Izraeli bombardon rrethinat e pallatit presidencial në Damask dhe dërgon mesazh kërcënues

Më të lexuarat

Një avion luftarak izraelit lëshon një raketë gjatë fluturimit pranë Damaskut më 30 prill

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi herët në mëngjesin e sotëm se ushtria izraelite kishte goditur një objektiv pranë pallatit presidencial në kryeqytetin sirian, duke përsëritur zotimin e tij për të mbrojtur anëtarët e pakicës druze.

Ky është sulmi i dytë i Izraelit ndaj Sirisë brenda dy ditësh, pas premtimit për të mbrojtur pakicën druze.

Këto sulme përfaqësojnë një sfidë shtesë për përpjekjet e presidentit sirian Ahmad al-Sharaa për të rikthyer kontrollin mbi një vend të shkatërruar nga lufta.

Netanjahu deklaroi në një konferencë të përbashkët me ministrin e mbrojtjes Yisrael Katz:
“Izraeli kreu një sulm ajror pranë pallatit presidencial në Damask gjatë natës.”
Ai shtoi: “Ky është një mesazh i qartë për regjimin sirian: Ne nuk do të lejojmë forcat (siriane) të përhapen në jug të Damaskut apo të përbëjnë ndonjë kërcënim ndaj druzëve.”

Të mërkurën e kaluar, një avion izraelit kishte bombarduar atë që Izraeli e quajti tri “objektiva sigurie” brenda Ashrafiyat Sahnaya, me pretendimin e “mbrojtjes” së druzëve. Kjo vjen në kuadër të përpjekjeve të Izraelit për të shfrytëzuar çështjen druze për të justifikuar shkeljet e tij ndaj sovranitetit sirian, ndërkohë që Damasku thekson se të gjitha komunitetet në vend gëzojnë të drejta të barabarta pa diskriminim.

Tensionet në Xhërmana dhe Sahnaya
Këto sulme ndodhën në mes të tensioneve të fundit në Xhërmana, në periferi të Damaskut, të cilat përfunduan me një marrëveshje mes qeverisë dhe udhëheqësisë fetare (Mëshikhat el-Aql) të qytetit, për lejimin e hyrjes së shërbimit të sigurisë publike në Xhërmana.

Korrespondenti i Al Jazeera konfirmoi se forcat e sigurisë publike kanë hyrë tashmë në Xhërmana dhe kanë vendosur pika kontrolli në qendër dhe në periferi të qytetit. Pamjet nga sheshi “Karamah” treguan një situatë normale, pa prani të armatosur.

Drejtori i sigurisë për rajonin e Damaskut i tha Al Jazeera-s se forcat kanë nisur përforcimin e pranisë së tyre në Xhërmana, sipas marrëveshjes me Ministrinë e Brendshme dhe Mëshikhat el-Aql të qytetit. Ai shtoi se do të fillojnë marrjen e armëve të rënda nga grupet brenda qytetit dhe se çdo refuzues do të konsiderohet jashtë ligjit.

Mëshikhat el-Aql e komunitetit të quajtur “druzët e unifikuar” në Siri, theksoi përkushtimin ndaj qëndrimeve kombëtare si pjesë e pandarë e atdheut të bashkuar sirian.

Po ashtu, kjo udhëheqësi fetare rikonfirmoi refuzimin e saj ndaj ndarjes, shkëputjes apo autonomisë dhe kërkoi fuqizimin e rolit të Ministrisë së Brendshme dhe organeve të drejtësisë në Suvejda, sigurimin e rrugës Suvejda–Damask dhe vendosjen e rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin sirian, larg konflikteve sektare.

Përleshjet në Sahnaya dhe reagimi i qeverisë
Natën midis të martës dhe të mërkurës, Ashrafiyat Sahnaya – një zonë e banuar nga druzë – ishte skenë përleshjesh mes forcave të sigurisë siriane dhe “grupeve të armatosura jashtëligjshme”, pas publikimit të një regjistrimi audio të atribuar një druzi që shante Profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të), gjë që shkaktoi vdekjen e pesë personave.

Ministria e Brendshme siriane njoftoi se njëmbëdhjetë efektivë të saj u vranë nga sulmet e këtyre grupeve në mëngjesin e të njëjtës ditë, në pikat dhe postblloqet e sigurisë në periferi të zonës. Forcat e sigurisë ndërhynë për të rikthyer rendin.

Pas disa orësh tensioni, drejtoria e sigurisë publike për rajonin e Damaskut njoftoi mbrëmjen e së njëjtës ditë përfundimin e operacionit të sigurisë në të gjitha lagjet e Sahnayas, me shtrirjen e plotë të forcave për të rikthyer rendin dhe stabilitetin në zonë.

Burimi: Al Jazeera

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit