22.7 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Hafiz Riza Adem Boriçi

Më të lexuarat

Hafiz Riza Adem Borici- Callma e fundit e Boriceve

Familja e Boriçëve është ndër më të njohurat e familjeve shkodrane. Ajo dallohet nga shtrirja e gjerë dhe nga përmasat e mëdha në karrierën fetare, në veprimtaritë administrative, në fushën e drejtësisë, në lëmin e arsimit dhe lidhur ngushtë me këto në kontributin e veçantë atdhetar.

Nga kjo familje dolën jo vetëm njerëz të ditur, por edhe patriotë të shquar si Daut Boriçi, që me veprimtarinë e tij të gjithanshme arriti të hynte në Pantheonin e kombit, duke u bërë një nga patriotët më në zë të Rilindjes Kombëtare për rolin e madh e ndihmesën e vyer si udheheqësi i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes së Prizrenit si dhe për Degën e kësaj Lidhjeje për Shkodrën.

Monografi të ndryshme me karakter historik, shkencor, kulturor, arsimor e biografik, fjalorë enciklopedikë e pedagogjikë, botime dokumentare, libra me kujtime, historike institucionesh, përmbledhje sesionesh shkencore dhe shkrime të shumta në median e shkruar, si dhe programe radiotelevizive kanë pasqyruar gjerësinë e problematikës së trajtuar për këtë familje dhe vlerat e merituara që ajo ka fituar në opinionin shkencor e qytetar, lokal e kombëtar.

Familja e Boriçëve ishte një familje shqiptare e shpërngulur nga fshati Boriç i rrethinave të Tivarit, e vendosur në Shkodër nga fillimi i shekullit XVIII, më parë në lagjen Sudbege, afër xhamisë Plakë, pastaj në atë të Perashit dhe më vonë e shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit. Përveç Daut Boriçit nga kjo familje qenë hoxhallarë Molla Halili, Hafiz Musai, Hafiz Shefqeti dhe Hafiz Rizai që shërbyen si mësues mejtepi, mësues besimi në shkolla shtetërore, imamë, vaizë e myderrizë.

Në këtë familje ka vendin e vet për kontributin e dhënë në aspektin fetar edhe Hafiz Riza Boriçi, i cili u lind dhe u rrit në një mjedis të tillë, duke ruajtur me dashuri dhe nderim emrin, traditën dhe rrugën e paraardhësve të tij.

Riza Boriçi lindi në Shkodër më 04.02.1895. Jeta e tij qe e mbushur me shqetësimet që grumbullonte e paraqiste koha. Ai asnjëherë nuk qëndroi në pozita indiferente, por qe aktiv, i matur dhe i kujdesshëm, duke ruajtur gjithnjë pozicione të caktuara e të patundura, të urta e të drejta të besimtarit e të drejtuesit fetar të nderuar e të devotshëm, të atdhetarit konseguent e të qytetarit të kulturuar, humanist e shembullor. Ai i konceptoi dhe i zbatoi të lidhura idetë e shqiptarizmit me parimet e fesë Islame, prandaj me vetëdije u bë trashëgimtar i çallmës së Boriçëve, duke mbyllur një cikël mbi tre breza hoxhallarësh të kësaj familjeje.

Adem Ef. Boriçi, babai i Rizait qe një jurist shumë i njohur, hetues dhe gjykatës serioz, një personalitet i respektuar e autoritar. Ai kultivoi tek i biri dëshirën për dituri, duke pasur si parim porosinë islame “Kërkoje diturinë që nga djepi deri në varr”.

Edukata dhe trashëgimëria familjare, qenë tharmi i brumosjes dhe i formimit të tij. Në familjen e Boriçëve ishte kthyer në motiv thënia e Daut Boriçit në ‘Abetaren shqip` të tij me 1869: “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue në gjuhën e vet’ ose ‘xen me shkrue shqip`.

Që në fëmijëri te Rizai u zbuluan vlera pozitive, ra në sy zelli i tij për shkollim. Pasi mbaroi shkollën fillore e qytetëse vazhdoi studimet te gjimnazi turk “Ruzhdije” të Shkodrës, që për kohën ishte bërë një qendër e rëndësishme për formimin kulturor e arsimor të rinisë myslimane.

Pas shkollimit me arsim të përgjithshëm vazhdoi rrugën e arsimimit të tij teologjik. Nuk pati fatin të shkonte në universitetet islamike jashtë vendit, prandaj ndoqi formimin e tij teologjik sipas një tradite shumë të përhapur e të transmetuar brez pas brezi nëpërmjet teologëve të përmendur, me përvojë e të autorizuar për këtë lloj arsimimi.

Riza Boriçi si udhëheqës pati teologun e myderrizin e njohur shkodran, Haxhi Hafiz Isuf Kelmendi. Ai përfundoi shkëlqyeshëm përgatitjen e tij teologjike, duke fituar titullin “Hafiz”. Në tubimin madhështor dhe në gostinë tradicionale të diplomimit (ixhazetit), profesori i tij Haxhi Hafiz Isuf Kelmendi në një mjedis festiv ceremonial i vuri Rizait çallmën në qershor të vitit 1917. Këtë çallmë ai do ta mbante me dinjitet, deri kur ndërroi jetë më 24 nëntor 1960.

Rizai ka pasur formim të gjerë intelektual. Ai ka zotëruar tri gjuhët orientale, arabishten, turqishten dhe persishten si dhe ka përdorur edhe frëngjishten. Krenohej me bibliotekën personale të trashëguar, por edhe të pasuruar, të administruar dhe të shfrytëzuar me kujdes nga ana e tij. Ajo përmbante vepra të shumta teologjike, gjuhësore, kulturore e të shkencave të ndryshme deri në ato të mjekësisë. Biblioteka e tij kishte të aneksuar edhe dokumente arkivore që lidheshin me veprimtarinë e familjes e personale.

Formimi teologjik me mësues ka qenë i bashkërenditur me studimin individuaI. Hoxhallarët kanë qenë autodidaktë të admirueshëm, shumicën e kohës pas kryerjes së detyrave fetare e kalonin në bibliotekën personale, duke lexuar e studiuar, duke ngritur horizontin e tyre të përgjithshëm.

Jeta e tij mbeti e lidhur fort e ngusht jo vetëm me nivele të larta përkushtimi prej besimtari e prijësi fetar, por edhe të një qytetari të respektuar, të një bashkëshorti shembullor dhe të një prindi model.

Gjatë gjithë jetës së tij ai qe aktiv, u dallua për përkushtimin e disiplinën në punë, për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e xhamive. Ai kurrë nuk e kuptoi veprimtarinë e tij fetare jashtë interesave kombëtare, të ndarë nga nevojat e problemet qytetare. Propogandimi i ndërthurur dhe i bashkërenditur i vlerave fetare, atdhetare e qytetare ka qenë në vëmendjen e tij të vazhdueshme, në marrëdhëniet e tij familjare, me besimtarët e qytetarët.

Kishte një pamje të përgjithshme tërheqëse. Portreti i tij fizik ishte mbresëlënës. Uniforma e tij ishte gjithmonë e pastër, e hekurosur, e rregullt, me nje çallmë që binte në sy për palat e renditura me shumë kujdes që shprehte fisnikëri, kulturë dhe edukate islame. Vërtet ishte model i hoxhës në xhami, në mjediset publike dhe në familje.

Jeta dhe përgjegjësia për detyrën e zhvendosën sa andej-këtej nëpër Shqipëri. Fillimisht qe imam në qytetin e Shkodrës. Në vazhdim u emërua imam në Ishëm të rrethit të Durrësit. Këtu fitoi simpatinë jo vetëm si njeri, por edhe si hoxhë. Fjala e tij dëgjohej me interes, kishte peshë në zgjidhjen e problemeve shoqërore të besimtarëve, jetonte me gëzimet e hallet e tyre. Ligjëratat e tij si vaiz ishin bindëse e ndikuese, pa cënuar njeri, plot ëmbëlsi, përherë dashamirëse e edukuese. Pas disa vitesh punë por edhe hallesh e brengash, nga viti 1933-1936, larg familjes, Hafiz Rizai kthehet në qytetin e tij të lindjes.

Tashmë me një përvojë më të madhe, shërbeu si imam në xhami të ndryshme të qytetit, si në Luguçesme, në xhaminë e Bardhë, të Kuqe të Perashit, në Fushë-Çelë, në Ndocej, në xhaminë Plakë dhe në atë të Parrucës, thuajse në gjeografinë e të gjithë qytetit. Shkodranët e deshën, e respektuan dhe e vlerësuan birin e tyre, vaizin e njohur për fjalën e bukur, artistikisht të zgjedhur, thellësisht të kuptueshme, gjithmonë të qartë e gjithnjë të mbështetur në burimet Kuranore, përvojën profetike, historinë e kulturën islame.

Tematika e ligjëratave ishte e larmishme, ajo harmonizohej me festat fetare, me shtyllat e Islamit, me obligimet e besimtarëve, me problemet shoqërore të qytetarëve. Kjo praktikë pune ishte fryt i shqetësimit të tij për t’u lidhur ngushtë me xhematin që e bëri atë një predikues të aftë e shembullor.

Hafiz Rizai ka pasur një vizion të qartë e largpamës në lidhje me faktin historik të përbërjes heterogjene të besimeve fetare në Shqipëri. Ai bashkekzistencën dhe tolerancën ndërfetare e shikonte si një vlerë kombëtare, por edhe si dukuri të rëndësishme të parimeve të moralit Islam në përgjithësi. Për këtë ai qe propogandues e zbatues i mirëkuptimit, i respektit të ndërsjellë, i miqësisë, i vizitave dhe i krijimit të një atmosfere paqësore në qytet mes banorëve të tij.

Ndonëse ishte idealist në bindje, nuk është marrë drejtpërdrejt me politikë, por si atdhetar e me pikëpamje demokratike qëndroi në një opozitë të heshtur si ndaj pushtuesit ashtu edhe ndaj diktaturës.

Ndryshimet shoqërore-politike që ndodhën në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore, kanë ndikuar shumë tek ai dhe e kanë bërë të vuajë shpirtërisht si rezultat i situatave të reja historike, politike e ideologjike.

Hafiz Rizai në periudhën 1945-1951 ka pasur ngarkesë të madhe emocionale e psikologjike, duke i shkaktuar një gjendje stresi që e lodhi dhe i solli pasoja më vonë. Ai u ngarkua me një detyrë shumë delikate e të rëndë, për të kryer shërbesat fetare të të dënuarve politikë me pushkatim në ditën e ekzekutimit.

Familjarët kujtojnë gjithë trishtim drithërimin që përshkonte Hafiz Rizanë, kur mëngjesit, para sabahut, dëgjohej të ndalej makina para shtëpisë që e merrte atë dhe së bashku me një prift nisej atje, ku korrej jeta.

Kjo ka qenë ndër detyrat fetare më të vështira që ka përjetuar. Kthehej në shtëpi, mbyllej në dhomën e tij, nuk hante as nuk pinte, por lexonte Kuran me orë të tëra. Askush nuk guxonte t’i ndërpriste meditimet e tija që shoqëroheshin me gjendje tronditëse e pagjumësie shkatërruese.

Një tjetër moment të rëndë Hafiz Rizai kishte me familjarët e të ekzekutuarve. Ata në grupe vinin ta takonin për të mësuar prej tij dramën e përgjakshme dhe amanetin e fundit të lënë para pushkatimit. Ai rrinte e bashkebisedonte gjatë me ta në dhomën e tij, pa praninë e askujt tjetër.

Të pushkatuarit zakonisht ishin figura të njohura patriotësh nacionalistë e personalitete të kohës, të nderuar e me tradita, bile edhe shokë e miq të tij. Ndaj me përlotjen e familjarëve skuqeshin e përloteshin edhe sytë e tij, mjekrën e tij fisnike e lagnin lotët e tij, si të ishte fëmijë. S’ka arsye tjetër që infarkti akut ta këpuste në lulen e moshës, kur ishte 65 vjeç.

Hafiz Riza Boriçi është shquar edhe për qytetari. Ai gëzonte simpatinë e një mase të madhe njerëzish. Një gjë e tillë rriste përmasat e autoritetit të tij jo vetëm në mjedisin familjar, në rrethin e besimtarëve, por edhe në raportet që krijonte me autoritetet fetare, me pushtetin vendor si dhe me elitën intelektuale të qytetit. Hafiz Rizai ishte gjithmonë i pranishëm mes tyre, merrte pjesë në diskutimet e bëra, jepte mendime, bënte propozime, mbante qëndrime dinjitoze, si i kishte hije një kuadri fetar.

Ai njëkohësisht qe një bashkëshort e prind ideaI. Me sakrifica rriti shtatë fëmijë. Kishte harmoni të admirueshme me bashkëshorten, e cila i qëndroi afër dhe iu bë krah i djathtë, sidomos në ditët e vështira të jetës. Shumë afër i ka qëndruar dhe i vëllai Qamili, që e prekte vështirësinë ekonomike të Rizait dhe që bënte që ta zbuste atë.

Hafiz Rizai kurrë nuk pranoi të shtrinte dorën, duke e luftuar ashpër lëmoshën. për këtë familjarët tregojnë: “Ishte natë! Bajrami i vitit 1950. Rizaja ndodhej në xhami. Trokiti dera e shtëpisë dhe një person dorëzoi një pako me ushqime, gjoja të dërguara nga hoxha. Kur Hafizi u kthye në shtëpi dhe mësoi për ngjarjen, u nevrikos shumë. Familjarët kujtojnë përgjigjen e tij: ‘U kam porositur vazhdimisht që të mos pranoni gjë nga të tjerët`. Kurrë nuk u mësua se kush e solli atë pako. Ishte një vlerë qytetare e njerëzve të ndershëm, një akt njerëzor aq fetar e domethënës.

Hafiz Rizai në ushtrimin e detyrës së tij është shprehur në mënyrë të prerë kundër praktikimit të nuskave. Gjatë jetës e veprimtarisë së tij veç shumë miqve, shokëve e dashamirëve ka pasur marrëdhënie të posaçme me Hafiz Halim Hajdarin, Hafiz Myrto Vucin, Hafiz Sheuqet Boriçin, Hafiz Sabri beg Bushatin dhe Hafiz Muhamet Gogolin, për të cilët fliste vazhdimisht me konsideratë të lartë.

Bashkëkohësit dhe pasardhësit e tyre kanë folur e flasin me nderim, vlerësim e mirënjohje për Hafiz Rizanë.

Jeta dhe veprimtaria e tij kanë lënë gjurmë në historikun e xhamive e myftinive të qyteteve, ku ai ka shërbyer. Kontributi i tij ishte vënë në dukje në median e shkruar dhe eletronike, me biseda e tema përkujtimore, vlerësimet janë pasqyruar në sesionin shkencor me temë: “Daut Boriçi, personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe i arsimit shqiptar”, në vepra me karakter biografik si `Një jetë në shërbim të fesë”, në monografi me karakter enciklopedik si “Shkodra dhe motet” dhe në librin “Në kujtim të brezave” kushtuar 40 dijetarëve, edukatorëve, atdhetarëve e hoxhallarëve të shquar të Shkodrës.

Janë kuptimplotë vlerësimet që Haxhi Hafiz Sabri Koçi, kryetar nderi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, i ka bërë këtij personaliteti të shquar në dy raste, me rastin e hapjes së medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër më 12.12.1991 dhe në rastin e inagurimit të xhamisë Fushë-Çelë (Ebu Bekr) po në Shkodër me 27.10.1999:

`Ne i kujtojmë gjithmonë me nderim e vlerësim të posaçëm personalitete të tilla si Sheh Shamia, Hafiz Jusuf Tabaku, Hafiz Ahmet Kalaja, Hafiz Ibrahim Repishti, Hafiz Jusuf Karakaçi, Hafiz Sali Muftia, Hafiz Shefqet Boriçi, Hafiz Abaz Golemi, Hafiz Muhamet Bekteshi, Hafiz Sabri Bushati, Hafiz Esat Myftia, Hafiz Sulejman Lluja, Hafiz Riza Boriçi, Hafiz Abdullah Bërdica, Hafiz Ymer Bakalli etj. etj. Ata janë shumë dhe është e vështirë të numërohen e të renditen.

Rinia shkodrane mori prej tyre edukatë të shëndoshë, me moral të thellë e me nderim të madh, kishte dëshirë të mësonte shumë e të përfitonte sa më tepër njohuri të përgjithshme dhe sidomos edukatë moralo-fetare”.

“…Xhamia e sotme na ringjalli të gjithëve, na zbukuroi vendin dhe shpirtin. Ah sikur të ishin sot mes nesh edhe Hafiz Sabri beg Bushati, Hafiz Sulejman Lluja, Hafiz Qamil Abdyli, Hafiz Riza Borçi etj. që sot nuk janë dhe që panë mjerimin me sytë e tyre dhe derdhën lot. Lotët e tyre dhe tonët sot u kthyen në gëzim e hare.”

Faik Luli

Mësues i Popullit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit