Bisedimet në Sharm el-Sheikh janë përqendruar në mekanizmat për t’i dhënë fund luftës, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve, njoftoi grupi palestinez.
Hamas njoftoi të mërkurën se ka shkëmbyer me delegacionin izraelit listat e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, ndërsa në Sharm el-Sheikh të Egjiptit po zhvillohen negociatat për armëpushimin në Gaza.
“Listat e të burgosurve që do të lirohen u shkëmbyen sot, në përputhje me kriteret dhe numrat e dakorduar”, deklaroi Taher al-Nunu, këshilltar medial i shefit të Byrosë Politike të Hamasit, në një deklaratë të publikuar në Telegram, pa dhënë më shumë detaje.
Ai shtoi se bisedimet “u fokusuan në mekanizmat për përfundimin e luftës, tërheqjen e forcave pushtuese nga Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.”
Bisedimet indirekte midis Hamasit dhe Izraelit nisën të hënën në qytetin egjiptian, me qëllim arritjen e përparimit në planin 20-pikësh për armëpushimin në Gaza, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Plani parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, përfundimin e luftës që nga tetori 2023 ka vrarë mbi 67 mijë palestinezë, krijimin e një komiteti palestinez për administrimin e Gazës dhe rindërtimin e enklavës.
