Kina ka zbuluar një zhvillim mahnitës që mund të përmbysë ekuilibrat në garën e armatimeve dhe të vërë në pikëpyetje efektivitetin e “kupolës së artë” amerikane, sistemit të ri të mbrojtjes nga raketat që u shpall nga presidenti Donald Trump për të përballuar kërcënimet raketore.
Sipas një raporti të publikuar nga faqja italiane Scenari Economici, autori Fabio Lugano shkruan se Kina, vetëm disa ditë pas shpalljes së “kupolës së artë”, njoftoi se kishte zhvilluar një armë “të padukshme me shumë spektri”, e aftë të shmangë sensorët termikë dhe radarët.
Zbulimi i teknologjisë së re
Autori thekson se një ekip kinez i udhëhequr nga profesori Li Qiang nga Universiteti i Chengyang-ut, ka zhvilluar këtë armë, e cila mund të minojë efektivitetin e sistemit të ri amerikan të mbrojtjes nga raketat — “kupola e artë” — e shpallur më 20 maj.
Kupola e artë përshkruhet si një version amerikan i sistemit izraelit të njohur “kupola e hekurt”, që synon të përballojë kërcënimet e avancuara raketore, përfshirë raketat balistike, hipersonike dhe ato të tipit cruise, përmes sensorëve hapësinorë të bazuar në teknologjinë infra të kuqe.
Karakteristika mbresëlënëse
Sipas raportit, arma e re kineze është në gjendje të shmangë rrezet infra të kuqe, mikrovalët dhe valët e shkurtra, të mesme dhe të gjata, duke ruajtur karakteristikat e saj edhe në temperatura ekstreme deri në 700°C.
Për më tepër, kjo armë ka një aftësi të lartë për shpërndarjen e nxehtësisë: në kushte të ngjashme me fluturimin në shpejtësi supersonike, sipërfaqja e saj mbetet 72.4°C më e ftohtë se materialet tradicionale si molibdeni — duke e bërë atë të përshtatshme për përdorim në mjedise ekstreme, si avionët dhe raketat me shpejtësi të lartë — që përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për “kupolën e artë”.
Forcimi i pozitës së Kinës
Autori shton se Kina ka shprehur më parë kritika ndaj “kupolës së artë”, duke e quajtur atë dëshmi të fiksimit amerikan për “sigurinë absolute” dhe një faktor që mund të destabilizojë rendin global.
Ai komenton se materiali i ri e forcon pozicionin e Pekinit, duke ofruar një avantazh teknologjik që mund të barazojë përpjekjet mbrojtëse të SHBA-së.
Në përfundim, ai thekson se ky zhvillim nuk përbën vetëm një sfidë teknologjike për SHBA-në, por edhe një sfidë gjeopolitike. Gara me Kinën në fushën e teknologjive të padukshmërisë dhe mbrojtjes nga raketat mund të nxisë tensione ushtarake, me pasoja për tregjet globale dhe stabilitetin ekonomik.
Burimi: Shtypi italian
Marrë nga al-jazeera
