10.1 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Karvani i të penduarve

Më të lexuarat

Një shok më tha: -Një ditë u ndala para kalendarit që të grisja letrën që tregonte datën e djeshme dhe të zbuloja datën e radhës dhe papritmas u shtanga kur pashë se deri në fund të vitit kishin mbetur vetëm dy ditë. Mendova me vete: “Një vit i tërë ka kaluar dhe nga ajo që më kujtohet, nuk kam me çfarë të lavdërohem, pasi gjithçka ka qenë kotësi dhe humbje.” Më goditi një ndjenjë tronditëse në zemër, si të ishte rrufe. Filluan të më dridhen gjymtyrët e trupit dhe m’u rrëqeth tërë qenia kur kuptova se kishte kaluar edhe ky vit dhe nuk isha parapërgatitur për vendqëndrimin tim të ardhshëm për të cilin më paralajmëroi kalendari, i cili më vërtetoi edhe një herë gjënë e sigurt që e di çdo njeri.” Në ato momente, teksa shoku më fliste, m’u kujtuan ajetet e Zotit të Madhëruar në Kuranin Famëlartë: “Ai thotë: “E sa vjet keni kaluar në tokë?”Ata thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një  pjesë të ditës, pyeti ata që dinë numërimin!”Ai thotë: “Mirë e keni, sikur ta dinit, njëmend pak keni qëndruar!” Pas këtyre fjalëve, Allahu i Lartësuar thotë: “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?” (Mu`minun, 112-115)

 

Nëse jeta e zakonshme e kësaj bote qenka prej gjashtëdhjetë vitesh deri në shtatëdhjetë, apo le të themi se është edhe dikush që e arrin vitin e njëqindtë, vallë çfarë vlere kanë ato kënaqësi të cilat bëhen duke hidhëruar Krijuesin dhe duke tejkaluar kufijtë e vendosura, kur fundi pas tërë atyre dëfrimeve do të jetë zjarri? Sa ia vlen që t`u gëzohemi kënaqësive dhe të jepemi pas tyre kur fundi i tyre është humbja e përhershme për ne? Allahu i Lartësuar thotë: “Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej  bëhet e thyer, e llomitur…” (Kuran, 57:20)

O njeri, bashkoju karvanit të të penduarve që është duke udhëtuar, bashkoju grupit që ndien keqardhje për kohën e humbur kot dhe mos harro se dera e pendimit është ende e hapur për ty, pa marrë parasysh mëkatin dhe gabimin që ke bërë. Allahu i Lartësuar thotë: “Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Kuran, 24:31) O njeri, vërtet lotët e të penduarve janë të sinqerta, zemrat i kanë të zbutura, i druhen Zotit të tyre, ndiejnë keqardhje për veprat e tyre dhe shpresojnë në mëshirën e Zotit të tyre.

O njeri, kujto rastin e Fudejl ibën Ajadit, i cili ka qenë një njeri i dhënë pas epsheve dhe kënaqësive të kësaj bote. Një natë ai kishte lënë takim me vajzën që dashuronte dhe duke kaluar muret e shtëpive, që të shkonte tek ajo, dëgjon fjalët e Kuranit: “A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kuranin)” (Kuran, 57:16) Kur dëgjoi këtë ajet, u shtang për një moment dhe  iu kujtuan të gjitha tradhtitë, mëkatet, çoroditjet dhe gjërat me të cilat vazhdimisht e hidhëronte Allahun e Lartësuar. Në atë moment filluan t`i rridhnin lotët e pendimit dhe u mbush me shpresën e faljes nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Kështu ai u pendua dhe u largua nga punët e këqija, derisa u bë nga më të devotshmit dhe më të mirët e kohës së tij. O ti që ke humbur shumë kohë nën hidhërimin e Krijuesit tënd, a nuk ke dëgjuar për hadithin e Muhamedit, Lavdërimi dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i cili thotë: “Allahu gëzohet më tepër kur robi i Tij pendohet sesa nëse ndonjëri prej jush sikur të kishte qenë në një shkretëtirë të madhe me devenë e tij dhe ajo papritmas i humb, e mbi të ka pasur të ngarkuar ushqimin dhe pijen e tij. (Pasi e kërkon) Njeriu humb shpresat se mund ta gjejë dhe shkon dhe shtrihet nën hijen e një druri që të presë vdekjen. Papritmas, kur zgjohet, e sheh devenë që është kthyer pranë tij. E kap nga kapistra dhe nga gëzimi i madh thotë: “O Allahu im! Ti je robi im kurse unë jam zoti Yt!”  Gabon për shkak të gëzimit të madh.”2)

O ti që vazhdon mëkatet dhe je ende i hutuar, kjo thirrje është për ty, nëse dëshiron ta arrish karvanin të cilin ende e sheh tek ecën. Lexo çfarë thotë Zoti i Lartësuar për faljen e mëkateve të tua, edhe nëse janë të shumta sa malet: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues.” (Kuran, 39:53) Pastaj lexo çfarë thotë i Dërguari Muhamed, Lavdërimi dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi të: “Ai që pendohet nga mëkatet është si ai që nuk ka mëkate.” Ndërsa ai për veten e tij thoshte: “O njerëz, pendohuni tek Allahu. Vërtet unë pendohem njëqind herë në ditë.” (Muslimi)

Kënaqësitë e ndaluara të kësaj bote, sado joshëse të jenë, janë të përziera me neveri dhe shëmti gjatë kryerjes së tyre, kurse pas kryerjes ato gjenerojnë 2) Buhariu dhe Muslimi.  ankth, vuajtje dhe pikëllim. Pastaj, mëkati nxin fytyrën, ngrys zemrën, errëson varrin, ligështon trupin, pakëson riskun (furnizimin) dhe krijon urrejtje në zemrat e të tjerëve.

Në anën tjetër, vepra e mirë shndrit fytyrën, ndriçon zemrën, jep fuqi në trup dhe krijon dashuri në zemrat e të tjerëve ndaj njeriut që e kryen këtë vepër të mirë. O njeri, ti nuk e di se kur do të të arrijë vdekja dhe sa të ka mbetur nga kjo jetë, ashtu siç nuk e di askush, por prapë ti vazhdon ta shtysh pendimin duke i thënë vetes: “Ka ende kohë, le ta shijoj edhe pak “ëmbëlsirën” e kësaj jete dhe kur të arrij pleqërinë, atëherë do të pendohem.” Vërtet këto janë mashtrime të shejtanit dhe joshje të botës së përkohshme. Nxito dhe ki kujdes nga hutimi dhe zvarritja para se të bëhet vonë dhe të pendohesh atëherë kur pendimi nuk bën dobi, ashtu si do të thonë ata që nuk janë penduar me kohë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë prej atyre bamirësve!” (Kuran, 39:58)

Marrë nga libërthi “ Kthehu te krijuesi” nga hoxhë Ahmed Kalaja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit