9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Islami fe e paqes

Më të lexuarat

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!

Në ditët e sotme jemi dëshmitarë të përpjekjeve sistematike dhe afatgjata për ta shpërfytyruar dhe njollosur fenë tonë. Mediat shkruajnë përditë artikuj tendenciozë mbi të ashtuquajturat fenomene të brutalitetit dhe primitivizmit në islam dhe mes myslimanëve. Përhapësit e këtyre shpifjeve janë gazetarë dhe të vetëquajturit ekspertë të „islamit politik”. Sulmet ndaj fesë sonë janë shkallëzuar sidomos kohët e fundit dhe intensiteti i tyre vjen gjithnjë duke u rritur.

Portretizimi i Islamit nga mediat shpesh herë mashtron ata që kanë njohuri të pakta për fenë Islame, dhe i shtyn ata të bëjnë supozime negative në lidhje me këtë fe shumë të qetë dhe tolerante të jetës, sepse islami është fe e paqes, e sigurisë dhe jo e dhunës, e vrazhdësisë.

Vëllezër të nderuar!

 

 

Përparësia e islamit qëndron tek thjeshtësia e doktrinës së tij, forca e argumenteve dhe në universalitetin e ligjeve të tij. Islami përdor „shpatën” e intelektit e cila fiton zemrat dhe mendjet e njerëzve. Në Kuranin fisnik thuhet: „Thirri në rrugën e Zotit tënd me urtësinë tënde dhe me predikim bindës dhe debato me ta në mënyrën më të përshtatshme”. Kurani fisnik (16-125)

Myslimanë të ndershëm!

 

Besoj se me siguri e dini, se fjala islam rrjedh nga rrënja e fjalës selam që në arabisht do te thotë paqe, siguri, vendosje e paqes dhe afërsisë ndërmjet njerëzve.

Islam do të thotë nënshtrim i vetëdijshëm dhe me dëshirë ndaj vullnetit të Zotit. Islami është fe e paqes, të cilën besimtari e përqafon vetëm atëherë kur i nënshtrohet ligjeve të Krijuesit të plotfuqishëm.
Pra për të kuptuar islamin duhet ti referohemi burimeve të Kur’anit dhe haditheve të profetit Muhamed a.s të cilat janë të qarta në ndalimin e çdo lloj padrejtësie dhe dhune.

Paqja është simboli I Islamit, është thelbi I tij, është ajo që Allahu I ka thirrur muslimanët. Thotë Allahu I Lartësuar :
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ادْخُلُوا فِي السِّلْمِ كَافَّةً وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ إِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُبِينٌ
O ju besimtarë! Hyni në mënyrë të përkryer në Islam (duke iu nënshtruar të gjitha ligjeve dhe rregullave të fesë Islame) dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit. Padyshim që ai është për ju armik i hapur.
Islami është feja të cilën e zgjodhi Allahu për robërit e Tij: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”. Maide3.

Feja e vërtetë tek Allahu është Islami dhe nuk pranon fe tjetër nga krijesat e Tij. Tek Allahu nuk ka pasur fe tjetër të pranuar përpos Islamit dhe nuk do të ketë kurrë e asnjëherë fe tjetër: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”. Ali Imran 19.

Jemi krenarë që i përkasim një feje që na edukon me paqe dhe përshëndet me paqe,
Krenarë se besojmë në NJË Zot, një nga emrat e bukur të të Cilit është Es’Selam- Paqe,
Krenarë se besojmë në librin e shenjtë në të cilin përmendet 140 herë fjala Selam (سلام) paqe, kurse fjala Harb (حرب) Luftë vetëm 6 herë që do të thotë se paqja është rregull, kurse lufta është përjashtim dhe përsëritet 114 herë Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim, mëshirë e cila të frymëzon dhe nxit për paqe, prandaj me këtë shprehje fillojmë çdo punë për të na kujtuar që mëshirës të mos i ndahemi në çdo detaj të jetës. Sikurse jemi krenarë që i përkasim umetit të Muhamedit a.s, që këto mësime të bukura i praktikoi në mënyrën më të shkëlqyer.

Paqja me Islamin kanë një lidhje të ngushtë dhe të pandarë. Paqe në Islam do të thotë : drejtësi, vërtetësi, sinqeritet, siguri dhe mëshirë. Lidhja midis tyre reflektohet në shumë aspekte si:
Origjina e fjalës Islam vjen nga paqja.

Një nga Emrat e Allahut është Es’Selam- Paqe
هُوَ اللَّهُ الَّذِي لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ السَّلامُ الْمُؤْمِن
{Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, }
Xheneti e ka emrin Shtëpia e paqes
لَهُمْ دَارُ السَّلَامِ عِنْدَ رَبِّهِمْ وَهُوَ وَلِيُّهُمْ بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
{Për ta do të jetë Shtëpia e Paqes (Xhenneti) me Zotin e tyre dhe Ai do të jetë Valiu (Ndihmësi dhe Mbrojtësi) i tyre për ato vepra që ata i punuan.}

Paqja është përshëndetja e parë për njeriun që Zoti ia mësoi Ademit a.s. Pasi iu dha shpirti Ademit a.s, Zoti e urdhëroi të shkojë tek një grup melekësh dhe t’I përshëndesë me fjalët:”Esselamu alejkum!” Mandej të presë se çfarë do i thonë ata, pasi kjo do të jetë përshendetja jote dhe e pasardhësve të tu. Shkoi Ademi a.s dhe u tha melekëve:”Esselamu alejkum” Melekët ia kthyen: “Ve alejkum selam ve rahmetullah”

Paqja është përshëndetja që Zoti ka përligjur për ndjekësit e Islamit, të cilët përshëndeten çdo herë që takohen me njëri-tjetrin duke thënë: “Esselamu alejkum (paqja qoftë mbi ju). Kjo përshëndetje, në thelb është një lutje për jetë të paqtë dhe të lumtur për tjetrin. Përshëndetja islame, është një urim që njeriu të jetojë në paqe dhe harmoni me veten dhe të tjerët. Përshëndetja me fjalët “mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma etj…” janë të mira, por nuk përcjellin të njëjtin mesazh si përshëndetja islame.

Paqja është përshëndetja e gjithë profetëve
وَسَلَامٌ عَلَى الْمُرْسَلِينَ {Dhe paqja qoftë mbi të Dërguarit!}
Paqja është përshëndetja e besimtarëve në Xhenet
دَعْوَاهُمْ فِيهَا سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَتَحِيَّتُهُمْ فِيهَا سَلامٌ
{Duaja (lutja) e tyre atje do të jetë Subhaneke-Allahum-me (Lavdi të qoftë ty, O Allah!) dhe Selam (paqë, siguri nga çdo e keqe) do të jenë përshëndetjet e tyre atje (në Xhennet).}
Engjujt besimtarët në Xhenet do ti përshëndesin me selam
Edhe në shtëpi kur hyjmë duhet të përshëndesim familjarët me selam (paqe)
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَدْخُلُوا بُيُوتًا غَيْرَ بُيُوتِكُمْ حَتَّى تَسْتَأْنِسُوا وَتُسَلِّمُوا عَلَى أَهْلِهَا ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ
{O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë që s’janë tuajat, derisa të kërkoni leje dhe të përshëndetni ata që janë në to. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të mund të përkujtoni.}
Edhe mbyllja e namazit bëhet me selam (paqe) duke thënë (السّلام عليكم) , kurse direkt pas namazit Profeti a.s na ka mësuar të themi një dua e cila është e lidhur gjithashtu me paqen
“اللهم أنت السلام ومنك السلام تباركت يا ذا الجلال والإكرام”
O Zoti im, Ti je shpëtimi dhe prej Teje është shpëtimi, i Lartësuar qofsh Ti që je i Madhëruar dhe i Nderuar.
Muslimi 1/414.
Allahu na ka mësuar se edhe me ata të cilët nuk janë muslimanë, kur ata kërkojnë paqe, ne duhet t’ja japim këtë paqe .Thotë Allahu:
لَا يَنْهَاكُمُ اللَّهُ عَنِ الَّذِينَ لَمْ يُقَاتِلُوكُمْ فِي الدِّينِ وَلَمْ يُخْرِجُوكُمْ مِنْ دِيَارِكُمْ أَنْ تَبَرُّوهُمْ وَتُقْسِطُوا إِلَيْهِمْ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ
{Allahu nuk ju ndalon që ju të bashkëpunoni në drejtësi e mirësi me ata të cilët nuk ju luftuan për çështje të fesë dhe nuk ju dëbuan nga shtëpitë tuaja. Vërtet që Allahu i do ata që bashkëpunojnë me barazi.}
Profeti a.s na ka porositur duke thënë : “أفشوا الســــــــلام بينكم” përhapni selamin midis jush.
Islami është fe e pastër që përputhet me natyrshmërinë e pastër të njeriut! Islami është feja që i liroi njerëzit nga barrët e rënda dhe nga vështirësitë që i kishin më herët, si mëshirë dhe bamirësi, prej anës së Allahut.

Islami është fe që Allahu me të e themeloi sistemin shoqëror të ndërlidhur si bashkëlidhja në ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin, ashtu si erdhi në hadithin që e përcjell Numan ibën Beshir, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, ku thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shembulli i besimtarit në dashurinë, mëshirën dhe miqësinë që kanë mes tyre është si shembulli i trupit; kur lëngon një organ në të, lëngon i gjithë organizmi”.

Ebu Musa el Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Besimtari me besimtarin janë si ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin (dhe i lidhi gishtat e tij)”.

Islami është fe që Allahu me të i mbrojti shpirtrat, dhe pasuritë, dhe mendjet dhe nderin! E ndaloi vrasjen e një shpirti, të cilin e ndaloi Allahu vrasjen e tij, përveç se atëherë kur e jep feja! E bëri të ndaluar cenimin e nderit të ndokujt, dhe e bëri të ndaluar përdorimin e çdo gjëje që e dëmton trurin dhe mendjen e njeriut, si, drogën, cigaren, alkoolin, etj! E ndaloi ngrënien e pasurisë në të kotë, me të gjitha format dhe ngjyrat e saj, dhe ia mbrojti çdo njeriu të drejtën e vet, dhe ia qartësoi detyrimet e tij, dhe caktoi ligje dhe rregulla, për t’i mbrojtur të drejtat e njerëzve, dhe ia ngriti vlerën dhe ia mbrojti krenarinë!
Islami është fe që Allahu me të i ngriti bazat e drejtësisë në mesin e të gjitha krijesave, musliman apo jo musliman, arab apo jo arab, të zi apo të bardhë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh, dhe e bëri që takvaja për Allahun të jetë baza e epërsisë mes tyre: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë”. Huxhurat 13.
اللهم إنّا ندعوك باسم السّلام وأنت السّلام أن تحوّل قلوبنا إلى السّلام.
بارك الله لي ولكم في القرآن العظيم ونفعني وإياكم بما فيه من الآيات والذكر الحكيم وبسنّة نبيّه الكريم (ص) أقول قولي هذا وأستغفر الله لي ولكم، فاستغفروه إنّه هو الغفور الرحيم.
————-
الحمدلله رب العالمين، وأشهد أن لا إله وحده لا شريك له، وأشهد أن سيدنا محمداً عبده ورسوله، اللهم صل وسلم وبارك على سيدنا محمدٍ وعلى آله وعلى أصحابه أجمعين، والتابعين لهم بإحسانٍ الى يوم الدين
Vëllezër të nderuar !
Siç e pamë Islami dhe paqja nuk mund të ndahen asnjëherë, sepse Islam do të thotë paqe dhe paqe do të thotë Islam.
Muslimanët e drejtë ata të cilët zbatojnë udhëzimet e Allahut dhe të Profetit a.s padyshim që kanë qenë , janë dhe do të jenë njerëzit më paqësorë, më të drejtë, më të mëshirshëm, me veten e tyre dhe me të tjerët.

Historia islame dëshmon shembuj të shkëlqyer të paqes dhe tolerancës që zënë fill që me paqen e Hudejbies. Allahu e quajti fitore shmangien nga lufta, e quajti fitore megjithëse kushtet e marrëveshjes nuk ishin në favor të myslimanëve.

Çlirimi i Mekës, kur në pozita triumfuese Profeti a.s. hyri kokulur dhe u siguroi paqen të gjithë banorëve të saj që e kishin luftuar dhe torturuar, tregon më së miri këtë qëllim të madh të Islamit.

Hakmarrja është cilësuar si veti e dobët dhe myslimani nxitet të zgjedhë faljen. “Trego mëshirë dhe fal, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit.” (A’raf,199)

E ku ka nxitje më të mirë për falje dhe tolerancë sesa thënia e Profetit: “Ditën e gjykimit një thirrës do të thërrasë: le të ngrihen ata shpërblimi i të cilëve është tek Allahu, dhe nuk ngrihen përveçse ata që kanë falur ata që i kanë keqtrajtuar.”

Ebu Bekri, kalifi i parë, -Allahu qoftë I kënaqur me të- u kërkoi njerëzve të tij që të zbatojnë drejtësinë dhe të mbajnë qëndrime toleruese në këto vende. Të gjitha këto qëndrime ishin në përputhje me vlerat e Kuranit. Ebu Bekri i dha urdhrin e mëposhtëm ushtrisë së tij, në ekspeditën e parë të Sirisë:
“Ndaluni, o njerëz, që të mund t’ju jap dhjetë rregulla për t’i mbajtur në mend e në zemër. Mos tradhëtoni, as mos iu largoni rrugës së drejtë! Ju nuk duhet të gjymtoni, as të vrisni fëmijë, burra të moshuar apo gra. Mos shkulni pemët e hurmave arabe, as mos i digjni ato me zjarr! Mos prisni asnjë pemë frutore! Mos therrni asnjë kafshë nga tufa e deveve, përveç atyre që ju duhen për të jetuar! Ka mundësi të kaloni pranë njerëzve që ia kanë përkushtuar jetën e tyre shërbimit në manastire. Lerini ata të qetë në atë që janë përkushtuar! Ka mundësi, gjithashtu, të gjeni njerëz që do t’ju dhurojnë ushqime të çfarëdollojshme. Mund të hani, por mos harroni të përmendni emrin e Allahut!”

Myslimanët sunduan në Spanjë rreth 800 vjet. Gjatë kësaj kohe nuk ka të dhëna për ushtrim dhune ndaj popullsisë vendase në mënyrë që t´i detyrojë ata të konvertojnë në islam. Në islam ekziston parimi i lirisë së fesë e cila është e garantuar. Në Kuran thuhet: „Nuk ka dhunë në besim”. Kurani fisnik (2:256).
Myslimanët janë të mendimit se besimi duhet të burojë nga brenda njeriut, nga thellësia e shpirtit të tij, prandaj dhe nuk ka kuptim ushtrimi i dhunës për ta detyruar atë të ndryshojë besimin.

Gjithashtu një shembull tjetër i lartë i paqes, mëshirës dhe tolerancës është qëndrimi që ka mbajtur Sulltan Mehmet (Muhamed) Fatihu ndaj klerikëve katolik të Bosnjës. Në fermanin (Dekret me shkrim i Sulltanit ) për liritë fetare të klerikëve katolik të Bosnjes, ai shkruan:
“Unë Fatih Sulltan Mehmet Han, me bamirësi i urdhëroj klerikët katolikë të Bosnjes, të adhuroni pa frikë në kishat e juaja dhe të qëndroni pa frikë në vendin tuaj. Askush nga vezirët e as nga nëpunësit e mi, nuk do të cenojë dinjitetin tuaj dhe nuk do të ofendoheni. Betohem në emër të Allahut, se jetërat pasuria dhe kishat e juaja, do të jenë nën sigurinë time, derisa të më mbeteni besnik.”

Ky pra është Islami fe e paqes, drejtësisë, bujarisë, mëshirës!

Këta janë muslimanët e vërtetë paqedashës, të mëshirshëm, të drejtë, trima dhe krenarë.
Pra , miqësia, vëllazëria, paqja dhe dashuria janë bazat e moralit kuranor dhe muslimanët përpiqen që të mishërojnë pikërisht këto virtyte të larta.

Armiqtë e Islamit dhe të paqes kanë dashur dhe duan ta shuajnë dritën e All-llahut, pra fenë Islame si dhe librin e Allahut, e cila është një mrekulli, por ata asnjëherë nuk mund të kenë sukses për të ndryshuar themelet e fesë së Islamit, e lëre më për të shuar dritën e Allahut, sepse Allahu dëshiron që ta përsosë dritën e Islamit edhe pse pabesimtarët e urrejnë këtë.

{Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e All-llahut, e All-llahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij ndonëse jobesimtarët e urrejnë. (At-Tawbah:32) }

Një prej dijetarëve në tefsirin e këtij ajeti shkroi: “All-llahu përpjekjet e tyre të devijuara për të shuar Islamin i krahason me njerëzit që u përpoqën ta shuajnë dritën e Diellit në mes të ditës dhe dritën e hënës së plotë, që do të thotë se përpjekja e njerëzve për të shuar të vërtetën reale është e kotë. “
اللهم أعز الإسلام والمسلمين اللهم انصر دينك وكتابك وسنة نبيك وعبادك المؤمنين ,,,
O Allah na jep paqe në zemrat tona, në familjet tona, në vendet tona dhe në gjithë botën anembanë!
O Allah lartëso çdokënd që lartëson fenë Tënde dhe poshtëro çdokënd që mundohet të shuajë Dritën Tënde!
O Allah na mëshiro ne, prindërit tanë dhe gjithë muslimanët dhe muslimanet kudo qofshin!
O Allah bashkoi muslimanët rreth një fjale të vetme të vërtetë La ilahe il-lall-llah Muhamedur-resulull-llah!
Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin a.s pasi Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit