12.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Ibrahimi dhe Sara me tiranin

Më të lexuarat

Ky rrëfim na shpjegon se si Allahu i Lartësuar e ka mbrojtur Ibrahimin dhe bashkëshorten e tij Sarën, kur njëri nga sundimtarët zullumqarë deshi ta njolloste nderin e saj dhe e kërcënoi atë. Ibrahimi u strehua tek Allahu, bënte dua dhe i lutej Atij. Sara i përgjërohej Zotit të saj, andaj dhe Allahu e ndëshkoi zullumqarin, dhe intrigat e tij i ktheu kundër tij. Allahu ruajti Ibrahimin alejhi selam dhe bashkëshorten e tij.

Allahu është i Plotfuqishëm që të mbrojë të dashurit e Tij dhe të poshtërojë armiqtë e Tij në çdo kohë dhe në çdo gjeneratë.

 

Hadithi

Buhariu transmeton në Sahihun e tij:

Transmetohet nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, i cili thotë: Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Ibrahimi alejhi selam u shpërngul me Sarën, udhëtoi dhe bashkë me të hyri në një fshat, në të cilin gjendej një nga mbretërit, apo një nga tiranët. Është thënë (para atij tirani): Ibrahimi hyri me një grua, ajo qenka më e bukura ndër femrat. Ai (mbreti tiran) dërgoi (një person) duke i thënë: O Ibrahim, kush është kjo (femër) që është me ty? Ai (Ibrahimi) tha: Është motra ime. Pastaj iu kthye asaj (Sarës) duke i thënë: Mos e përgënjeshtro thënien time! Unë u thashë atyre se ti je motra ime. Pasha Allahun, mbi tokë s’ka asnjë besimtarë tjetër përveç meje e teje. Ai (Ibrahimi sipas urdhëresës) e dërgoi atë (Sarën) tek mbreti. Ai u ngrit në drejtim të saj, ndërsa ajo mori abdes dhe lutej, thoshte: O Allahu im, nëse të kam besuar vetëm Ty dhe të Dërguarin Tënd, dhe e kam ruajtur avretin tim (organin gjenital), përveç se me burrin tim, atëherë mos lejo që jobesimtari të dominojë mbi mua. Atëherë ai u ngatërrua-dënua (u bllokua-iu zu fryma) sa që (nga sikleti) rrapëllonte me këmbën e tij (në tokë)[1].”

El-A’rexh thotë: Ebu Seleme bin Abdurrahman ka thënë:

Ebu Hurejre thotë: “Ajo (Sara) tha: O Allahu im, nëse ai vdes do të thonë: Ajo e ka mbytur (prandaj ai u lirua). (Ajo) përsëri u dërgua tek ai (tirani). Ai sapo u ngrit në drejtim të saj, ajo mori abdes dhe lutej e thoshte: O Allahu im, nëse të kam besuar vetëm Ty dhe të Dërguarin Tënd, dhe e kam ruajtur avretin tim (organin gjenital), përveç se me burrin tim, atëherë mos lejo që jobesimtari të dominojë mbi mua. Atëherë ai u ngatërrua (u bllokua-iu zu fryma) sa që (nga sikleti) rrapëllonte me këmbën e tij (në tokë).”

Abdurrahman thotë: Ebu Seleme ka thënë:

Ebu Hurejre ka thotë: “Ajo (Sara) tha: O Allahu im, nëse ai vdes do të thonë: Ajo e ka mbytur (prandaj ai u lirua). (Ajo) përsëri u dërgua tek ai (tirani) për së dyti herë, apo për së treti herë, dhe ai pastaj tha: Për Zotin, nuk më keni sjellur tjetër gjë, përveçse një shejtan. Merreni këtë dhe kthejeni te Ibrahimi, jepjani asaj Axheren.[2] Ajo u kthye te Ibrahimi alejhi selam dhe tha: A e ndjeve se Allahu e poshtëroi jobesimtarin[3] dhe na dha një shërbëtore (robëreshë).”

Në një transmetim tjetër në Sahihun e Buhariut thuhet:

Transmetohet nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, i cili thotë: “Ibrahimi, alejhi selam, nuk ka gënjyer[4] përveç se në tre raste. Dy prej tyre kanë të bëjnë me Allahun e Lartësuar,[5] si Fjala e Tij:

“Unë jam i sëmurë!” (Saffatë, 89)

Dhe Fjala e Tij:

“Jo, por atë e bëri i madhi i tyre.” (Enbija, 63)

Ai thotë: “Përderisa një ditë ai me Sarën erdhën te një nga tiranët (në vendin e tij). I është thënë atij (tiranit): Këtu është një njeri e që me të është një grua, ajo qenka më e bukura ndër njerëz. Ai (tirani) dërgoi (një person) për të pyetur për të, e i tha: Kush është kjo? Ai (Ibrahimi) tha: Është motra ime. Pastaj (Ibrahimi) erdhi te Sara dhe i tha: Oj Sara, në fytyrën e tokës nuk ka besimtarë tjetër përveç meje e teje. Ky (person i mbretit) më pyeti për ty, e unë i thashë se ti je motra ime, andaj mos më përgënjeshtro. E dërgoi atë tek ajo. Kur ajo hyri (brenda) tek ai, ai filloi ta prekte me dorë dhe u ngatërrua-dënua (duke u bllokuar). Ai i tha asaj: Lute Allahun për mua se nuk do të të ngacmoj më. Ajo e luti Allahun, dhe ai u lirua. Por, ai përsëri për së dyti herë tentoi ta prekte atë dhe u ngatërrua ngjashëm si më parë, apo ndoshta edhe më shumë. Përsëri i tha asaj: Lute Allahun për mua se nuk do të të ngacmoj më. Ajo e luti Allahun, dhe ai u lirua. Pas kësaj, ai thirri disa nga rojat e tij duke u thënë: Ju nuk më keni sjellë njeri, ju më keni sjellë një shejtan. E largoi dhe ia dha për shërbëtore Haxheren. Ajo erdhi te ai (Ibrahimi), ndërsa ai ishte duke u falur, dhe ia bëri asaj me shenjë me dorë: Çka, ndodhi? Ajo pastaj i tha: Allahu ktheu kurthet e jobesimtarit, apo zullumqarit, kundër tij, në fytin e tij, dhe na e dha Haxheren (si shërbëtore).”

Ebu Hurejre tha: “Kjo është nëna e juaj, o ju bijtë e ujit të qiellit.[6][7]

 

Shpjegimi i hadithit

Ibrahimi, alejhi selam, bashkë me gruan e tij, u largua nga atdheu i tij pasi që populli i tij e hodhi në zjarr dhe e shpëtoi Allahu i Lartësuar nga kjo sprovë. Ai u vendos në një vend të largët, ku nga banorët e atij vendi s’kishte përkrahës. Në raste të tilla njerëzit tiranë dhe zullumqarë i dëshirojnë dhe atakojnë njerëzit e tillë (pa përkrahje). Ibrahimi u përballë me këtë kur u vendos në vendin e një mbreti tiran. Në prezencën e tij u përmend ardhja e Ibrahimit në tokën e tij i shoqëruar nga një femër e bukur që ishte më e bukura ndër femrat e botës.

Metoda dhe shprehia e tyre, në rast se dëshironin (lakmonin) një femër, ta sulmonin (ta heqnin qafe) burrin e saj nëse ishte e martuar. Por nuk i ngucnin të afërmit e saj nëse ajo ishte e pamartuar. Për këtë arsye Ibrahimi i tha të dërguarit të atij mbreti, kur e pyeti për Sarën, se ajo ishte motra e tij, në mënyrë që të shpëtojë nga sulmi i tij. Ibrahimi e dërgoi gruan e tij tek ai tiran, ashtu siç iu kërkua atij, ai e bëri këtë me besimin e plotë në Kujdesin dhe Mbrojtjen e Allahut, dhe pasi që e porositi atë që të mos i tregojë mbretit për lidhjen e tyre të vërtetë. Ibrahimi ia shpjegoi asaj aspektet e kësaj thënie dhe mendimin e tij lidhur me këtë: Se ajo ishte motra e tij në Islam, ku nuk kishte besimtarë tjerë në sipërfaqen e tokës përveç atyre dyve.

Edhe pse Ibrahimi, alejhi selam, e komentoi thënien e tij se Sara është motra e tij në iman dhe në Islam, ai megjithatë do të arsyetohet në Ditën e Gjykimit për të mos bërë shefat (ndërmjetësim), atë ditë kur njerëzit kërkojnë nga ai që të ndërmjetësoj për ta te Zoti i tyre dhe të gjykojë mes tyre. Ai do të arsyetohet me faktin se ka bërë tre gënjeshtra në jetën e tij, e ato janë:

Rasti i parë: Është fjala e tij ndaj popullit të tij:

“Unë jam i sëmurë!” (Saffatë, 89)

Me rastin kur ata e ftuan që të marrë pjesë në festat e tyre politeiste e të kota.

Rasti i dytë: Është fjala e tij:

“Jo, por atë e bëri i madhi i tyre.” (Enbija, 63)

Me rastin kur i theu idhujt dhe e la vetëm idhullin e madh duke ia varur sëpatën në qafën e tij. Ai u thoshte se ky idhull i ka thyer idhujt e vegjël.

Rasti i tretë: Është thënia e tij  ndaj tiranit, në këtë rrëfim, se Sara është motra e tij për ta mbrojtur veten e tij nga tirania e zullumqarit dhe sulmi.

Ibrahimi e dërgoi bashkëshorten e tij tek tirani, ndërsa ai vet u strehua te namazi për t’u falur dhe e luste Zotin e tij. Ai strehohej tek Ai dhe kërkonte mbrojtjen e Tij. Allahu i Lartësuar e nderoi robin e Tij të dashur duke ruajtur bashkëshorten e tij Sarën, sikur që e ruajti edhe vetë Sarën. Sa herë që tirani ngritej në drejtim të Sarës, sapo ajo futej tek ai, duke dëshiruar për ta bërë për vete, ai dënohej rëndë duke u bllokuar dhe duke iu zënë fryma, sa që nga vuajtja e sikleti i mëshonte tokës me këmbë. Kjo i ndodhte atij pasi Sara i lutej Zotit të saj dhe kërkonte që ta shpëtonte nga intriga dhe sherri i tij. Mirëpo, ajo frikësohej për veten e saj në rast se ai vdiste, sepse do ta akuzonin pastaj se ajo e ka vrarë e thoshte: “O Allahu im, nëse ai vdes do të thonë: Ajo e ka mbytur (prandaj ai u lirua).” Allahu e lironte atë (tiranin) pasi ai kërkonte nga Sara që ta luste Allahun për ta liruar nga dënimi dhe i premtonte se nuk do ta ngacmonte më.

Mirëpo kur ajo u dërgua tek ai përsëri, ai nuk e mbajti premtimin, nuk e përmbajti epshin dhe u ngrit në drejtim të Sarës për ta bërë për vete, por edhe kësaj here e kapi dënimi, madje më shumë se herën e kaluar. Atëherë ai përsëri kërkoi nga ajo që ta luste Allahun për ta shpëtuar duke i premtuar përsëri se nuk do ta ngacmonte më. Ajo e tha lutjen e saj të mëhershme drejtuar Allahut:

“O Allahu im, nëse ai vdes do të thonë: Ajo e ka mbytur (prandaj ai u lirua).”

Pas herës së dytë, apo të tretë, ai i thirri rojet e tij dhe i urdhëroi që ta kthejnë Sarën te Ibrahimi, pra shëndosh e mirë dhe e begatuar. Ai (tirani) e kuptoi se ajo ishte e mbrojtur dhe nuk kishte mundësi t’i bënte gjë. E ktheu atë dhe ia dha me vete një shoqëruese, Haxheren, si dhuratë nga ai tiran zullumqar. Haxherja është nëna e Ismailit, të cilën Sara pastaj ia dhuroi Ibrahimit, i cili ka fjetur me të.

Shënohet në “El-Mustedrek” të autorit El-Hakim dhe në “Mushkil el-Athar” të autorit Et-Tahavij se i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kur ta çlironi Egjiptin, silluni mirë me kiptasit, ngase ndaj tyre keni përgjegjësi (marrëveshje për mbrojtje të dhimive në shtetin islam) dhe farefisni.” [8]

Ndërsa në Sahihun e Muslimit ka ardhur me shprehjen:

“Ju do ta çlironi Egjiptin, dhe në të është një vend që quhet El-Kirat, kur ta çlironi atë, atëherë silluni mirë me banorët e tij, sepse ndaj tyre keni përgjegjësi (marrëveshje për mbrojtje të dhimive në shtetin islam) dhe farefisni.”

Apo ka thënë:

“Përgjegjësi (marrëveshje për mbrojtje të dhimive në shtetin islam) dhe miqësi.”[9]

Synimi i të Dërguarit të Allahut me përgjegjësinë (marrëveshjen për mbrojtje të dhimive në shtetin islam), farefisninë dhe miqësinë për banorët e Egjiptit është fakti se nëna e Ismailit është prej tyre. Ndërsa i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është prej kësaj origjine.

 

Ky rrëfim përmendet edhe në Tevrat

Ky rrëfim përmendet edhe në Tevrat (Dhjata e Vjetër), në Kapitullin 12 të Zanafillës. Në të thuhet:

“Por në vend pati zi buke dhe Abrami zbriti në Egjipt për të banuar, sepse në vendin e tij ishte zi e madhe buke.

Por ndodhi që kur po hynin në Egjypt ai i tha Sarajt, gruas së tij:

“Ja, unë e di që ti je një grua e pashme; dhe kështu kur Egjiptasit do të të shohin, kanë për të thënë: “Kjo është gruaja e tij”; do të më vrasin mua, por do të lënë të gjallë ty. Të lutem thuaj që je motra ime, me qëllim që mua të më trajtojnë mirë për shkakun tënd, dhe jeta ime të shpëtojë për hirin tënd”.

Në fakt kur Abrami arriti në Egjipt, Egjiptasit panë që gruaja ishte shumë e bukur. E panë edhe oficerët e Faraonit dhe e lavdëruan para Faraonit; dhe gruan e çuan në shtëpinë e Faraonit. Dhe ai e trajtoi mirë Abramin për shkak të saj. Kështu Abramit i dhanë dele, buaj, gomarë, shërbyes, shërbyese, gomarica dhe deve.

Por Zoti e goditi Faraonin dhe shtëpinë e tij me fatkeqësira të mëdha për shkak të Sarajt, gruas së Abramit.  Atëherë Faraoni thirri Abramin dhe i tha: “Ç’më bëre? Pse nuk më the që ajo ishte gruaja jote? Pse më the: “Është motra ime”? Kësisoj unë e mora sikur të ishte gruaja ime. Ja, pra, ku është gruaja jote; merre me vete dhe nisu!”.

Pastaj Faraoni u dha urdhër njerëzve të tij lidhur me Abramin, dhe këta e nisën atë, gruan e tij dhe gjithçka kishte.”

Ndërsa në kapitullin 20 të Zanafillës tregohet se një tiran tjetër nga mbretërit e Palestinës dëshironte ta marrë Sarën. Por ai e liroi atë pa e prekur fare pasi që atë e kërcënoi Zoti në një ëndërr që e pa. Përmendet se Ibrahimi i ka thënë mbretit se Sara është motra e tij nga babai.

Aty thuhet:

“Abrahami u zhvendos së këtejmi duke vajtur në Negev, dhe banoi në Kadesh dhe në Shur mandej u vendos në Gerar. Tani Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: “Është motra ime”.

Kështu Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz për të marrë Sarën. Por Perëndia iu shfaq Abimelekut në një ëndërr nate dhe i tha: “Ja, ti je duke vdekur, për shkak të gruas që ke marrë, sepse ajo është e martuar”.

Por Abimeleku nuk i ishte afruar asaj dhe tha: “Zot, a do ta shkatërroje një komb, edhe sikur ai të ishte i drejtë? Ai a nuk më ka thënë: “Është motra ime”, dhe ajo vetë ka thënë: “Është vëllai im”? E bëra këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sime dhe me duar të pafajshme”.

Dhe Perëndia i tha në ëndërr: “Po, unë e di që e ke bërë këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sate, ndaj të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje; ndaj nuk të lejova ta prekësh. Tani ktheja gruan këtij njeriu, sepse ai është një profet; dhe do të lutet për ty dhe ti ke për të jetuar. Por, në rast se nuk ia kthen, dije që me siguri ke për të vdekur, ti dhe tërë njerëzit e tu”.

Kështu Abimeleku u zgjua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët e tij dhe u tregoi tërë këto gjëra. Dhe ata njerëz i zuri një frikë e madhe.

Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: “Ç’na bëre? Dhe çfarë kam bërë unë kundër teje që më solle një mëkat kaq të madh si mua ashtu edhe mbretërisë sime? Ti më bëre gjëra që nuk duheshin bërë”.

Pastaj Abimeleku i tha Abrahamit: “Çfarë mendoje të bëje duke vepruar në këtë mënyrë?”.

Abrahami u përgjegj: “E bëra sepse thoja me veten time: “Sigurisht, në këtë vend nuk kanë frikë nga Perëndia; dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime”. Përveç kësaj ajo është në të vërtetë motra ime, bijë e babait tim, por jo bijë e nënës sime; dhe pastaj u bë gruaja ime. Dhe kur Perëndia më çoi të bredh larg shtëpisë së babait tim, unë i thashë: “Ky është favori që do të më bësh; kudo që të shkojmë, do të thuash për mua: Është vëllai im””.

Atëherë Abimeleku mori dhentë, qetë, shërbyesit dhe shërbëtoret, dhe ia dha Abrahamit; dhe i kthehu gruan e tij Sara. Pastaj Abimeleku tha: “Ja, vendi im të qëndron përpara; qëndro aty ku të pëlqen”. Dhe Sarës i tha: “Ja, unë i dhashë vëllait tënd njëmijë copë argjendi; kjo do të shërbejë për të mbuluar fyerjen që të është bërë para të gjithë atyre që janë me ty; kështu je e përligjur para të gjithëve”.

Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbyeset e saj, dhe ato mundën të pjellin. Sepse Zoti e kishte shterpëzuar plotësisht tërë shtëpinë e Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.”

 
Komenti ynë lidhur me atë që përmendet në Tevrat

Kjo që ka ardhur në Tevrat është në pajtim me atë që tregojnë hadithet se ngjarja ka ndodhur në Egjipt. Nuk e dimë nëse shkaku i shkuarjes së Ibrahimit me Sarën në Egjipt ishte skamja e bukës në Palestinë, sikur që përmendet në Tevrat, apo Thirrja për në Rrugën e Allahut.

Fjala e Ibrahimit thënë Sarës: “Ja, unë e di që ti je një grua e pashme;…” është e përafërt me atë që u përmend në tekstin e hadithit.

Hadithi nuk tregon se kjo ngjarje ka ndodhur në kohën e faraonëve. Faraonët kanë sunduar Egjiptin në disa kohë, por jo në të gjitha kohërat. Ajo që ceket në Tevrat se faraoni i dërgoi këtë pasuri të madhe të përbërë nga: dele, buaj, gomarë, shërbyes, shërbyese, gomarica dhe deve, e tëra është e pavërtetë. Ibrahimi sipas urdhrit të mbretit dërgoi Sarën tek ai, dhe pas dërgimit ai filloi të falej dhe nuk i ka ardhur atij nga mbreti asgjë tjetër përveç Haxheres, të cilën mbreti ia dhuroi Sarës. Po t’i kishte dhuruar mbreti Ibrahimit tërë atë që përmendet në Tevrat nuk do ta kishte lënë Shpallja e shpallur te i Dërguari ynë, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, pa e cekur në këtë hadith. Si jo, kur ka cekur diçka që është më pak se kjo, e ajo ishte Haxherja dhuratë për Sarën.

Edhe ajo që e tregon rrëfimi në Tevrat se Allahu e ka dënuar rëndë faraonin dhe shtëpinë e tij për shkak të Sarës, si dhe ftesa e Ibrahimit nga ana e faraonit duke e qortuar atë për shkak se i kishte thënë për Sarën se ishte motra e tij, të cilën faraoni e donte për vete për grua, e tëra kjo është e pavërtetë. Sepse hadithi, të cilin Allahu ia shpalli të Dërguarit të Tij, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tregon se ajo që i ndodhi mbretit tiran ishte zënia e frymës së tij dhe pengimi i tij, njëra pas tjetrës, dhe se ai pas kësaj nuk e kishte ftuar fare Ibrahimin e as nuk e kishte qortuar. Por përkundrazi kishte urdhëruar nxjerrjen e tij dhe të bashkëshortes së tij, e nuk kishte dërguar askënd për t’i përshëndetur  dhe as për t’i përcjellur.

Allahu e di më së miri se sa është i saktë ky versioni i dytë i rrëfimit. Në rast se konsiderojmë se kështu ka ndodhur, shihet qartë se është gënjeshtër që nuk mund të mbulohet. Është një shpifje e ndodhur në këtë libër, ku shpifësit në këtë libër pretendojnë të thonë përmes gjuhës së Ibrahimit se gruaja e tij Sara është motër e tij nga babai. Larg qoftë që Ibrahimi ta marrë motrën e vet për grua. Këtë gënjeshtër e demanton edhe vetë fakti se hadithe të shumta tregojnë qartë se Ibrahimi frikësohet në Ditën e Gjykimit për këto tre raste të gënjeshtrave të tij. E njëra gënjeshtër ishte rasti kur i tha tiranit se Sara ishte motra e tij. Ky është një fakt i qartë se ajo nuk ishte motra e tij nga origjina, por synimi i tij ishte se ajo është motra e tij në Islam, gjë e cila konfirmohet qartë në më shumë se në një hadith.

 

Mësimet, përfitimet dhe dobitë e hadithit

1. Pejgamberët dhe të Dërguarit janë të mbrojtur në bashkëshortet e tyre. Tiranët zullumqarë nuk kanë mundësi të arrijnë te to e as ta njollosin nderin e tyre. Sikur që ndodhi me këtë zullumqar, i cili ia deshi të keqen gruas së Ibrahimit, por Allahu e mbrojti dhe e shpëtoi nga sherri i tij.

2.     Besimtarit i takon që të strehohet tek Allahu i Lartësuar, e Ai i largon brengat dhe belatë. Ibrahimi u strehua në namaz pasi Sara shkoi te zullumqari, por edhe Sara e luti Zotin e saj dhe kërkoi ndihmë nga Ai, i Cili pastaj e mbrojti dhe e ruajti.

3.   Fuqia e Zotit të Plotfuqishëm në ruajtjen e pejgamberëve dhe të dashurve të tij, në përkrahjen e tyre, si dhe në largimin e kurtheve të intrigantëve nga ta.

4.    Nevoja, apo domosdoshmëria, mund ta detyrojë muslimanin që të anojë kah furtuna dhe të gjendet disi. Ibrahimi, alejhi selam, tha për Sarën se ishte motra e tij në mënyrë që të mos e sulmojë atë tirani zullumqar dhe nuk mundi ta pengojë dërgimin e Sarës tek ai tiran. Sara shkoi tek tirani dhe u vetmua me të, por Allahu e ruajti atë dhe e mbrojti nga ai. Ata që mohojnë animin përballë furtunave, ata janë që nuk kuptojnë fenë e Allahut. Njeriu nuk ka mundësi që gjithmonë të ec drejt dhe në formë të përkryer në rrugën e tij. I Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, por edhe sahabët pas tij, dhe të tjerët që vazhduan në rrugën e tyre, bënin armëpushim në luftë, bënin marrëveshje dhe nganjëherë pajtoheshin edhe me disa dokumente në të cilat kishte padrejtësi të qartë. E robërit, për atë që s’kanë mundësi duhet të strehohen tek Allahu.

5.   Lejohet pranimi i dhuratës nga zullumqari, madje edhe nga jobesimtari. Sara e pranoi dhuratën e mbretit tiran e zullumqar me rastin kur ia dhuroi Haxheren si shërbëtore. Ibrahimi ia miratoi gruas së vet pranimin e dhuratës.

6.   Abdesi si ibadet ishte i ligjësuar edhe në popujt para nesh. Sara, me rastin kur tirani ngritej drejt saj, merrte abdes dhe falej. Si duket abdesi i tyre ishte i ndryshëm nga abdesi jonë. Nëse jo, atëherë si kishte mundësi që ajo të merrte abdes në momentin kur tirani ngritej drejt saj? Ndoshta abdesi i saj ishte fërkimi (mes’hu) i duarve dhe fytyrës, ose ishte i ngjashëm me tejemumin tonë. Ndërsa sa i përket namazit të saj, këtu për qëllim është duaja.

7.   Në sheriatin e Ibrahimit lejohej që të kërkojë informacion me shenja (mimika-isharete) për një gjë që i intereson atij, përderisa ai është në namaz. Ibrahimi ia bëri me shenjë Sarës pas kthimit të saj përderisa ai ishte duke u falur, pra ia bëri me shenjë për t’i treguar se çfarë ndodhi me të.

8.  Lejohet të flitet për të mirat dhe begatitë që Allahu ia ka dhënë robit të Tij. Sara e informoi burrin e saj për nderin që ia bëri asaj Allahu duke kthyer mbrapsht kurthin e jobesimtarit dhe për dhuratën, Haxheren.

9.      Informimi i Ebu Hurejres se Haxherja është nëna e atyre që ishte duke iu folur dhe duke ua rrëfyer këtë hadith.

 

Përktheu nga arabishtja: Bahri Curri

Marrë nga libri: “Sahih el-Kasas en-Nebevijj” i autorit Umer Sulejman Abdullah el-Eshkar.


[1] U ngatërrua-dënua (u bllokua-iu zu fryma) sa që (nga sikleti) rrapëllonte me këmbën e tij (në tokë): D.m.th. iu zu fryma aq fort sa që nga sikleti dhe vuajtja e godiste tokën me këmbën e tij.

[2] Axhere: Është emri sirjanit i Haxheres.

[3] E poshtëroi jobesimtarin: E përuli, e nënçmoi dhe e bëri të humbur.

[4] El-Mazirij thotë: Gënjeshtra që ka të bëjë me shpjegimin dhe kumtimin nga Allahu i Lartësuar, prej kësaj gënjeshtre pejgamberët janë të mbrojtur, qoftë shumë apo pak. Ndërsa kur s’ka të bëjë me kumtimin, ai konsiderohet mëkat i vogël, si fjala vjen gënjeshtra në diçka të parëndësishme në çështjet e dynjasë, në këtë rast ka mundësi të ndodh gënjeshtra nga ata, apo të jenë të mbrojtur edhe nga kjo. Lidhur me këtë ekzistojnë dy mendime të njohura nga dijetarët e mëhershëm dhe të mëvonshëm (selef e halef).

El-Kadi Ijad thotë: Është e saktë se gënjeshtra në gjërat që kanë të bëjnë me kumtimin (shpalljen) as nuk mund të paramendohet se mund të ndodh nga ana e tyre. Pa marrë parasysh a e lejojmë, apo jo, bërjen e mëkateve të vogla nga ata. Edhe pa marrë parasysh a është gënjeshtër e paktë, apo e shumtë. Kjo për faktin se pozita e pejgamberllëkut është e lartë dhe e pastër nga ajo. Lejimi i gënjeshtrës në këtë, do të anulonte besueshmërinë e fjalëve të tyre.

[5] Kuptimi i kësaj është se gënjeshtrat e cekura janë bërë për shkak të vetëdijesimit të bashkëbiseduesit dhe dëgjuesit. Ndërsa në vetë çështjen, ato nuk janë gënjeshtër e dënuar, për dy aspekte:

Aspekti i parë: Ai fshehu një fakt. Tha për Sarën: Është motra ime në Islam. Kjo është e vërtetë në brendësi të çështjes.

Aspekti i dytë: Edhe po të ishte gënjeshtër, nuk ka aluzion në të, dhe do të ishte e lejuar për t’u mbrojtur nga sherri i zullumqarëve. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tërhoqi vërejtjen se këto gënjeshtra nuk hyjnë në kuadër të gënjeshtrës së përgjithshme të dënuar.

[6] O ju bijtë e ujit të qiellit: Neveviu thotë: Shumë dijetarë thonë: Me këtë emër synohen të gjithë arabët, për shkak të origjinës së tyre të pastër dhe dëlirësisë së tyre. Thuhet: Ngase shumica prej tyre janë pronarë të bagëtive dhe se jetesa e tyre është nga kopetë, kullosat dhe nga ajo që rritet me ujin e qiellit.

El-Kadi thotë: Më e spikatura tek unë është se për synim me këtë në veçanti janë ensarët dhe përkatësia e tyre lidhet me gjyshin e tyre Amir bin Harithe bin Imri’in el-Kajs bin Tha’lebe bin Mazin bin el-Eded, i cili njihej me emrin ‘Uji i qiellit’ dhe ishte i popullarizuar me këtë. Përderisa dihet se ensarët janë nga fëmijët e Harithe bin Tha’lebe bin Amr bin Amir i sipërpërmendur. Allahu e di më së miri.

[7] Transmetimin e parë e shënon Buhariu në Sahihun e tij, në (Kapitulli: Shitblerja), (Nënkapitulli: Blerja e robit prej (banorëve) “el-harbij”, dhurimi dhe lirirmi i tij) 4/410, nr. i hadithit 2217.

Ndërsa transmetimin e dytë e shënon në (Kapitulli: Pejgamberët), (Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu e zgjodhi Ibrahimin të dashurin më të ngushtë.” (Nisaë, 125)) 6/388, nr. 3358.

E shënon këtë gjithashtu edhe në disa vende të tjera në librin e tij. Ndër to:

(Kapitulli: Detyrimi), (Nënkapitulli: Kur femra detyrohet me amoralitet) 12/321, nr. 6950.

(Kapitulli: Kurorëzimi), (Nënkapitulli: Marrja e dorës, dhe ai që liron një robëreshë dhe pastaj e marton atë) 9/126, nr. 5085.

(Kapitulli: Shkurorëzimi) në titullimin e nënkapitullit pa isnad, 9/387.

(Kapitulli: Dhurimi), (Nënkapitulli: Kur të thotë: Ta dhuroj si shërbëtore këtë robëreshë) nr. 2635.

Këtë e shënon edhe Muslimi në Sahihun e tij, në (Kapitulli: Vlerat), (Nënkapitulli: Vlerat e Ibrahimit) 4/1840, nr. 2371. Ndërsa në librin e Muslimit me sherhun (shpejgimin) e Neveviut është në 15/509.

[8] “Silsiletu el-Ehadith es-Sahihati” – Shejh Nasiruddin Albani 3/362.

[9] Shënon Muslimi me nr. 2543.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit