19.7 C
Pristina
Saturday, May 11, 2024

Koment – Masakra me armë kimike në Siri

Më të lexuarat

Sulmi me armë kimike në Duma ka qenë zgjidhja më e mirë për regjimin e Esadit në Duma në një ekuacion, ku vlerat njerëzore lihen mënjanë dhe shoqëria ndërkombëtare mbetet indiferente.

 

*Nga Can ACUN

Sulmi i ri me armë kimike ndaj Dumas të rajonit të Gutës Lindore në afërsi të kryeqytetit Damask të Sirisë shkaktoi jehonë të madhe në mediat botërore. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e viktimave të këtij sulmi ishin gra dhe fëmijë. Sipas vlerësimit të parë në këtë sulm është përdorur gazi nervor. Rajoni i Gutës Lindore që prej fillimit të luftës e këtej vazhdimisht ka qenë nën kontrollin e opozitarëve, ndërsa kohëve të fundit ishte vënë në objektiv të regjimit. Ndërkohë që me muaj të tërë ky rajon bombardohej në mënyrë intensive, në shënjestër shpesh merreshin spitalet, shkollat, xhamitë dhe objektivat civile.

 

Spastrimi i rajonit të Gutës Lindore nga opozitarët, i cili kërcënon drejtpërsëdrejti regjimin e Damaskut për shkak të pozitës së tij gjeografike, ka rëndësi të veçantë për regjimin. Rajoni i Gutës Lindore, i cili prej fillimit të luftës që vazhdon për 7 vjet ndodhet nën rrethimin e regjimit, zë vend në mesin e rajoneve jo-konfliktuale të formuara me marrëveshjen mes Turqisë dhe Rusisë, të arritur në kuadër të Procesit të Astanës që është zhvilluar kohët e fundit. Mirëpo regjimi sirian dhe përkrahësi te tij, Rusia me Iranin, e ka vendosur në shënjestër këtë rajon duke treguar si pretekst organizatat terroriste. Pas bombardimeve të fundit edhe opozitarët me ndërmjetësimin e Rusisë kanë filluar të dorëzohen dhe të evakuohen drejt zonave të kontrolluara nga Turqia në veri të Sirisë.

Procesi i evakuimit së fundmi mbeti në Duma të rajonit të Gutës Lindore, të kontrolluar nga grupi i armatosur, Xhejsh-ul Islam. Rusia ndërmjetësoi bisedimet mes Xhejsh-ul Islamit dhe regjimit. Në kuadër të marrëveshjes së arritur me Rusinë, Xhejsh-ul Islam do të vazhdojë të qëndrojë në këtë zonë dhe do të siguronte rregullin në këtë zonë si forcë policore. Por, kjo marrëveshje nuk u pranua nga ana e regjimit të Esadit, ndërkaq pas refuzimit të Xhejsh-ul Islamit për t’u larguar nga kjo zonë, u ndaluan edhe bisedimet. Gjatë këtij procesi u zhvillua edhe sulmi me armë kimike ndaj Dumas, si pasojë e të cilit humbën jetën një numër i madh i civilëve, ndërsa Xhejsh-ul Islam pas sulmit u detyrua të pranojë të tërhiqet nga Duma në veri të Sirisë. Në njërën anë pasojat e insistimit për të qëndruar në Duma shkaktoi edhe sulmin me armë kimike. Ndërkaq në anën tjetër frika dhe shqetësimi që u shkaktuan tek civilët pas sulmit me armë kimike, bënë që Xhejsh-ul Islam me kërkesë të popullatës civile të pranojnë marrëveshjen. Sulmi me armë kimike bëri që regjimi i Esadit të evakuojë fortesën e opozitarëve, e cila ndodhet shumë pranë kryeqytetit të vendit, Damask.

Sikur të mos ishte arritur marrëveshja për evakuimin, operacioni ushtarak për të marrë nën kontroll Duman do të kishte një kosto shumë më të lartë. Dihet se në zonën e Dumas, grupi opozitar Xhejsh-ul Islam për një kohë të gjatë ka ndërtuar vijat e mbrojtjes dhe se në depot e saj ka sasi të madhe municioni dhe armë të rënda. Gjithashtu kapaciteti ushtarak i Xhejsh-ul Islam spikaste në mesin e grupeve të armatosura opozitare. Mbrojtja e Dumas, e cila mbahej e rrethuar nga Xhejsh-ul Islam, që kryesisht përbëhet prej ish-ushtarakëve, do të kishte kosto të lartë për regjimin e Esadit. Ndërkaq kostoja e operacioneve ushtarake të regjimit të Esadit për të marrë nën kontroll Derayan, operacione që zgjatën me muaj, ka qenë e lartë. Regjimi me anë të sulmit me armë kimike, i pretenduar të jetë kryer nga ana e tij, ka shpëtuar nga një kosto e lartë dhe arriti të marrë rezultate të shpejta dhe të lehta. Edhe pse përdorimi i armëve kimike është në kundërshtim me vlerat njerëzore, sulmi i fundit nga aspekti i regjimit paraqet një fitore.

Është e qartë se përdorimi i armëve kimike nga ana e regjimit të Esadit ka kosto më të ulët përderisa ajo nuk sjell ndonjë reagim ndërkombëtar. Prej fillimit të luftës civile e këtej regjimi i Esadit ka përdorur 215 herë armë kimike gjatë sulmeve të tij, ndërsa pretendohet se ai prapë përdori armë kimike duke përfituar nga neglizhenca ndërkombëtare. Regjimi mund ta ketë ndërmarrë këtë sulm duke llogaritur Rusinë nga aspekti diplomatik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por edhe mbrojtjen pa kushte të Rusisë në aspektin ushtarak. Mund të themi se në një ekuacion, ku vlerat njerëzore lihen mënjanë dhe shoqëria ndërkombëtare mbetet indiferente, zgjidhja më e mirë për regjimin e Esadit në Duma ka qenë sulmi me armë kimike.

*Ekspert i politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit