Po kalojmë sot në një krizë të heshtur edukative, të cilën unë e quaj “kriza e brezit prej qelqi”; një brez i butë nga jashtë, por që thyhet shpejt nga brenda sapo përballet me përplasjen e parë reale me jetën.
Sot sheh të rinj me diplomat më të larta, të rrethuar nga teknologjitë më moderne dhe me çdo mundësi materiale të siguruar, por në të njëjtën kohë u mungon “forca psikologjike”. Një kritikë e thjeshtë i thyen, vonesa e dëshirave i fut në hutim dhe humbje, ndërsa dështimi në përvojën e parë të punës apo studimeve i çon drejt zhgënjimit dhe izolimit.
Atëherë, ku qëndron problemi?
Problemi më i madh nuk është tek fëmijët, por tek mënyra si po ndërtohet edukimi brenda shtëpive tona. Shumë familje kanë rënë në grackën e “mbrojtjes së tepruar”, ku prindërit — nga frika dhe ankthi për të ardhmen e fëmijëve — janë shndërruar në “kompani shërbimi”, detyra e të cilave është t’ua hapin rrugën fëmijëve, në vend që t’i përgatisin fëmijët për rrugën!
Ne bëjmë një gabim të madh kur mendojmë se dashuria do të thotë t’i pengosh fëmijët të provojnë dhimbjen e humbjes apo t’ua heqësh çdo barrë përgjegjësie nga jeta. Mungesa e sfidave të vogla në jetën e fëmijës dhe adoleshentit, si dhe privimi i tij nga e drejta natyrore për të gabuar dhe korrigjuar veten, e zbraz personalitetin nga kuptimi dhe ia pamundëson ndërtimin e “kontrollit të brendshëm”, i cili më vonë e mbron nga luhatjet e realitetit.
Rikthimi i ekuilibrit në shtëpitë tona kërkon përkushtim ndaj tre parimeve kryesore:
1. Kalimi nga kontrolli tek afërsia edukative
Brezi i sotëm nuk e pranon më ligjërimin e verbër dhe urdhrat e thata. Edukimi i suksesshëm është filozofi dialogu dhe ndërtim i një ambienti të përbashkët. Kur fëmijët shohin tek prindërit respekt të heshtur për vlerat dhe i shohin ata duke përballuar presionet e jetës me kënaqësi dhe bindje, atëherë ata e përthithin forcën shpirtërore përmes shembullit, jo përmes ligjëratave.
2. Heqja e mbrojtjes së tepërt dhe dhënia e përgjegjësisë
Njeriu nuk i ndërton “muskujt psikologjikë” në rrugë të lehta. Fëmija duhet të mësojë si të gabojë dhe të përballet me pasojat e gabimit të tij, si ta menaxhojë buxhetin e vogël personal dhe si t’i shërbejë vetes e të tjerëve brenda familjes. Përgjegjësia është ajo që ndërton pjekurinë e hershme dhe e shndërron fëmijën nga “konsumues i vlerave dhe materialeve” në partner të vërtetë përballë jetës.
3. Imuniteti intelektual para rehatisë materiale
Dokumenti më i rëndësishëm i çlirimit të brezit të ri është ndërtimi i “lentës së brendshme” me të cilën ai e sheh botën. Në kohën e rrjedhës digjitale dhe vërshimit të shpërqendrimeve, nuk do ta mbrosh fëmijën tënd me kontroll të skaduar, por me vetëdije dhe bindje; duke e edukuar që ta kuptojë se vlera e tij qëndron në përpjekjen, ndikimin dhe dobinë që sjell për umetin dhe shoqërinë, e jo në pamjet dhe luksin kalimtar.
Përmbledhje:
Fëmijët tanë kanë nevojë për zemrat tona mbështetëse, jo për mbrojtjen tonë mbytëse. Mos i shndërroni në qelq që thyhet nga stuhitë e jetës, por edukojini të bëhen burra dhe gra me forcë psikologjike dhe lidhje të fortë me Krijuesin, që të ecin në fushën e jetës me qëndrueshmëri dhe drejtësi.
Dr. Abdulkarim Bakkar
