Zëdhënësi i Hamasit në Gaza, Hazem Qassem, ka përshëndetur deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe qëndrimin e SHBA-së kundër aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv në mbështetje të marrëveshjes së armëpushimit.
Në një deklaratë në kanalin Telegram të lëvizjes, Qassem theksoi se Hamasi është “i përkushtuar për suksesin dhe zbatimin në terren të marrëveshjes”, dhe se ka marrë garanci të qarta nga Egjipti, Katari, Turqia dhe SHBA se lufta ka përfunduar.
Ai bëri thirrje që të ushtrohet presion mbi Izraelin për të respektuar angazhimet e tij, përfshirë ndalimin e agresionit, heqjen e bllokadës mbi Rripin e Gazës dhe lejimin e ndihmave humanitare.
Qassem paralajmëroi gjithashtu se Izraeli mund të përdorë çështjet humanitare për përfitime politike dhe kërkoi “veprim serioz për të parandaluar rikthimin e politikave të urisë”.
Zëdhënësi shtoi se Hamasi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut kombëtar palestinez dhe bashkëpunimit me Autoritetin Palestinez për të zgjidhur çështjet e qeverisjes së Gazës pas luftës. Ai theksoi nevojën për “unitet kombëtar dhe prioritizimin e interesit të përbashkët mbi interesat partiake”.
Sipas tij, Izraeli ka shkelur disa herë marrëveshjen e armëpushimit, duke vrarë rreth 90 palestinezë dhe duke penguar hyrjen e ndihmave përmes pikës kufitare Rafah. /mesazhi
