Tregon Imam Dhehebiu dhe thotë:
Na tregoi Ahmed bin Selame, nga Ebu Mekarim Tejmij, nga El-Haddad, nga Ebu Nuajm, nga Taberani, nga Muhamed bin Zekerija el-Galabi, nga Ebu Omer el-Xhermi en-Nahvij, nga El-Fadl bin Rebi’, i cili tha:
“Prijësi i Besimtarëve” (Harun er-Rashidi) udhëtoi për haxh dhe më tha:
‘Të mjerët ju, në shpirtin tim ka një shqetësim. Më gjeni një njeri që mund ta pyes (të këshillohem)?’
Unë i thashë: ‘Këtu është Sufjan bin Ujejneh.’
Ai tha: ‘Shkojmë tek ai.’
Shkuam dhe i trokitëm derës. Ai (Sufjani) pyeti: ‘Kush është?’
I thashë: ‘Eja, Prijësi i Besimtarëve po të thërret.’
Ai doli me nxitim dhe tha: ‘O Prijës i Besimtarëvë, sikur të më kishe dërguar lajm, do të kisha ardhur unë tek ti.’
Haruni i tha: ‘Thuaj atë për të cilën kemi ardhur tek ty.’ (Pra : më këshillo!)
Biseduan për pak kohë, pastaj Haruni e pyeti: ‘A ke ndonjë borxh?’
Sufjani u përgjigj: ‘Po.’
Haruni më tha: ‘Paguaje borxhin e tij.’
Kur dolëm, ai tha: ‘Kjo (këshillë) nuk më ndihmoi për asgjë.’
Unë i thashë: ‘Këtu është edhe Abdur-Rezzaku.’
Ai (Haruni) tha: ‘Shkojmë tek ai.’
Shkuam, i trokitëm derës, ai doli dhe bisedoi me të për pak kohë. Pastaj Haruni e pyeti: ‘A ke ndonjë borxh?’
Ai u përgjigj: ‘Po.’
Haruni më tha: ‘O Ebu Abbas, paguaje borxhin e tij.’
Kur dolëm, ai (Haruni) përsëri tha: ‘Kjo (këshillë) nuk më ndihmoi për asgjë. Më gjej një njeri tjetër që ta pyes?’
Unë i thashë: ‘Këtu është Fudajl bin Ijadi.’
Ai tha: ‘Shkojmë tek ai.’
Shkuam dhe e gjetëm atë duke falur namaz dhe duke përsëritur një ajet Kuranor.
Haruni më tha: ‘Trokit në derë.’
Trokitëm dhe ai pyeti: ‘Kush është?’
I thashë: ‘Eja, Prijësi i Besimtarëve po të thërret.’
Ai tha: ‘Ç’më duhet mua (Ç’punë kam unë) me Prijësin e Besimtarëve?’
I thashë: ‘SubhanAllah! A nuk e ke detyrim t’i bindesh?’
Atëherë ai zbriti, hapi derën dhe u ngjit në dhomën e tij, ku fiku dritën dhe u strehua në një kënd.
Ne hymë dhe filluam ta kërkojmë në errësirë. Dora e Harunit e preku e para dhe ai (Fudajli) i tha:
‘O çfarë dore! Sa e butë është, nëse do të shpëtojë nesër nga dënimi i Allahut!’
Thashë me vete: ‘Sonte do ta dëgjojmë fjalën më të sinqertë nga një zemër e pastër.’
Atëherë Haruni i tha: ‘Fol për atë për të cilën kemi ardhur – Allahu të mëshiroftë!’
Fudajli i tha: ‘Kur Umer bin AbdulAzizi mori kalifatin (udhëheqësinë), ai thirri Salim bin Abdullahin, Muhamed bin Ka’bin dhe Rexha’ bin Hajuen dhe u tha atyre:
‘Më është dhënë kjo sprovë (kalifati), prandaj më këshilloni.’
Vazhdon Fudajli e thotë: ‘Ai e quajti kalifatin një sprovë, ndërsa ti dhe shokët e tu e quani atë një dhuratë.’
Atëherë Salimi i tha (Umer ibn AbdulAzizit): ‘Nëse dëshiron shpëtimin, atëherë agjëroje këtë botë dhe bëje iftarin tënd në të me vdekjen.’
Ndërsa Ibn Ka’bi i tha: ‘Nëse dëshiron shpëtimin nga dënimi i Allahut, atëherë le të jetë më i moshuari mes muslimanëve për ty si një baba, ai që është në moshë të mesme si një vëlla, dhe më i riu si një fëmijë. Prandaj, respekto babanë tënd, ndero vëllain tënd dhe trego dhembshuri ndaj fëmijës tënd.’
Dhe Rexha’ i tha: ‘Nëse dëshiron shpëtimin nga dënimi i Allahut, atëherë duaje për muslimanët atë që e do për veten tënde dhe urre për ta atë që e urren për veten tënde. Pastaj vdis kur të duash.
Unë po ta them këtë, ndërkohë që kam frikë për ty, dhe frika ime është shumë e madhe për ditën kur këmbët do të rrëshqasin.
A ke me vete – Allahu të mëshiroftë – ndonjë tjetër që të këshillon si unë?”
Atëherë Haruni qau aq shumë sa humbi ndjenjat. Kur u përmend (u zgjua), tha: ‘Më këshillo më shumë, Allahu të mëshiroftë!’
Fudajli i tha: ‘Më ka arritur se një prej guvernatorëve të Umer bin AbdulAzizit u ankua tek ai, dhe ai i shkroi: ‘O vëllai im, të kujtoj për netët e gjata të banorëve të zjarrit në zjarr me përjetësi. Ki kujdes që të mos të kthejnë nga Allahu, e të jetë ky fundi i lidhjes tënde me Të dhe ndërprerja e shpresës.’
Kur guvernatori e lexoi letrën, ai u nis menjëherë dhe arriti tek Umeri. Umeri e pyeti: ‘Çfarë të solli?’
Ai tha: ‘Ti ma shqetësove zemrën me letrën tënde. Nuk do të marr më kurrë asnjë post derisa të takoj Allahun.’
Atëherë Haruni qau dhe tha: ‘Më këshillo më shumë.’
Fudajli i tha: ‘O fytyrë e bukur, ti je ai që Allahu do të të pyesë për këtë popull Ditën e Kiametit. Nëse mund ta shpëtosh këtë fytyrë nga zjarri, atëherë bëje.’
Atëherë Haruni qau dhe i tha: ‘A ke ndonjë borxh?’
Fudajli u përgjigj: ‘Po, kam një borxh ndaj Zotit tim, për të cilin ende nuk më ka marrë në llogari.’
Haruni i dha një mijë dinarë dhe i tha: ‘Merri dhe harxhoji për familjen tënde dhe për adhurimin tënd.’
Fudajli tha: ‘SubhanAllah! Unë po të tregoj rrugën e shpëtimit, dhe ti më shpërblen me këtë?’
Pastaj u hesht dhe nuk foli më me të.
Kur dolëm, Haruni tha: ‘O Ebu Abbas, nëse do të më këshillosh, më këshillo me njerëz si ky. Ky është vërtet prijësi i muslimanëve!’
Një nga gratë e tij hyri tek ai dhe i tha: ‘E sheh gjendjen tonë të vështirë, sikur ta pranoje këtë pasuri!’
Ai u përgjigj: ‘Shembulli im dhe shembulli juaj është si ai i një populli që ka një deve nga e cila përfitojnë, por kur plaket, e therin dhe hanë mishin e saj.’
Kur Haruni dëgjoi këto fjalë, tha: ‘Le të hyjmë, ndoshta do ta pranojë pasurinë.’
Kur e kuptoi Fudajli, doli dhe u ul mbi çatinë e dhomës së tij. Haruni erdhi dhe u ul pranë tij, filloi t’i fliste, por ai nuk i përgjigjej.
Ndërkohë, doli një shërbëtore zezake dhe tha: ‘O njeri, e ke shqetësuar shejhun që nga mbrëmë, largohu!’
Kështu që u larguam.
Imam Dhehebiu në “Sijer A’lam en-Nubela vll:8 / fq:428-431”
Përktheu: Uvejs Ramadani
