Falënderimi i takon Allahut, i Cili i bëri dhjetë ditët e Dhul-Hixhes prej ditëve më të vlefshme të vitit. Salavate dhe selame mbi Muhamedin , mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij të ndershëm e të devotshëm.
Një porosi që ndryshon jetën:
Ju porosis juve dhe veten time me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, si në fshehtësi ashtu edhe në publik, sepse ajo është përmbledhja dhe çelësi i çdo të mire.
O besimtarë! Sezoni i madh i fitoreve shpirtërore
Prej mëshirës së pafundme të Allahut të Madhëruar ndaj nesh është se Ai na dhuroi stacione e ditë të bekuara, ku investimi më i vogël shpirtëror shumëfishohet në përmasa të jashtëzakonshme. Këto janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.
Ato janë ditë aq të mëdha, saqë Vetë Allahu i Madhëruar u betua në to në Kuranin Famëlartë. Dhe dihet se Krijuesi nuk betohet vetëm se në gjëra me rëndësi madhore.
Përcillet nga Xhabiri (r.a.) se këto janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes. Ato janë gjithashtu “ditët e caktuara” për të cilat Allahu ka njoftuar duke thënë:
”Për të dëshmuar dobitë e tyre dhe për të përmendur Emrin e Allahut në ditët e caktuara, …” (Haxh: 28)
Ibn Abasi (r.a.) ka konfirmuar pa asnjë mëdyshje: “Ato janë dhjetë ditët (e Dhul-Hixhes)”.
O besimtarë! Pse ky sezon është unik?
Këto dhjetë ditë mbajnë një ekskluzivitet që asnjë kohë tjetër e vitit nuk e ka. Pse? Sepse në to grupohen pesë shtyllat dhe adhurimet kryesore të Islamit:
- Haxhi (i cili ndodh vetëm tani)
- Namazi
- Agjërimi
- Sadakaja (Zekati)
Çdo vepër e mirë në këtë periudhë merr një vlerësim maksimal tek Allahu. Transmetohet në Sahihun e Buhariut nga Ibn Abasi se Muhamedi ka thënë:
”Nuk ka ditë që veprat e mira në to janë më të dashura tek Allahu sesa këto dhjetë ditë.”
O besimtarë! Plani i Veprimit: Si t’i shfrytëzojmë këto ditë?
Prandaj, muslimani duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe të shtojë punët e mira. Prej adhurimeve më madhështore në to është përmendja e Allahut (Dhikri), ndërsa dhikri më i madh është leximi i Kuranit, i cili është udhëzim dhe dritë e qartë.
Vepra e mirë përfshin detyrimet (farzet), obligimet, të gjitha veprat e bamirësisë dhe adhurimet vullnetare si: namazi, sadakaja dhe agjërimi, e në veçanti agjërimi i ditës së Arafatit. Çdo farz i kryer në këto dhjetë ditë është më i vlefshëm se një farz i kryer jashtë tyre, dhe po ashtu çdo nafile (vepër vullnetare) in këto ditë është më e vlefshme se në ditët e tjera.
Kjo përfshin gjithashtu edhe largimin nga gjërat e ndaluara dhe haramet. Kushdo që braktis një mëkat në këto ditë, padyshim që shpërblimi i tij është më i madh se sa lënia e mëkatit në kohëra të tjera, sepse këto janë ditë të mëdha, të vlefshme dhe të bekuara.
Prej mirësisë dhe bujarisë së Allahut është se adhurimet në këto ditë janë të larmishme. Ndër gjërat që pëlqehen në këto ditë të vlefshme janë:
- Shtimi i dhikrit: Duke bërë Tehlil (La ilahe il-Allah), Tesbih (Subhanallah), Tekbir (Allahu Ekber) dhe Tahmid (Elhamdulilah).
- Tekbiri i përgjithshëm (Mutllak): Ky tekbir është i ligjëruar në çdo kohë, që nga fillimi i hyrjes së muajit Dhul-Hixhe e deri në përfundim të ditës së trembëdhjetë të tij.
- Tekbiri i kufizuar (Mukajed): I cili thuhet pas namazeve të obligueshme, fillon nga agimi i ditës së Arafatit për ata që nuk janë në haxh, deri në pasditen (asrin) e ditës së fundit të ditëve të Teshrikut (ditës së katërt të Bajramit).
Forma e tekbirit është:
”Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il-Allah, Allahu Ekber, Allahu Ekber, ue lilahi-l-hamd.”
O besimtarë! Kulmi i sezonit: dita madhështore e Arafatit
Në këto dhjetë ditë ndodhet një ditë madhështore me shpërblim të madh; ajo është dita e nëntë e tij, Dita e Arafatit. E çfarë ju bën të njiheni met Ditën e Arafatit?
Ajo është një prej ditëve më të vlefshme, në të cilën pranohen lutjet, falen gabimet dhe Allahu krenohet para melekëve me njerëzit që gjenden në Arafat. Ajo është një dita që Allahu ia madhëroi vlerën dhe ia ngriti gradën mbi ditët e tjera. Është dita e përsosjes së fesë, e plotësimit të dhuntisë, dita e faljes së mëkateve dhe e lirimit nga zjarri i Xhehenemit.
Allahu e nderoi këtë ditë dhe e veçoi atë nga ditët e tjera med vlera të mëdha, prej të cilave janë:
- Përsosja e fesë: Dita e Arafatit është dita në të cilën Allahu përsosi fenë për këtë umet dhe plotësoi mbi ta dhuntinë e Tij. Në këtë ditë zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush mirësinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide: 3)
- Lirimi nga zjarri: Ajo është dita e faljes së mëkateve, e lirimit nga zjarri dhe e krenarisë me njerëzit e ndodhur në atë vend. Në Sahihun e Muslimit përcillet nga Aisheja (Allahu qoftë e kënaqur prej saj) se Muhamedi ka thënë: “Nuk ka asnjë ditë në të cilën Allahu liron më shumë robër nga zjarri sesa në ditën e Arafatit. Ai afrohet e pastaj krenohet me ta para melekëve duke thënë: Çfarë dëshirojnë këta?”
- Krenaria e Allahut: Po ashtu nga Ibn Omeri transmetohet se Muhamedi () ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar krenohet para melekëve të Tij në pasditen e Arafatit med njerëzit e Arafatit, duke thënë: Shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pluhurosur dhe me flokë të shpupuritur.” (Imam Ahmedi dhe e saktësoi Albani)
- Shlyerja e mëkateve: Agjërimi i kësaj dite shlyen mëkatet e dy viteve. Përcillet nga Ebu Katade (r.a.) se i Dërguari i Allahut () ka thënë: “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj tek Allahu që të shlyejë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.” (Shënon Muslimi) Ky agjërim është i pëlqyeshëm për ata që nuk janë në haxh.
- Shtylla e Haxhit: Në këtë ditë kryhet shtylla më e madhe e haxhit, pa të cilën haxhi nuk është i vlefshëm, Dërguari i Allahut () ka thënë: “Haxhi është Arafat.” (Sahih Albani)
O besimtarë! Lutja e Ditës së Arafatit
Të dashur besimtarë, shfrytëzojeni pasditen e ditës së Arafatit me lutje të pandalshme. Është koha ku shpresohet pranimi maksimal i lutjeve. Muhamedi ka thënë:
”Lutja më e mirë është lutja në ditën e Arafatit, dhe fjala më e mirë që kam thënë unë dhe profetët para meje është:
La ilahe il-Allah uahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue hue ala kuli shej’in kadir
(Nuk ka zot tjetër me të drejtë për adhurim përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq, Atij i takon sundimi dhe falënderimi dhe Ai është i Fuqishëm për çdo gjë).” (Shënon Tirmidhiu, Hasen Albani)
Duaja e Fundit
”Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira edhe në botën tjetër, dhe na mbro nga dënimi i zjarrit!” (Bekare: 201)
/Hoxhë Ulvi Fejzullahu/
