdukur dhe të rrëmbyer të Kosovës Milorad Trifunoviq, vlerëson se procesi është i ngadaltë për shkak se as Prishtina, as Beogradi, dhe madje as institucionet ndërkombëtare nuk janë të interesuara shumë për të zgjidhur problemin. “Ne kemi rastin e fundit në Zhilivodë (afër Obiliqit) ku sipas mendimit tim personal, politikisht janë pezulluar kërkimet. Unë do të dëshiroja që në këtë lokacion të fillojnë përsëri kërkimet…”, thotë Trifunoviq. Ai gjithashtu vë në dukje se shumica e familjeve të serbëve të zhdukur jetojnë në Serbi dhe se Shoqata e cila ka tri zyra në Kosovë është gjithmonë në dispozicion të tyre. Po ashtu, siç thotë ai, atij i është pamundësuar që të marrë pjesë në kërkime në disa lokalitete.
Mungesa e vullnetik politik

Serbët e Kosovës kërkojnë të afërmit e zhdukur
Në të njëjtën kohë, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë se ekziston një mundësi reale që kurrë mos të dihet për fatin e të gjithë personave të pagjetur. “Për fat të keq,me kalimin e viteve, procesi i identifikimit të personave të humbur është gjithnjë e më i ngadalshëm. Sidomos kur ekziston një numër i madh i lokacioneve ku është dyshuar se ka varreza masive dhe pas kërkimeve të bëra në disa prej tyre nuk janë gjetur trupat e personave të zhdukur. Në këtë mënyrë anëtarët e familjeve të personave të zhdukur humbasin shpresën dhe durimin, dhe për fat të keq, kam frikë se ne do ta kemi shumë të vështirë për të sqaruar fatin e të gjithë personave të zhdukur”, thotë Blakaj.

Me problemin e personave të zhdukur në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të Kaluarën”, merret edhe Organizata Joqeveritare gjermane ForumZDF. Dragan Milutinoviq nga ForumZFD Kosova, vlerëson se në procesin e ndriçimit të fatit të të pagjeturve mund të bëhej më tepër. “Është e sigurtë se në qoftë se do të zgjidhej problemi i personave të zhdukur, kjo do të përmirësonte dhe do të përshpejtonte normalizimin e raporteve Beograd-Prishtinë. Gjatë takimeve të familjeve të të zhdukurve, shpesh dëgjohet të thuhet se mungon vullneti politik nga të dyja palët për të zgjidhur këtë problem, por problem është edhe mungesa e informacionit”, thotë Milutinoviq.
Pa të vërtetën për të pagjeturit vështirë të arrihet pajtimi

Një shqiptar i Kosovës mban në dorë fotografitë e anëtarëve të zhdukur
Shoqatat si shqiptare ashtu dhe serbe të familjeve të të zhdukurve janë të një mendimi se problemi i të pagjeturve në fund mund të zgjidhet përmes dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Kështu, Haki Kasumi beson se dialogu duhet të ngrihet në një nivel më të lartë. “Ne jemi të sigurt se në një nivel kaq të lartë dhe me ndihmën e Bashkimit Evropian do të mund të bëhej më shumë presion ndaj dy qeverive për të punuar më shumë në këtë drejtim dhe për të dhënë dhe siguruar sa më shumë informacione të cilat për këto familje janë të nevojshme si buka dhe për të cilat presin qe 13 vjet.”

Edhe Milorad Trifunoviq pret që kjo çështje të zgjidhet në tryezën e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. “Unë shfrytëzoj rastin për të apeluar në bashkësinë ndërkombëtare, sidomos tek ata njerëz të cilët do të organizojnë këto takime, të bëjnë krejt çka është e mundur që fati i të zhdukurve të jetë tema e parë e bisedimeve të Beogradit dhe Prishtinës. Kjo për faktin se pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve vështrë se do të arrihet pajtimi”, thotë Trifunoviq.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit