Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, shkaktoi reagime kur postoi një video në rrjetet sociale nga një qeli burgu, në të cilën duket se po i bën kërcënime Marwan Barghouti-t, udhëheqësit palestinez i cili vuan një dënim që nga viti 2002.
Në pamjet filmike, të cilat ai i publikoi përmes llogarisë së tij në platformën X, Ben Gvir qëndron me dy burra të tjerë – njëri prej të cilëve është oficer burgu – përpara Barghouti-t, i cili është në një cep të qelisë së tij.
“Nuk do të na mposhtni. Kushdo që dëmton popullin e Izraelit, kushdo që vret fëmijë, kushdo që vret gra (…) ne do t’i shfarosim ata”, thotë ministri në hebraisht.
Kush është Marwan Barghouti?
Barghouti 66-vjeçar, një anëtar i zgjedhur i Këshillit Legjislativ Palestinez dhe një figurë e lartë e Fatah-ut, përpiqet të flasë, por Ben Gvir e ndërpret: “Jo, duhet ta dish këtë, dhe gjatë gjithë historisë.”
Barghouti, i cili mbështet një zgjidhje politike për konfliktin izraelito-palestinez, është burgosur nga Izraeli që nga viti 2002. Ai përmendet rregullisht si një pasardhës i mundshëm i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, pavarësisht faktit se ai mbetet në burg. I quajtur me nofkën “Mandela palestinez” nga mbështetësit e tij, ai është bërë një figurë ikonike në luftën palestineze gjatë viteve dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje për rolin e tij në disa sulme anti-izraelite gjatë Intifadës së Dytë.

Videoja e publikuar nga Ben Gvir nuk përmend emrin e burgut ku mbahet aktualisht Barghouti. Megjithatë, sipas një anëtari të shoqërimit të ministrit, i cili foli me AFP-në në kushte anonimiteti, takimi u zhvillua “aksidentalisht” në burgun Ganot, gjatë një vizite inspektimi nga Ben Gvir. Burimi nuk specifikoi datën në të cilën u filmua takimi.
Reagimet
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia palestineze e lajmeve Wafa, Ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez denoncoi “një provokim të paparë” dhe e përshkroi incidentin si “terrorizëm të organizuar shtetëror”. Sipas Autoritetit Palestinez, ministri Ben Gvir “pushtoi” qelinë e Barghout-it.
Delegacioni i Autoritetit Palestinez në OKB denoncoi “kushtet jashtëzakonisht të ashpra humanitare” nën të cilat Marwan Barghouti po mbahet në “izolim”, pasi ka humbur “më shumë se gjysmën e peshës së tij për shkak të neglizhencës dhe keqtrajtimit të qëllimshëm mjekësor”.
Dhe “në të njëjtën kohë, ministri ekstremist Ben Gvir vazhdon ta kërcënojë atë drejtpërdrejt në një përpjekje për të thyer vullnetin dhe qëndrueshmërinë e tij”, akuzoi delegacioni diplomatik.
Hamasi, nëpërmjet Izzat al-Rishek, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes, shprehu “solidaritetin e tij me vëllain dhe udhëheqësin e tij, Marwan Barghouti” duke dënuar “barbarinë” e ministrit Ben Gvir.
“Lexova se ‘zyrtarëve të lartë’ të Autoritetit (Palestinez) nuk u pëlqeu ajo që i thashë terroristit Marwn Barghouti (…) Kjo është arsyeja pse do ta përsëris përsëri e përsëri pa kërkuar falje: kushdo që sulmon popullin e Izraelit, kushdo që vret fëmijët tanë, kushdo që vret gratë tona, ne do ta shfarosim atë. Me ndihmën e Zotit”, tha Ben Gvir në videon e tij të re.
Vizita e ministrit të ekstremit të djathtë në burgun ku ndodhet Barghouti u zhvillua më herët këtë javë, por u bë publike pak pasi Bezalel Smotrich, partneri tjetër i ekstremit të djathtë në qeverinë e Netanyahu-t dhe një pionier i kolonizimit, miratoi planet për ndërtimin e një vendbanimi që do të ndante Jerusalemin Lindor të pushtuar nga Izraeli nga Bregu Perëndimor, duke varrosur idenë e një shteti palestinez.
Përkundër atyre që thotë Ben Gvir, ku me paskrupullsinë më të pacak tentojnë t’i japin legjitimitet hyjnor krimeve të tyre të llahtarshme, janë ata që vrasin gra e fëmijë palestinezë dhe jo e kundërta.
Kujtohet se muslimanët e kanë udhëhequr atë tokë për mbi 1500 vite, duke bërë që aty të dominojë vetëm paqja dhe ku kurrë nuk është cenuar jeta apo nderi i një hebreu a të krishteri. Ajo tokë po lahet tashmë me gjak prej Izraelit, politikave të tij shfarorëse ndaj palestinezëve autoktonë, duke pretenduar marrëzisht se kanë mandat nga Zoti për ta bërë këtë. /tesheshi.com/
