Këshilli i Mbrojtjes së Përbashkët të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ka theksuar se agresioni izraelit ndaj Katarit është një agresion ndaj të gjitha vendeve anëtare të Këshillit dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.
Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes së zhvilluar sot, të enjten, në Doha – për të diskutuar agresionin izraelit ndaj Katarit më 9 shtator – thuhet se siguria e vendeve të Këshillit është një dhe e pandashme, ashtu siç është përcaktuar në Marrëveshjen e mbrojtjes së përbashkët.
Këshilli dënoi agresionin ushtarak izraelit ndaj Katarit dhe tha se ai përbën shkelje të përpjekjeve diplomatike dhe ndërmjetësimit të Katarit për arritjen e një armëpushimi në Gaza.
Gjithashtu, Këshilli i Mbrojtjes së Përbashkët shprehu mbështetje të plotë për të gjitha masat e marra nga Katari për t’u përballur me agresionin izraelit me qëllim ruajtjen e sigurisë, mbrojtjen e unitetit dhe integritetit territorial të tij.
Masat e shpallura pas takimit:
• Shpërndarja e pamjes ajrore të situatës në të gjitha qendrat operative të vendeve të Këshillit.
• Rritja e shkëmbimit të informacionit të inteligjencës përmes komandës ushtarake të përbashkët.
• Zbatimi i stërvitjeve të përbashkëta mes qendrave të operacioneve ajrore dhe të mbrojtjes ajrore gjatë tre muajve të ardhshëm, pasuar nga një stërvitje ajrore praktike.
• Përditësimi i planeve të përbashkëta mbrojtëse në koordinim mes komandës ushtarake të përbashkët dhe Komitetit të operacioneve dhe trajnimit të vendeve të Këshillit.
• Përshpejtimi i punës së grupit të përbashkët të Gjirit për sistemin e paralajmërimit të hershëm kundër raketave balistike.
Sfondi i mbledhjes:
Mbledhja u zhvillua me udhëzim të udhëheqësve të Gjirit, pas një samiti arab-islamik të jashtëzakonshëm të mbajtur në Doha ditën e hënë, ku u vendos që agresioni ndaj Katarit të trajtohej me përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar.
Burimi: Al Jazeera Mubasher
