Kënaqësia e mjaftueshmërisë

Më të lexuarat

Një studim i realizuar nga banka zvicerane Credit Suisse tregon se numri i milionerëve në botë ka arritur në 56 milionë persona – ata që zotërojnë rreth 4 milionë riyalë (afërsisht 1 milion dollarë). Kjo përfaqëson vetëm 1% të të rriturve në botë dhe një përqindje edhe më të vogël në raport me të gjithë popullsinë e globit. Ndërkohë, sipas institucionit “New World Wealth”, që studion pasuritë globale, në Lindjen e Mesme jetojnë rreth 390 mijë milionerë.

Këto shifra tregojnë një fakt shumë të rëndësishëm: edhe pse të bëhesh pjesë e këtij grupi është e mundur, në realitet është shumë e vështirë. Është një konkurrencë e ashpër me miliarda njerëz për t’u bashkuar me këtë elitë. Në fund të fundit, vetëm një pakicë do të fitojë titullin “milioner”, ndërsa shumica e njerëzve do të kenë një punë të mirë, një pagë të përshtatshme dhe një shumë që do t’u mbulojë nevojat dhe një pjesë të dëshirave të tyre.

Fjalët e mia këtu nuk synojnë të zhvlerësojnë pasurinë apo të nënvlerësojnë rëndësinë e punës së palodhur për të arritur liri financiare, jetë të mirë dhe kënaqësi. Jo – kjo është një qëllim i ligjshëm dhe fisnik që ia vlen të arrihet. Siç thotë edhe profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të): “Sa e mirë është pasuria për njeriun e mirë!”

Por ëndrra për pasuri mund ta çojë njeriun drejt përpjekjes së pambaruar dhe pranimit të shumë sakrificave për të arritur këtë synim. Në disa raste, kjo ëndërr sjell zhgënjim dhe trishtim, sepse megjithë përpjekjet, synimi mbetet i paarritshëm. Gjithashtu, ajo mund të pengojë njeriun të shijojë bekimet dhe gëzimet që janë të pranishme dhe të arritshme, sepse ai është i fiksuar pas atyre që i mungojnë ose që i shpreson.

Sot, ndryshimet në botë e kanë bërë njeriun të dëshirojë jetën e të tjerëve, duke i imituar ata dhe duke mos qenë i kënaqur me atë që ka, duke harruar rrethanat, aftësitë dhe burimet që kanë të tjerët.

Shumëkush pa marrë parasysh të ardhurat synon të udhëtojë në të njëjtat vende si të pasurit, me të njëjtat mjete luksoze, të qëndrojë në hotele luksoze, të hajë në restorante të shtrenjta, të veshë rroba të markave të njohura dhe të blejë dhurata të shtrenjta. Dhe të gjitha këto t’i publikojë në rrjetet sociale për të dëshmuar se “nuk jam më pak se të tjerët”.

Mjerë ata! Kthehen nga udhëtimet të shteruar financiarisht, emocionalisht dhe fizikisht. Pastaj presin komente në rrjete sociale dhe i tregojnë të gjithëve për “aventurat e jashtëzakonshme” që përjetuan, duke e mbështetur këtë me qindra foto që secili pjesëmarrës ka marrë me celularin e tij. Dhe secili ka listën e personave të cilëve do t’ua tregojë këto detaje për t’u dukur sa më mirë.

Megjithëse gara për të tejkaluar të tjerët është një nxitës i fuqishëm, nuk ka kënaqësi të vërtetë dhe të qëndrueshme pa ndjenjën e mjaftueshmërisë dhe falënderimit për atë që Zoti ka dhënë. “Qëllimi financiar” shpesh nuk është një numër i qartë e i caktuar  është si një pengesë atletike që sa herë kalohet, ngrihet më lart.

Një nga aftësitë më të vështira financiare është: të ndalosh ngritjen e asaj pengese, të pranosh se çfarë ke arritur është e mjaftueshme, edhe nëse mund të arrish më shumë. Duhet të përcaktosh një numër të arsyeshëm për veten tënde, të qëndrosh besnik ndaj tij dhe të mos sakrifikosh më shumë për një numër më të madh. Mos e mat jetën me atë që kanë apo bëjnë të tjerët.

Mjaftueshmëria nuk do të thotë varfëri, as nënvlerësim të vetes apo shtrëngim në shpenzime. Do të thotë ekuilibër të mos ndjekësh me etje të papërmbajtur çdo mundësi për fitim më të madh, duke sakrifikuar gjëra që nuk kanë çmim: emrin e mirë, kënaqësinë me jetën, pavarësinë, familjen, miqtë, qetësinë shpirtërore. Këto nuk mund të ruhen nëse njeriu humbet veten pas grumbullimit të vazhdueshëm të parave.

Dhe në fund, ju kujtoj fjalët e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), siç vijnë në një hadith të saktë:
“Shikoni ata që janë më poshtë se ju, e mos shikoni ata që janë më lart, sepse kjo është më e përshtatshme për të mos e përçmuar begatinë e Allahut ndaj jush.”
Shikimi i pandërprerë drejt atyre që kanë më shumë, të bën të përçmosh atë që ke, dhe ndoshta të mos falënderosh për të.

Lusim Allahun të na furnizojë nga begatia e Tij, të na bëjë të pavarur nga njerëzit, të na bekojë në riskun tonë dhe ta bëjë atë ndihmë në bindje ndaj Tij. Dhe të na japë kënaqësi me atë që na ka caktuar.

Me respekt,
Muhamed ibn Saad Al-Ushn

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit