“Korridori i ri i Trumpit”… Një mundësi e madhe për Turqinë dhe një kurth për Rusinë e Iranin

Më të lexuarat

Pak muaj më parë, diskutohej gjerësisht për krijimin e mundshëm të korridorit të “Arasit”, i cili do të lidhte territoret e Azerbajxhanit me rajonin e Nakhçivanit përmes tokave iraniane.

Por papritur, sikur të ishte një lëvizje në një lojë shahu, Shtetet e Bashkuara arritën ta përmbysin situatën me disa hapa të rëndësishëm, që kulmuan me mbledhjen e presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, në Shtëpinë e Bardhë, ku nënshkruan një marrëveshje paqeje, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Befasia nuk qëndronte vetëm te nënshkrimi i marrëveshjes, pasi që në fund të vitit 2023 të dy shtetet kishin shpallur synimin për “normalizimin e marrëdhënieve dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje mbi bazën e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Por rëndësia e vërtetë qëndronte në shpalljen e Trumpit, i cili deklaroi se “Shtetet e Bashkuara kishin arritur një marrëveshje me Armeninë që mund të zgjaste deri në 99 vjet, për zhvillimin e korridorit të Zangezurit (që lidh Azerbajxhanin me Turqinë përmes Armenisë dhe Republikës Autonome të Nakhçivanit)”. Ai shtoi se “ndërkohë që Azerbajxhani do të respektonte sovranitetin e Armenisë, do të garantohej qasje e plotë në Nakhçivan”.

Ky rikthim i fuqishëm i SHBA-ve në Kaukazin e Jugut ngre shumë pyetje mbi objektivat që fshihen pas hedhjes së menjëhershme të peshës amerikane në rajon dhe lidhjen e saj me formimin e rendit të ri botëror. Po ashtu, mbetet pyetja: si do të reagojnë Rusia dhe Irani ndaj këtij pranie të re amerikane? Dhe cili do të jetë ndikimi mbi interesat turke?

Rishkrimi i hartave

Eurazia, me përmasat e saj gjeografike dhe politike, konsiderohet një nga zonat më të rëndësishme strategjike në botë. Ish-këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Zbigniew Brzezinski, e kishte përshkruar si “zemra e botës” dhe “qendra e re e fuqisë botërore”.

Uashingtoni e kupton mirë se kushdo që kontrollon këtë hapësirë, fiton aftësinë të ushtrojë dominim global, qoftë në një sistem unipolar apo multipolar.

Në këtë fazë tranzicioni drejt një rendi të ri botëror, SHBA-ja s’kishte rrugë tjetër veçse të forconte praninë e saj në Eurazi, për të dhënë një goditje gjeostrategjike kundër Rusisë dhe Iranit. Dhe nuk kishte mjet më të fuqishëm sesa kontrolli i korridoreve tokësore e detare strategjike.

Prandaj vendimi për të siguruar kontroll mbi korridorin e Zangezurit përmes marrëveshjes së paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, e kishte artikuluar këtë vizion në një intervistë për televizionin “Habertürk” në fund të korrikut, megjithëse atëherë nuk u analizua gjerësisht. Ai e përshkroi vizionin amerikan me tri pika:
1.    Zgjidhja e çështjes së Gazës duke e lidhur me një ristrukturim të plotë rajonal.
2.    Lidhja e Turqisë, vendeve të Gjirit, Sirisë, Libanit, Irakut, Jordanisë, si dhe Azerbajxhanit e Armenisë me Izraelin nëpërmjet marrëveshjeve të Abrahamit.
3.    Krijimi i një zone që shtrihet nga Oqeani Indian në jug deri në Kaukaz në veri, nga Mesdheu në perëndim deri në Azinë Qendrore në lindje – një hapësirë që do të bëhet bërthama e fuqisë globale falë projekteve zhvillimore të mëdha dhe rolit si korridor i sigurt për tregtinë nga Azia drejt Europës.

Ky vizion shpjegon qëndrimin amerikan për të mbështetur një Siri pas-Asadit dhe këmbënguljen për çarmatosjen e grupeve ndërkufitare të lidhura me Iranin, siç është Hezbollahu apo milicitë irakiane.

Njëkohësisht, ai sqaroi edhe rolin që SHBA i parashikon Turqisë: jo thjesht si partner ushtarak i NATO-s, por si shtyllë rajonale e sigurisë, krah SHBA-ve, për gjithë zonën nga perëndimi deri në lindje.

Kështu, lëvizja amerikane nuk mund të shpjegohet vetëm si ambicie personale e Trumpit për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, por si pjesë e një pakete më të gjerë për ta rrethuar Rusinë me një prani të fortë amerikane në Kaukazin e Jugut – duke e thelluar krizën gjeopolitike të Moskës, e cila tashmë e ka të kufizuar daljen në “ujërat e ngrohta”.

Kurthi për Rusinë dhe Iranin

Rusia dhe Irani sot po paguajnë çmimin e llogaritjeve të gabuara strategjike. Moska, e cila konsiderohej arbitri i vetëm në rajon për shkak të trashëgimisë sovjetike dhe aleancës historike me Armeninë, e menaxhoi çështjen në mënyrë të ngathët. Në vend që të ndërmjetësonte një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe të menaxhonte korridorin e Zangezurit, Rusia u ngatërrua në luftën e saj në Ukrainë dhe humbi terren.

Irani, nga ana tjetër, e kundërshtoi hapur korridorin e Zangezurit, duke e parë si një dhuratë strategjike për Turqinë. Ai vuri bast mbi korridorin alternativ të “Arasit”, por tashmë opsionet i janë ngushtuar.

Deklaratat e fundit të zyrtarëve iranianë shfaqin nervozizëm: kërcënime për ta penguar korridorin, madje edhe aluzione për mbylljen e ngushticës së Hormuzit. Por realiteti i vështirë ekonomik e ushtarak i bën këto kërcënime të pamundura për t’u zbatuar.

Fitimet turke

Turqia ka qenë aktore kyçe në konflikt që nga fillimi, duke e mbështetur Azerbajxhanin ushtarakisht dhe politikisht, derisa ky i fundit rimori kontrollin mbi Nagorni-Karabakun. Tani Ankaraja kërkon të korrë frytet e fitores: rifunksionalizimin e korridorit të Zangezurit.

Nuk përjashtohet që Turqia të ketë luajtur rol ndërmjetësues edhe në marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë. Erdogan priti kryeministrin armen në qershor, me fokus te paqja në Kaukaz, dhe më pas përshëndeti marrëveshjen e arritur. Ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, theksoi se korridori do të ribashkonte Turqinë me botën turke të Azisë Qendrore.

Pra, përfitimet turke janë dyfishe:
•    Gjeostrategjike: Turqia lidhet drejtpërdrejt me Azerbajxhanin dhe më tej me Organizaten e Shteteve Turke, duke fituar një avantazh kundrejt rivalëve, sidomos Iranit.
•    Ekonomike: Korridori do ta shndërrojë Turqinë në një arterie kryesore për tregtinë dhe energjinë nga Azia në Europë, duke e forcuar pozitën e saj strategjike brenda hapësirës euroaziatike.

Përfundim

Me këtë marrëveshje, SHBA ka bërë një hap të madh drejt vendosjes së një realiteti të ri në rendin botëror që po merr formë duke shfrytëzuar dështimin rus dhe iranian për të lexuar drejt skenarët e së ardhmes.

Samir Al-Araki
Shkrimtar dhe studiues i çështjeve turke

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit