15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kina kopjon Kremlinin në fushatën e dezinformimit

Më të lexuarat

Kina duket se po kopjon metodat e Kremlinit dhe po përpiqet të theksojë të metat e Amerikës duke i përdorur si armë sulmi për të nxitur përplasje kulturore e për të politizuar debatin publik në shoqërinë amerikane, thonë analistët.

Ashtu si Kremlini dhe media shtetërore ruse, propagandistët kinezë janë përqëndruar tek problemet racore dhe dallimet e pabarazia ekonomike në SHBA dhe Evropën Perëndimore për të larguar vëmendjen nga shkelja e të drejtave të njeriut nga Pekini, përfshirë internimin e një milion ujgurëve, thonë vëzhguesit.

“Trazirat civile në SHBA pas dhunës policore kundër individëve afrikano-amerikanë janë përdorur si kundërvënie ndaj kritikave për shtypjen policore ndaj protestuesve pro-demokracisë në Hong Kong,” sipas një studimi të fundit nga Këshilli Altantik, një grup studimor me seli në SHBA.

“Përpjekjet kineze të dezinformimit po bëhen më të sofistikuara,” shton Dexter Roberts, studiues në Nismën për Siguri në Azi pranë Këshillit të Atlantikut dhe autor i raportit “Strategjia Kineze e Dezinformimit”.

Sarah Cook, analiste në organizatën “Freedom House” me seli në Nju Jork që ka kryer studime mbi gjendjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nënvizon në një artikull në revistën e “Freedom House” se taktikat e dezinformimit nga Pekini po bëhen më të pjekura dhe më të sofistikuara.

Ajo thotë se studimet e fundit tregojnë se “përpjekjeve të dezinformimit po u dedikohen burime të konsiderueshme njerëzore e financiare dhe se niveli i sofistikimit dhe ndikimi i tyre është rritur”.

“Kur llogari në median sociale që kanë lidhje me Kinën u shfaqën në skenën globale të dezinformimit në 2019, pjesa më e madhe e analistëve dolën me konkluzionin se ndikimi dhe shtrirja e tyre ishin goxha të kufizuara, sidomos ndërveprimi me përdorues realë të medias sociale krahasuar me aktorë më të sofistikuar si Rusia. Por siç pritej, duket se situata po ndryshon,” thotë ajo.

Mesazhet kineze në median sociale pasqyrojnë përqëndrimin gjithnjë e më të madh të Pekinit tek tensionet racore në SHBA.
Muajin e kaluar Pekini botoi një raport mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e pakicave racore në SHBA, me argumentin se “ekziston racizëm në një formë të përgjithshme, sistematike e të vazhdueshme”. Pakicat etnike në SHBA janë “dërrmuar nga diskriminimi racor,” thuhej në raportin e qeverisë kineze.

Raporti, i nxjerrë nga Zyra e Këshillit Shtetëror Kinez për Informimin, thotë se pandemia në Amerikë ka dalë jashtë kontrollit, duke keqësuar tensionet ndër-etnike e ndarjet sociale gjë që, “thellon edhe më tej shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë vend,” thuhet në këtë dokument.

Për vite me radhë, qeveria kineze u përgjigjej kritikave për shkeljen e të drejtave të njeriut duke thënë se vendet e tjera nuk duhet të përziehen në “punët e brendshme” të Pekinit.

Tani, thonë analistët, strategjia e Pekinit është bërë më konfrontuese dhe po përpiqet të ndryshojë lojën përballë Perëndimit duke kopjuar taktikat e Kremlinit.

Pak ditë pas publikimit të raportit kinez, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare Jake Sullivan patën një shkëmbim me tone të forta me homologët kinezë gjatë takimit dypalësh në Alaskë,takimi i parë për administratën e Presidentit Biden.

Në komentet e tij në hapje të takimit, zoti Blinken ngriti “shqetësimet e thella të Uashingtonit lidhur me veprime kineze përfshirë politikat në provincën Xinjiang, apo kundrejt Hong Kongut, Taivanit, si dhe lidhur me sulmet kibernetike ndaj SHBA dhe presionin ekonomik ndaj aleatëve tanë”.

Zyrtarët amerikanë thanë se veprimet e Kinës kërcënojnë rendin e bazuar tek rregullat që garantojnë stabilitetin global.

“Prandaj këto nuk janë thjesht çështje të brendshme, prandaj e ndjejmë për detyrë t’i ngremë sot këtu për diskutim,” tha zoti Blinken në komentet hapëse në prani të gazetarëve.

Yang Jiechi, shefi për politikën e jashtme në Partinë Komuniste kineze u përgjigj me një leksion 17 minutësh. Ai u ankua për “ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të Pekinit” por përmendi edhe kritika në adresë të Amerikës.

“Kina ka bërë përparim të pandërprerë në fushën e të drejtave të njeriut. Dhe është fakt që brenda Shteteve të Bashkuara ka plot probleme që lidhen me të drejtat e njeriut,” tha ai.

Zoti Blinken u përgjigj: “Gjatë gjithë historisë sonë jemi ballafaquar haptazi, në mënyrë publike e transparente me këto sfida e probleme. Nuk jemi përpjekur t’i injorojmë. Nuk kemi bërë sikur nuk ekzistojnë. Nuk jemi përpjekur t’i fshijmë nën rrogoz”.

Retorika e ashpër kineze ishte dëshmi e një strategjie gjithnjë e më sulmuese nga Pekini. Kjo përputhet me diplomacinë kineze “Ujku Sulmues” e cila filloi të shfaqej në 2020 pasi Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi udhëzoi emisarët e Pekinit të tregohen më të fortë në qëndrimet e tyre në mbrojtje të interesave kineze jashtë vendit si dhe më të zëshëm në mbrojtje të qeverisë kineze dhe partisë komuniste përballë kritikave.

Toni dhe temperamenti i diplomacisë kineze është ashpërsuar dukshëm. Diplomatët kinezë në kryeqytetet perëndimore po shfaqin një qëndrim shumë më konfrontues e konfliktual që dallon dukshëm nga praktika e ndjekur nën udhëheqjen e Deng Xiaopingut, i cili drejtoi vendin nga 1978 deri kur doli në pension në 1992.

Ambasadorët kinezë, që tradicionalisht konsideroheshin si më të rezervuarit në botë, po shfaqin një personalitet krejt tjetër. Bota ka reaguar duke i akuzuar se po përhapin lajme të rreme, imazhe të retushuara e manipuluara dhe krahasime fallso mes të metave të Perëndimit dhe politikave të qeverisë kineze.

/voa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit