23 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Koment – Erdogan, i pakrahasueshëm në politikën për të drejtat e kurdëve

Më të lexuarat

Mesazhi i Presidentit Erdogan për të përqafuar kurdët si pjesëtarë të barabartë të Republikës ka karakterizuar politikën e tij që nga viti 2003 dhe mbetet i rëndësishëm jo vetëm për referendumin e 16 prillit, por edhe për më tutje…

Vizita e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në Dijarbakir (Diyarbakır) të shtunën (1 prill) u realizua në sfondin e një historie politike të farkëtuar me shanse dhe sfida. Mesazhi i tij për përqafimin e kurdëve si qytetarë të barabartë të Republikës ka përfundime të rëndësishme, që do të kalojnë përtej referendumit kushtetues të 16 prillit.

Që nga vizita e tij të parë në Dijarbakir në vitin 2005, Presidenti Erdogan ka ndërmarrë hapa të pakrahasueshme me ndonjë lider tjetër politik në historinë moderne të Turqisë. Ai i ka njohur kurdët si një komponent të barabartë dhe të rëndësishëm të kombit turk dhe ka bërë një dallim të qartë ndërmjet komunitetit kurd dhe PKK-së. Erdogani zbatoi reforma për të hequr ndalimin e gjuhës kurde në media, fushata politike dhe fusha të tjera të jetës. Ai prezantoi kutinë e votimit dhe Parlamentin si një alternativë ndaj terrorizmit të PKK-së. Si kryeministër, ai ka investuar miliona dollarë për përmirësimin e standardit jetësor të zonave dhe qyteteve me shumicë kurde. Përqafimi i kurdëve si qytetarë të barabartë ka qenë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë politike të Erdoganit.

Duke folur në Dijarbakir, Presidenti Erdogan u shpreh me këto fjalë: “Ne jemi gati të bisedojmë dhe të ecim së bashku me këdo, që ka diçka për të thënë dhe një projekt për të zbatuar. Kushti ynë i vetëm është që ata s’do të mund të mbajnë armë dhe as do të kërkojnë për të ndarë vendin e kombin.”

Që kur PKK-ja i dha fund në mënyrë të njëanshme procesit të paqes në vitin 2015 dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP) e çoi dëm rolin e saj si një aktor politik potencial, Kreu i Shtetit të Turqisë thotë se ai do të kontaktojë personalisht kurdët duke përfshirë edhe udhëheqësit e komunitetit, figurat politike, qytetarët e zakonshëm, biznesmenët, OJQ-të dhe të tjerët, për të zgjidhur problemet e tyre.

Për hir të së vërtetës, kurdët nuk mund të lihen në mëshirë (ose në mungesën e mëshirës) të PKK-së dhe të ideologjisë shtypëse marksiste-leniniste të saj. PKK-ja është listuar si një organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që është gjerësisht e njohur për terrorizmin e saj barbar jo vetëm kundër shtetit turk, por edhe ndaj kurdëve që nuk pajtohen me ideologjinë e saj. Nga ana tjetër, HDP-ja bëri vetëvrasje politike duke zgjedhur që të mbështesë “politikën e hendekëve” të PKK-së dhe duke vënë në shërbim të saj buxhetin, ambientet dhe stafin e komunave/bashkive, të cilat ajo i kishte fituar në zgjedhjet lokale të vitit 2014. Aq sa të paligjshme, veprimet e tyre ishin njëherësh edhe një goditje e madhe për legjitimitetin politik të HDP-së. Thellësisht të zhgënjyer nga PKK-ja dhe HDP-ja, shumica e kurdëve duan paqe, siguri dhe mirëqenie në vend të shtypjes.

Kjo është pikërisht ajo që Presidenti Erdogan premtoi në Dijarbakir. “Sikurse nuk mund ta imagjinojmë dot Turqinë pa Stambollin, Izmirin, Trabzonin, Antalian (Antalya) dhe Erzurumin, ne s’mund ta imagjinojmë dot Turqinë as pa Dijarbakirin”, tha ai duke nënvizuar se po aq sa i turqve, arabëve dhe i të tjerëve, Republika e Turqisë është edhe shtet i kurdëve. Erdogani garantoi se, ndërkohë që operacionet antiterrorizëm vazhdojnë, nuk do të ketë në asnjë mënyrë ndërprerje të respektimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve kurdë. Pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme, e cila u shpall pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut (2016), nuk ka pasur asnjë ndryshim në zbatimin e reformave që qytetarët kurdë gëzojnë sot. Qeveria po investon, ndër të tjera, miliona dollarë në qytezën Sur të Dijarbakir për të rindërtuar hapësirat e shkatërruara nga terroristët e PKK-së.

Presidenti Erdogan kundërshton politikën e fëlliqur të PKK-së për të biseduar në lidhje me paqen teksa mban armën në dorë. Ai hedh poshtë pretendim e HDP-së se është një zë i kurdëve kur ajo flet në radhë të parë dhe mbi të gjitha për PKK-në. E vërteta është se HDP-ja nuk ka shfaqur kurrë guximin për të vënë në pyetje dhe refuzuar PKK-në gjatë dhe pas procesit të paqes, një iniciativë e ndërmarrë nga vetë Erdogani.

Asnjë qeveri nuk do të pranojë ndonjë bashkëbisedues politik, që kërkon të legjitimojë luftën e armatosur duke mbështetur PKK-në, teksa shijon privilegjet e politikës parlamentare. Kjo është si të pranosh në heshtje kërkesat e IRA-s në Irlandën e Veriut, ETA-s në Spanjë apo FARC-ut në Kolumbi për të vazhduar luftën e armatosur, ndërkohë që ato bëjnë thirrje për njohje politike apo paqe.

Të shpëtosh kurdët nga PKK-ja s’do të thotë vetëm t’u njohësh atyre të drejtat dhe t’u përmirësosh standardet e jetesës, por gjithashtu t’i mbrosh ata nga dhuna dhe shtypja e PKK-së. Shumica e kurdëve, që jetojnë në Dijarbakir, Hakkari, Shërnak (Şırnak) dhe në qytete të tjera kryesisht të populluara nga kurdët, thonë se ata mbështesin fuqimisht masat e fundit të sigurisë kundër PKK-së dhe militantëve urbanë të saj, sepse (këto masa) u japin atyre një ndjenjë normaliteti dhe shprese për të ardhmen.

Ato qeveri evropiane, të cilat u mundësojnë komponentëve të ndryshëm të PKK-së lëvizjen e lirë në vendet e tyre dhe kërkojnë t’i përdorin ata kundër Turqisë, nuk shkelin vetëm parimet e tyre, por njëherësh angazhohen edhe në një strategji të vetëhumbjes. Administrata e SHBA-së po bën të njëjtin gabim duke mbështetur Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD) dhe Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), fraksione siriane të PKK-së, në emër të luftës kundër organizatës terroriste DAESH. PKK-ja po shfrytëzon luftën siriane si një mjet për ambiciet e saj rajonale dhe kjo gjë nuk është një sekret. Politika e mbështetjes së PKK-së dhe e degëve të saj të ndryshme në Evropë apo në Siri do të ketë pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë rajonale.

Ndërkohë, shumica dërrmuese e kurdëve janë mërzitur dhe lodhur tashmë nga aktorët e huaj, që i shohin ata si një gur shahu për t’u përdorur kundër vendit të tyre. Ata janë të ngopur me mediat perëndimore, të cilat marrin seriozisht vetëm zëdhënësit e PKK-së e HDP-së dhe nënvlerësojnë qëndrimin e tyre antiPKK. Ata kundërshtojnë imazhin kurd si një mjet ideologjik marksist-leninist në duart e agjentëve të huaj, që kërkojnë luftëra me prokurë. Kanë neveri nga ata, që promovojnë agjendën politike të PKK-së në emër të kurdëve.

Sondazhet tregojnë se mbështetja e votuesve kurdë për referendumin kushtetues është më e lartë sesa pritej. Kjo është e natyrshme, pasi ata shohin të mirat e sistemit të propozuar, i cili do t’i japë fund periudhës së qeverive të dobëta të koalicionit, do të gjallërojë ekonominë dhe do të ndërtojë një sistem të fortë kontrolli dhe ekuilibri.

Mesazhi i Erdoganit për të përqafuar kurdët si pjesëtarë të barabartë të Republikës ka karakterizuar politikën e tij që nga viti 2003 dhe mbetet i rëndësishëm jo vetëm për referendumin e 16 prillit, por edhe për më tutje.

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit