Ji i bekuar kudo që të jesh
Përmbushja e një roli qoftë edhe i thjeshtë dhe kontributi yt qoftë edhe i paktë në thirrjen drejt Allahut, në përhapjen e mirësisë dhe në urdhërimin për të mirë e ndalimin nga e keqja, është dëshmia më e pastër e sinqeritetit të besimit tënd.
Ky angazhim tregon seriozitetin e përkushtimit tënd, është tregues i qëndrueshmërisë dhe provë se ti shpreson shpërbimin vetëm tek Allahu.
Ai vërteton besnikërinë ndaj Zotit tënd, ndjekjen e Pejgamberit tënd ﷺ, përkatësinë ndaj fesë sate dhe është shenjë e suksesit dhe mbarësisë sate.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَلْتَكُن مِّنكُمْ أُمَّةٌ يَدْعُونَ إِلَى الْخَيْرِ وَيَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ﴾
“Le të dalë nga ju një grup njerëzish që ftojnë në mirësi, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja.” [Ali Imran: 104].
Shndërroji emocionet e tua të vrullshme në vepra të virtytshme; bëje përkatësinë tënde islame burim qëndrimesh të pavdekshme. Mos u bë barrë për Zotin tënd, ku kudo që të drejtohesh, të mos sjellësh asnjë dobi. Vërtetoje besimin tënd përmes veprave të mira, si falënderim ndaj Allahut për dhuntinë e udhëzimit dhe si mirënjohje për dritën e diturisë që Ai të ka dhuruar.
Ji i bekuar kudo që të jesh…
Ti, o musliman i përkushtuar, je një pasuri gjigante, por e papërdorur; një monedhë e rrallë, por e lënë pas dore; një thesar i madh, por i varrosur!
Talente të mbytura dhe energji të frenuara… A e ke kuptuar vlerën e vetes sate? A i ke shfrytëzuar aftësitë e tua?
Ilaçi yt është te ti, por ti nuk e ndjen,
Sëmundja jote vjen prej teje, por ti nuk e sheh.
Ti mendon se je vetëm një trup i vogël,
Ndërkohë që brenda teje është përfshirë bota më e madhe.
Ji i bekuar kudo që të jesh…
Kush tjetër do ta nxjerrë njerëzimin nga moçalet e ndotura të injorancës bashkëkohore, përveç pasuesve të Islamit dhe thirrësve të së vërtetës?!
Ne jemi përgjegjësit e vetëm para Allahut për këtë fe. Allahu nuk do të zbresë melekë nga qielli e as nuk do të dërgojë të dërguar tjetër! Nëse ne heqim dorë nga kjo përgjegjësi dhe e neglizhojmë këtë amanet, atëherë le të presim ndëshkimin e shpejtë! Ky ndëshkim mund të jetë edhe privimi nga mirësia e udhëzimit, sepse nuk e vlerësuam atë siç duhet.
Sa kemi dëgjuar për njerëz që ishin në rrugë të drejtë por devijuan, sepse nuk e kapën Librin me forcë.
Allahu thotë:
﴿فَإِن تَوَلَّوْا فَاعْلَمْ أَنَّمَا يُرِيدُ اللَّهُ أَن يُصِيبَهُم بِبَعْضِ ذُنُوبِهِمْ﴾
“E nëse ata largohen, atëherë dije se Allahu dëshiron t’i godasë ata për disa prej mëkateve të tyre.” [El-Maide: 49]
Ekziston rreziku që sprova të përfshijë të gjithë shoqërinë kur të këqijat bëhen “normë” dhe e mira zbehet.
Allahu i paralajmëron ata që tërhiqen:
﴿وَإِن يَتَوَلَّوْا يُعَذِّبْهُمُ اللَّهُ عَذَابًا أَلِيمًا فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ﴾
“E nëse ata largohen, Allahu do t’i dënojë me një dënim të dhimbshëm në këtë botë dhe në botën tjetër.” [Et-Teube: 74]
Dhe thotë:
﴿وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَّا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنكُمْ خَاصَّةً﴾
“Dhe ruajuni sprovës e cila nuk i godet vetëm ata që bënë zullum prej jush (por të gjithë).” [El-Enfal: 25]
Ji i bekuar kudo që të jesh…
Nëse ndjeni pafuqi për të mbajtur këtë përgjegjësi, dijeni se Allahu do të sjellë breza të tjerë që do ta lartësojnë këtë fe:
﴿وَإِن تَتَوَلَّوْا يَسْتَبْدِلْ قَوْمًا غَيْرَكُمْ ثُمَّ لَا يَكُونُوا أَمْثَالَكُم﴾
“E nëse ju largoheni, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, të cilët nuk do të jenë si ju.” [Muhamed: 38].
O thirrës: Merre shembullin nga Profeti Jusuf (alejhisselam), të cilin as burgu, as gurbeti dhe as vetmia nuk e penguan nga thirrja:
﴿يَا صَاحِبَيِ السِّجْنِ أَأَرْبَابٌ مُتَفَرِّقُونَ خَيْرٌ أَمِ اللَّهُ الْوَاحِدُ الْقهارُ﴾
“O shokët e mi të burgut! A janë më mirë zota të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjyesi?” [Jusuf: 39].
Vlera e secilit prej nesh qëndron në atë që bën në shërbim të fesë së tij.
Nëse mund të hapësh një derë mirësie, bëje, qoftë edhe një herë të vetme, që të llogaritesh prej njerëzve të mirë.
Ji i bekuar kudo që të jesh…
Mos u bë numër pa vlerë apo hije pa lëvizje.
Profeti ﷺ ka thënë:
(( أَنْتُمْ يَوْمَئِذٍ كَثِيرٌ وَلَكِنَّكُمْ غُثَاءٌ كَغُثَاءِ السَّيْلِ))
“Ju atë ditë do të jeni shumë, por do të jeni si shkuma e vërshimit të ujit.” [Buhariu].
Dhe ka thënë:
(( إِنَّمَا النَّاسُ كَالإِبِلِ المِائَةِ، لاَ تَكَادُ تَجِدُ فِيهَا رَاحِلَةً))
“Njerëzit janë si një qind deve, ku mezi mund të gjesh një prej tyre të përshtatshme për udhëtim.” [Buhariu: 6498]
Bëhu ti ai “njëshi” që bën dallimin.
Ji i bekuar kudo që të jesh…
Shumë njerëz sot vetëm ankohen, pa ofruar asnjë projekt praktik.
Është për t’u habitur se si njerëzit e së kotës planifikojnë natë e ditë për qëllime të ulëta, ndërsa ne tregohemi të plogësht për qëllimin më fisnik:
﴿إِن تَكُونُوا تَأْلَمُونَ فَإِنَّهُمْ يَأْلَمُونَ كَمَا تَأْلَمُونَ ۖ وَتَرْجُونَ مِنَ اللَّهِ مَا لَا يَرْجُونَ﴾
“Nëse ju ndjeni dhimbje, edhe ata ndjejnë dhimbje ashtu si ju, por ju shpresoni nga Allahu atë që ata nuk e shpresojnë.” [En-Nisa: 104].
Largoje pluhurin e përtacisë!
Puna për fenë nuk është detyrë vetëm e një grupi, por e çdo muslimani sipas mundësive të tij.
Mos e nënçmo asnjë vepër: nëse nuk mund të jesh shkrimtar, bëhu lexues; nëse nuk mund të jesh rrugë, bëhu kalim.
Kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u dorëzo!
Imam Ibën Kajimi ka thënë: “Bekimi i njeriut qëndron në mësimin e së mirës kudo që ndodhet dhe në këshillimin e secilit që takon.”
Allahu thotë për Isain (alejhisselam):
﴿وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنتُ﴾
“Dhe Ai më ka bërë të bekuar kudo që të jem.” [Merjem: 31].
Shkroi: Humajdan bin Axhil el-Xhuheni
Rebiul Evvel 1432
Përktheu: Bekir Halimi
