Hipokriti gjuhëditur – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nga Umer ibn Hatabi (radijAllahu anhu), përcillet se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Ajo që frikësohem më së shumti për ymetin tim, janë hipokritët gjuhëditur.”

——–
Dijetarët, duke komentuar këtë hadith kanë thënë:

Hipokrizia është një nga mëkatet më të rrezikshme dhe me ndëshkimin më të rëndë në botën tjetër. Allahu nuk ka kërcënuar askënd me dënim, ashtu siç ka kërcënuar hipokritët, për shkak të madhësisë së krimit të tyre dhe rrezikshmërisë.

Thelbi i hipokrizisë është: të shfaqet Islami dhe dashuria për fenë, ndërsa brenda të fshihet kufri dhe urrejtja ndaj fesë.

“Ajo që frikësohem më së shumti për ymetin tim…” – d.m.th.: nëse do të hulumtoheshin të gjitha gjërat më të frikshme për ymetin, nuk do të gjendej diçka më e frikshme sesa “…hipokriti gjuhëditur.”

Qëllimi është: një njeri që zotëron dituri, flet rrjedhshëm me të, por ka një zemër injorante dhe një besim të prishur. Ai i mashtron njerëzit me fjalët e tij, dhe për shkak se ata e ndjekin, shumë prej tyre bien në gabim e devijim.

Në hadith përmendet “dija e gjuhës”, megjithëse dija në të vërtetë është përftimi i përfytyrimit të gjësë në mendje, në këtë rast hipokriti përshkruhet se dijen e ka në gjuhë, që do të thotë se ai ka zemër të zbrazët nga e vërteta dhe nga besimi i drejtë, ndërkohë që zemra e tij është e mbushur me devijime dhe bindje kufri, ndaj e gjithë ajo që ai ka si “dije” është thjesht në gjuhën e tij, e jo në zemrën dhe në mendjen e ndriçuar nga kjo dije.

—–

Hadithi gjendet në Musnedin e Ahmedit nr. 145, 316, tek Ibn Hibani nr. 80, nga Imran ibn Husajn, el-Bejhaki nr.1777 etj. Përgjithësisht, dijetarët e hadithit e kanë vlerësuar si të saktë këtë hadith, por duke qenë se në disa transmetime përmendet si fjalë e Umerit, Darekutni dhe Ibn Kethiri e kanë vlerësuar këtë si më të saktë.

 

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit