Historia e Teuta Hoxhës, prej 13 muajsh në burg pasi protestoi për Gazën

Më të lexuarat

Pas 13 muajsh në gjendje paraburgimi në një burg anglez dhe pas afro 43 ditësh në grevë urie, gjendja shëndetësore e një shqiptareje të arrestuar si aktiviste e grupimit kontravers “Palestine Action” është mjaft e përkeqësuar dhe, sipas motrës së saj, ajo mund të ndërrojë jetë nëse qeveria britanike nuk ndërhyn. Teuta Hoxha, e lindur në Britani, këtë të hënë mbush 30 vjeç dhe, sipas motrës së saj 17-vjeçare, Rahma, në një deklaratë dhënë mediave britanike, vuan për shkak të grevës së urisë nga dhimbje të vazhdueshme koke, probleme me lëvizshmërinë dhe nuk mund të ngrihet dot për të kryer lutjet fetare si myslimane.
Teuta Hoxha ndodhet në paraburgim prej 13 muajsh dhe procesi kundër saj dhe tetë aktivistëve pro-grupimit “Palestine Action” nuk pritet të zhvillohet deri në prill të vitit të ardhshëm. Ata ndodhen nëpër burgje të ndryshme të Anglisë për vepra penale që variojnë nga hyrje me forcë të supozuara apo dëmtime kriminale ndaj një ambienti në Britani ku prodhoheshin pajisje ushtarake për Izraelin. Ata i mohojnë të gjitha akuzat e ngritura kundër tyre.
Greva e urisë kërkon dhënien fund të ofrimit nga Britania të ambienteve për Izraelin për prodhimin e armëve që e furnizojnë atë, heqjen nga lista e organizatave të ndaluara zyrtarisht nga Britania të “Palestine Action”, si dhe dhënien fund të keqtrajtimit të të burgosurve dhe lirimin e menjëhershëm me kusht të të ndaluarve.
Ministri britanik i Burgjeve, Lordi Timpson, thotë se ministrat nuk do të takohen me këta të burgosur dhe se Britania ka një sistem drejtësie që bazohet në ndarjen e kompetencave dhe në një drejtësi të pavarur, e cila është gur themeli i sistemit tonë. Do të ishte tërësisht jokushtetuese dhe një veprim i papërshtatshëm që ministrat të ndërhynin në proceset ligjore që janë të papërfunduara.
Ironia është se Teuta Hoxha sot mbush 30 vjeç dhe nuk do të ketë tortë për të festuar ditëlindjen e saj nga burgu, në një ditë si kjo, kur ajo ndodhet në grevë urie. Për disa ajo nuk është terroriste, por humaniste, ndërsa për disa të tjerë, asocimi i një shqiptareje me rrethana të tilla do të shtonte edhe më shumë njollosjen e shqiptarëve në Britani, përveç mëkateve të supozuara në median dhe opinionin publik britanik për komunitetin shqiptar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit