Biseda për dështimin e milicive bashkëpunëtore në Gaza nuk kufizohet më vetëm në narrativën palestineze. Tashmë edhe vetë mediat izraelite e trajtojnë këtë projekt, duke e përshkruar si një “iluzion izraelit” dhe një “dështim të rrezikshëm”.
Pavarësisht mbështetjes ushtarake, inteligjente dhe logjistike që iu ofrua këtyre grupeve, ato nuk arritën t’i realizojnë objektivat për të cilat u krijuan. Në krye të tyre ishte krijimi i një alternative vendore për qeverisjen e Gazës, ose ndërtimi i një baze popullore që do të konkurronte ndikimin e rezistencës.
Raportet izraelite tregojnë se këto milici dështuan për shkak të mungesës së katër elementeve themelore:
▪️ Legjitimiteti popullor: Shoqëria palestineze refuzoi të merrej me to, duke i konsideruar si mjete të lidhura me pushtimin.
▪️ Rrënjët shoqërore: Udhëheqësit e tyre nuk kanë prani kombëtare apo shoqërore mbi të cilën mund të ndërtohet një projekt i qëndrueshëm.
▪️ Aftësia për të qeverisur: Ato nuk arritën të imponojnë ndikim real jashtë zonave që ndodheshin nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë izraelite.
▪️ Qëndrueshmëria e sigurisë: Në sytë e disa qarqeve izraelite, këto grupe janë shndërruar në një barrë sigurie, e cila në të ardhmen mund të kthehet kundër atyre që i krijuan dhe i mbështetën.
Sot, Izraeli duket se gjendet përballë një ngërçi të vërtetë: milicitë nuk patën sukses si alternativë politike, nuk arritën të depërtojnë në shoqëri dhe nuk mundën t’i ndryshojnë raportet e forcës brenda Rripit të Gazës.
Prandaj, e ardhmja e këtyre grupeve mbetet e kufizuar në tri mundësi: të vazhdojnë si mjete të kufizuara sigurie, të shpërbëhen gradualisht, ose të pësojnë kolaps dhe përçarje të brendshme nën presionin e realitetit në terren.
Përfundimi është se fuqia ushtarake mund të krijojë përfaqësues të përkohshëm, por nuk mund të prodhojë legjitimitet të përhershëm. Për këtë arsye, projekti i milicive bashkëpunëtore duket se po i afrohet fatit të çdo projekti funksional që pushtimi është përpjekur t’ia imponojë popullit palestinez gjatë historisë së tij.
✍️ Rami Ebu Zubejde
Studiues i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë
