Kur ecën në korridoret e aeroporteve dhe udhëtimi të çon drejt qyteteve të largëta, sytë e tu papritur bien mbi një grua të mbuluar me hixhab, që ecën rrugës së saj me qetësi dhe dinjitet; dhe ndihesh sikur zëri “Allahu Ekber” jehon në atë vend… por pa minare.
Sikur ajo – me hixhabin e saj – të ngrejë një flamur mbi kokë, me të cilin shpall praninë e Islamit në atë hapësirë.
Në një kohë kur burri mysliman mund të fshihet pas një xhakete elegante ose një këmishë moderne, gruaja myslimane, me hixhabin e saj, mbetet një flamur që nuk fshihet dhe një simbol që nuk shlyhet. Ajo është shenja më e qartë vizuale e pranisë së Islamit në hapësirën publike.
Për këtë arsye, sulmi perëndimor ndaj hixhabit nuk ishte thjesht një përplasje kulturore me një veshje tradicionale, por në thelb ishte një përballje me dëshminë publike të ekzistencës së këtij besimi.
Ata e kuptuan – me një vetëdije të thellë politike dhe kulturore – se hixhabi i gruas nuk është thjesht një copë pëlhure, por një “rit i lëvizshëm” dhe një shpallje e përditshme, e gjallë e Islamit, në një kohë kur synohet që feja të mbyllet në qoshet e zemrave dhe t’i ndalohet shprehja në rrugët e jetës publike.
Në arkitekturën e qytetërimit perëndimor, gjithçka është e shkrirshme dhe e copëzueshme: familja, feja, gjuha dhe identiteti. Por hixhabi, ky simbol i përditshëm dhe publik, e thyen këtë prirje shpërbërëse.
Gruaja e mbuluar me hixhab – teksa ecën mes njerëzve – rrëzon iluzionin e rremë të armiqve të Islamit se ata kanë triumfuar; sepse në thjeshtësinë e pamjes së saj ka ringjallje të së drejtës së Islamit për të ekzistuar, ndërsa në dinjitetin e qëndrimit të saj ka një përkujtim të heshtur të metodës hyjnore në mes të një bote tokësore të zhurmshme.
Prandaj nuk është për t’u çuditur që mediat komplotojnë, ligjet nxitën dhe fushatat ndërmerren, në përpjekje për ta shkulur këtë simbol nga vetëdija dhe sjellja e njerëzve.
Armiqtë e fesë, pasi dështuan të arrijnë thelbin e mesazhit, iu kthyen goditjes së riteve të saj të dukshme. Ata nuk mund ta durojnë një “shenjë” që shpall qartë: këtu është Islami. Dhe kur dështuan ta heshtnin shpalljen, u përpoqën të fshijnë jehonën e saj.
Prandaj, o motër, ti nuk vesh thjesht një rrobë, por mban flamurin e mesazhit në një kohë kur gjithçka po gërryhet; dhe me qëndrueshmërinë tënde dëshmon para kalimtarëve se Islami ende pulson në këtë botë. Me qëndrueshmërinë tënde, dështon projekti që synonte ta shndërronte Islamin në një relike muzeu.
Dr. Sejid Ahmed el-Hashimi
