Pa kontributin e tij, rrugëtimi i njerëzimit drejt modernitetit do të ishte i pamundur.
Në një artikull shumë profesional për revistën britanike New Statesman, studiuesi Hussein Omar ka marrë në shqyrtim veprën monumentale të historianit James McDougall, Botët e Islamit: Një histori globale, që sapo ka dalë në librari.
Në të, Omar, duke iu referuar argumenteve të McDougall, thekson se Islami ka funksionuar si një “motor” që ka transformuar rrënjësisht çdo cep të globit, duke sfiduar narrativat eurocentrike që e shohin Perëndimin si qendrën e vetme të progresit.
Një nga argumentet më të fuqishme që Omar nxjerr në pah nga studimi i McDougall, është karakteri kozmopolit dhe universal i besimit. McDougall argumenton se Islami nuk duhet kuptuar vetëm përmes “zemrës” së tij gjeografike në Lindjen e Mesme, por përmes periferive të tij dinamike.
Nga tregtarët në Indi e deri te komunitetet në Amerikën Latine, Islami shërbeu si një gjuhë e përbashkët që lidhi botën shumë kohë përpara se të flitej për globalizimin modern. Sipas autorit, kjo aftësi për t’u përshtatur dhe për të bashkuar popuj me prejardhje të ndryshme etno-linguistike është dëshmia më e qartë e suksesit të tij historik.
Më tej, Omar vë në dukje se si McDougall te Botët e Islamit dekonstrukton mitet perëndimore mbi “prapambetjen” e vendeve islame. Ai citon faktin se konceptet e lirisë dhe barazisë fetare ishin shpesh më të avancuara në territoret osmane sesa në Evropën e shekullit XIX.
McDougall argumenton se Islami ka qenë një forcë intelektuale e sofistikuar; madje, edhe konceptet që sot i shohim si “të huaja”, si xhihadi, shpesh kishin rrënjë në politikat e krishtera bizantine të kohës, duke treguar se Islami ishte gjithmonë në dialog dhe shpeshherë më progresiv se fqinjët e tij.
Një pikë kyçe në favor të Islamit është roli i tij si një gjuhë politike e pushtetit që bazohej te forca e argumentit. McDougall këmbëngul se historia e Islamit është “historia e të gjithë botës”. Ai tregon se si udhëtarët e mëdhenj si Vasco da Gama u mbështetën te lundërtarët myslimanë, duke vërtetuar se pa kontributin shkencor dhe gjeografik të botës islame, rrugëtimi i njerëzimit drejt modernitetit do të ishte i pamundur.
Në mbyllje të shkrimit të tij, Hussein Omar thekson se libri i McDougall na fton për një “përulësi intelektuale”. Argumenti përfundimtar i librit “Botët e Islamit: Një histori globale”, është se ky besim fetar nuk është një problem që duhet zgjidhur, por një pasuri botërore që ka ofruar modele të qëndrueshme të bashkëjetesës, shkencës dhe drejtësisë shoqërore, duke mbetur edhe sot një faktor kyç për të ardhmen e njerëzimit./tesheshi/
