8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Interesi i përgjithshëm dhe ai individual – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Mjafton t’i hedhësh një vështrim të shpejtë historisë së shqiptarëve dhe do të vësh re me lehtësi se interesi i ngushtë klanor e individual ka qenë tipar i theksuar i tyre. Sigurisht që ka pasur faktorë të shumtë dhe të fortë gjeografik, historik, politik, ekonomik dhe fetar që kanë ndikuar në formimin e këtij karakteri dhe kësaj kulture, që përgjithësisht ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e jetës tek shqiptarët dhe krijimin e një shteti të dobët tek ata.

Epoka moderne me eksperimentet dhe industrinë e saj sociale, siç qe ai ekstrem komunist që shqiptarët përjetuan, tentoi t’iu edukonte shqiptarëve me dhunë një frymë ekstreme kolektiviste, por që në realitet krijoi klane të reja dhe nuk arriti t’i zhduk të vjetrat, realitet ky që u bë i dukshëm menjëherë pas kolapsit të atij sistemi. Ardhja në pushtet e demokracisë liberale vetëm se e shtoi edhe më shumë këtë prirje gati të natyrshme të arnautëve, të cilët e përthithën shumë shpejt frymën individualiste të epokës, që është nga karakteristikat e saj të theksuara, ndryshe nga çdo epokë e mëparshme.

Të formësuar me këtë frymë dhe këtë tabiat tepër të fortë, shqiptarët e kanë goxha të vështirë të përfytyrojnë saktë sesi funksionon më së miri shoqëria dhe nga kjo nuk bëjnë përjashtim askush, as vetë besimtarët në Zot, të cilët paramendohet se feja i vëllazëron e i lidh edhe më shumë mes tyre.

Të tromaksur nga prona socialiste shtetërore dhe ndërmarrjet e kooperativat bujqësore, që ishin njëkohësisht të të gjithëve dhe të askujt, pa harruar këtu edhe tabiatin dhe frymën e epokës ku jetojmë, shqiptarët nuk besojnë në thellësi të shpirtit tek interesi i përgjithshëm edhe pse sipërfaqësisht e teorikisht e pranojnë atë.
Nisur pikërisht nga kjo mendësi individualiste e skajshme, është e kuptueshme pse konceptimi i interesit të përgjithshëm është i mangët dhe defektoz, sepse ai paramendohet se është thjesht shuma mekanike e interesave individuale të gjithsecilit. Por, ashtu siç shoqëria njerëzore nuk është vetëm një shumë e thjeshtë matematike e individëve që e përbëjnë atë, ashtu edhe interesi i përgjithshëm nuk përmbushet duke plotësuar interesin e gjithsecilit individë më vete, më parë.

Shoqëria njerëzore para se të jetë një shumë matematike individësh është një shumë marrëdhëniesh, lidhjesh, strukturash, hierarkish sociale, besimesh dhe aspiratash të përbashkëta, pa të cilat shoqëria nuk funksionon. Një grumbull i madh njerëzisht, që nuk bashkëveprojnë me njeri-tjetrin në bazë të një strukture dhe hierarkie sociale dhe nuk kanë këta elementë që përmendëm, nuk përbëjnë një shoqëri njerëzore edhe nëse janë me mijëra dhe jetojnë pranë njeri-tjetrit, sepse atyre u mungon kohezioni social, pa të cilin nuk ekziston dot shoqëria.

Për ta kuptuar më mirë këtë gjë mjafton t’i hedhim sytë tek ato vende dhe shoqëri të tjera, të cilat kanë ngritur shtete dhe shoqëri të zhvilluara, ku e përbashkëta është e shtetit dhe e individëve njëkohësisht, ku interesit i përgjithshëm shihet edhe si interes individual, ku e mira e përgjithshme nuk ndahet nga ajo individuale, ku sakrifica për të përbashkëtën është sakrificë edhe për individualen njëkohësisht. Një shoqëri të suksesshme nuk e bëjnë vetëm individët e suksesshëm, sepse ne si shqiptarë kemi mjaft të tillë dhe përsëri vuajmë si shoqëri dhe komunitete, por e bënë pikërisht ndjenja e fortë e bashkësisë, solidariteti dhe kohezioni solid shoqëror, përkatësia e fortë identitare e cila nuk mund të jetë kurrë individualiste.

Nëse i referohemi Ibn Haldunit në këtë drejtim, është pikërisht ajo që ai e emërton si ‘asabije’, pra besnikëria dhe solidariteti social, ajo që e bën shumë më tepër të suksesshme një shoqëri sesa thjesht individët e saj gjenial. Këtu qëndronte edhe një nga sekretet e suksesit të Profetit (alejhi salatu ue selam) sipas tij, sepse me ndihmën e Zotit përmes besimit dhe normave të Tij, nga një shoqëri kryesisht nomade tejet klanore dhe të përçarë në kulm, ai i dha formë një shoqërie tepër solide, ku identiteti dhe përkatësia islame dhe njëkohësisht interesi i përbashkët i besimit u bë kauzë e fiseve dhe individëve.

Kështu që shprehja ‘bashkimi bën fuqinë’ nuk ka për qëllim thjesht një bashkim numerik sa më të madh, por mbi të gjitha bashkim bindjesh, besimesh, aspiratash, identiteti, përkatësie dhe interesash të përbashkëta, të cilat nuk e shtypin individin në interes vetëm të të përgjithshmes që nuk i takon askujt (në realitet i takon vetëm disave), por ku interesi i përgjithshëm dhe ai individual janë të pandarë nga njeri-tjetri. Shprehja ‘një për të gjithë dhe të gjithë për një’ -të cilin komunizmi edhe pse e përdorte dendur dështoi ta aplikonte- e jep më së miri këtë ide.

Interesi i përgjithshëm nuk arrihet duke përmbushur dhe plotësuar së pari vetëm atë individual, por duke punuar njëkohësisht për të dyja, sepse ato nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra, jo në kuptimin ideologjik marksistë të fjalës, por në realitetin jetik të fjalës. Kështu që sakrifica për të përgjithshmen dhe të përbashkëtën, për atë që është në interes të bashkësisë, është njëkohësisht edhe sakrificë për vetjaken dhe individualen. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një bashkësi, komunitet dhe shoqëri të suksesshme.

Prirja individualiste dhe klanore, sheh vetëm interesin e individit apo klanit si parësore dhe atë të përgjithshme vetëm si pasojë e kësaj, ndërkohë që krijon gjithmonë e më shumë konkurrencë të egër e të pamoralshme individuale, ku interesi privat dhe individual është fokusi i vetëm i njeriut i ndarë në thelb nga ai i përbashkët. Kjo është edhe arsyeja pse ne shqiptarët -dhe jo vetëm- nuk e duam shtetin dhe duam vetëm t’ia hedhim dhe të marrim prej tij, qoftë edhe në mënyrë të pandershme, sepse e shohim atë si mjet në duart e individëve apo klaneve për të përfituar në kurriz të individëve apo klaneve të tjerë. Dhe i tillë vazhdon të jetë në fakt edhe sot e kësaj dite.

Sigurisht për shkak të asaj që kemi vuajtur nga zbatimi i teorisë marksiste-leniniste, na duhet të sqarojmë se këtu nuk kemi nëpër mend një shoqëri ku të gjithë janë të barabartë, sepse individët nuk janë kurrë të barabartë dhe vendosja e barazisë së imponuar në çdo gjë do të ishte padrejtësi dhe shkatërrim i individit dhe i vetë shoqërisë dhe interesit të saj të përbashkët, por thjesht po sqarojmë atë model shoqërie të suksesshme që ka ekzistuar edhe më parë, ku interesi i përbashkët dhe ai individual gërshetohen natyrshëm pa i hyrë në hak njeri-tjetrit.

E ulur në shembuj konkret të prekshëm kjo që thamë, i ngjan një pallati, lagje apo fshati ku jetojnë shumë individë dhe familje, të cilët krahas interesit vetjak dhe familjar duhet të kujdesen edhe për atë komunitar, sepse mungesa e sigurisë, dritave, e ujit, rrugës, etj. i prek të gjithë pa përjashtim, dhe nëse një shtëpie i bie flaka as shtëpitë e tjera nuk mund të shpëtojnë pa u dëmtuar. Po kështu edhe nëse administratori i pallatit ose i lagjes, apo kryeplaku i fshatit sëmuren, apo dalin nga binarët pasojat do t’i vuajnë të gjithë, ndaj dhe shëndeti dhe përmirësimi i parisë është i rëndësishëm për të gjithë. E nëse kjo vlen për bashkësi të vogla njerëzish ajo vlen po ashtu edhe për komunitete të mëdha dhe për shtetin.

Të gjithë e kuptojmë dhe jemi të vetëdijshëm për pasojat e dëmshme të egoizmit individual dhe klanor, por nuk jemi ndërkohë aq të vetëdijshme për premisat e gabuara që na kanë sjellë deri këtu, ndaj dhe vazhdojmë të kemi të njëjtat probleme si shoqëri, qoftë edhe në organizimin më të vogël komunitar.

Me të drejtë dikush mund të thotë se deri këtu nuk kemi thënë asgjë të re, nga ato që nuk dihen. Po është e vërtetë, sepse qëllimi nuk është aspak të themi diçka të re, edhe pse trajtimi mund të duket i tillë, për shkak se të vërtetat universale që e kanë shoqëruar njeriun dhe shoqërinë njerëzore që nga lindja e saj të tilla janë të pandryshueshme, thjesht na duhet t’i ritheksojmë ato në çdo epokë me gjuhën e kohës.

Atëherë pyetja lind nga duhet t’ia nisim?

Ky shkrim pikërisht këtë trajton, nisjen nga ndryshimi i konceptimit mendor që kemi për shoqërinë dhe interesin e përbashkët dhe atë individual dhe gjetja e rrugëve më të mira për ndryshimin e tij në praktikë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit