23.4 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

Ish-prifti afrikan që u konvertua në Islam pas një ëndrre të pazakontë

Më të lexuarat

Rrëfimi i një përvoje prej aty ku gjithsesi Jezusi ishte profet e jo Zot

Një ish-prift nga Republika e Afrikës së Jugut, i cili u konvertua në Islam vitin e kaluar, pas të cilit zgjodhi emrin Ibrahim Richmond, tha se u bë musliman pas një ëndrre shumë të pazakontë, transmeton Anadolu.

Ky ish-prift u konvertua në Islam së bashku me 1500 anëtarë të tjerë të komunitetit ndërsa ishte udhëheqës i Kishës Korinthiane, e cila ka rreth 100,000 anëtarë në Afrikën e Jugut.

“Ne nuk ishim në dijeni për profetin e fundit të Allahut, Muhamedin dhe nuk dinim mjaftueshëm as për librin e Kuranit”, tha ai.

Nga 60 milionë banorët e Republikës së Afrikës së Jugut, më shumë se 80 për qind janë të krishterë dhe rreth dy për qind janë muslimanë.

Në këtë vend, shumica e muslimanëve janë me origjinë aziatike, kështu që muslimanët me origjinë afrikane janë shumë të rrallë në mesin e popullsisë atje.

Ibrahim Richmond, ish-udhëheqësi i kishës së Korintit, në një intervistë për Anadolu, ka treguar se si u konvertua në Islam.

Kisha Afrikane me Gjysmëhënë dhe Yll

Ai tha se Kisha Korinthiane, e themeluar në vitet 1950, është një kishë lokale afrikane në rajonin KwaZulu Natal me rreth 100 mijë ndjekës.

Ai theksoi se doktrina e kësaj kishe është e ndryshme nga sektet e tjera të krishtera.

Siç tha ai, kjo kishë mbron besimin në një Zot, e konsideron Jezusin si profetin e fundit, ndjekësit e saj nuk hanë mish derri dhe këpucët nuk lejohen në vendet e tyre të adhurimit.

Gjithashtu, është interesant se simboli i kishës së Korinthit është një yll dhe një gjysmëhënë.

“Gjyshi im Abdel ishte musliman. Babai im Johannes, themeluesi i kishës, ishte një person që ndoqi gjurmët e profetit Abraham (Ibrahim). Ai nuk e ka parë kurrë babanë e tij, por ka zgjedhur simbolin e yllit dhe gjysmëhënës për kishën sepse e ka mësuar nga nëna e tij”, tha Ibrahimi.

Konvertimi në Islam

Ai tha se u konvertua në Islam pas një ëndrre të çuditshme.

“Një natë, teksa flija në kishë, pashë një ëndërr. Kam dëgjuar vetëm një zë në ëndërr, nuk kam parë njeri. Zëri në ëndërr donte që komuniteti im fetar të vishej në të bardha. Një ditë tjetër, e njëjta ëndërr, i njëjti zë. Në orët e para të ditës së nesërme ka ndodhur sërish e njëjta gjë, por këtë herë zëri ka qenë mjaft agresiv. Po atë ditë i njoftova besimtarët e mi për këtë rast. Nuk dija çfarë të bëja, por disi arrita të merrja guxim dhe të bisedoja me ta për ëndrrën”, tha ai.

Ai theksoi se anëtarët e komunitetit të tij të atëhershëm e mbështetën dhe e dëgjonin.

“Pastaj, një ditë, ndërsa isha duke u përgatitur për një ceremoni të madhe në kishë, një nga priftërinjtë e mi erdhi tek unë dhe më tha se kishin ardhur disa muslimanë. Ata pyetën pse e përdorim simbolin musliman. Kur këta njerëz erdhën tek unë, m’u kujtua ëndrra dhe pashë se çfarë kishin veshur. Kuptova se këta ishin njerëzit e përmendur në ëndërr. Atëherë e kuptova që ëndrra ime ishte realizuar”, tha ai.

Pas kësaj ai vendosi të konvertohej publikisht në Islam.

“Njerëzit në komunitetin tonë më pas thanë ‘ndiq ëndrrën tënde, ne të mbështesim deri në fund’ dhe në një ceremoni ku morën pjesë rreth 1,500 njerëz atë ditë, ne thamë Shehadetin së bashku, duke shpallur publikisht përkatësinë tonë me Islamin.”

Islami dhe aparteidi

Siç tha ai, muslimanët në mesin e njerëzve me origjinë afrikane, të cilët përbëjnë më shumë se 80 për qind të popullsisë së vendit, janë një gjë e rrallë për shkak të pasojave të regjimit racist të aparteidit në Afrikën e Jugut.

“Gjatë aparteidit, vëllezërit tanë muslimanë nuk u lejuan të vinin dhe të predikonin për besimin e tyre. Ata kishin shumë pak mundësi të vinin tek ne për të folur për profetin e fundit Muhamed dhe Islamin. Nuk ishte faji i tyre”, theksoi Ibrahimi.

Ai vëren në fund se gjithnjë e më shumë afrikanë po përqafojnë Islamin vitet e fundit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit