7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU MËSUESI I SHQUAR, FETARI, ATDHETARI

Më të lexuarat

 

“I pështyjmë ata qorrë, që tallen me punët fetare;

Murtaja janë vetë, që t’i hajë fare !… “

Pas një pune hulumtuese disavjeçare nëpër biblioteka, mjedise familjare, dhe, më në fund, në arkivën shekullore të xhamisë “Iljaz Bej Mirahori” të Korçës, arrita të nxjerr mjaft shënime për jetën dhe veprën e Sheh H.A.Zëmblakut.

Kjo figurë shumë e dashur për njerëzit, kudo ku flitet e lexohet shqip e veçanërisht për besimtarët myslimanë, qëndron denjësisht përkrah mikut të tij të shquar, savantit Hafiz Ali Korça, të cilin Zëmblaku vetë e quante vëlla shpirtëror të tij.

Por ndërsa për H. Ali Korçën është shkruar diçka; emrin e tij e mban me krenari një medrese në Kavajë, madje është botuar edhe një monografi për jetën dhe veprën e tij, për Hafiz Zëmblakun pak është folur e shkruar. Të gjithë e njohin “Mevludin” e tij të famshëm, i cili këndohet në raste festash ose përkujtimesh; njohim mjaft vjersha dhe libra bestare në gjuhën shqipe, të vlefshëm edhe sot, pas gati një shekull nga koha kur janë shkruar e botuar. Hafiz Zëmblaku ishte njeri i ditur, shembull i durimit, model i këmbënguljes në punën për përhapjen e fesë së vërtetë dhe arsimit në shqip, në propogandimin e dashurisë për atdheun, diturinë e shkencën, për të vërtetën, paqen dhe mirësinë…

Hafiz Abdullah Zëmblaku e quan veten me krenari “Shërbëtor i Kombit Shqiptar”dhe “Misionar dhe mësues i fesë Islame”. Këto cilësime qëllimlarta ai u përpoq t’i përmbushte me punë të palodhur gjatë gjithë jetës së tij të frytshme, duke shkruar e botuar mbi 30 libra, duke i rënë kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të atdheut, për të predikuar falas besimin e vërtetë, diturinë, atdhetarinë, paqen, të vërtetën dhe progresin. Është ndër të parët hartues dhe organizatorë të botimit të librave në gjuhën shqipe me përmbajtje fetare. Librat shkruheshin gegërisht dhe toskërisht dhe shpërndaheshin falas gjatë veprimtarive që organizonte shpesh Hafizi në veri ose në jug të vendit. Në librat e tij gjenden lista të gjata e të hollësishme për dhënësit e ndihmës përkatëse për këto botime nga besimtarë zemërbardhë e dashamirës.

Duke zotëruar disa gjuhë me mundësi të mëdha shprehëse si arabisht, turqisht, persisht, sllavisht, etj. ai formoi një kulturë të plotë jo vetëm fetare, por edhe letrare e shkencore.

Bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, si me revistat “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu”, etj., ku botoi shkrime të ndryshme. Përktheu vepra fetare, filozofike e mistike, disa prej të cilave mundi t’i shtypte e t’i shpërndante.

Është ndër bejtexhinjtë e fundit, të cilët poeti ynë kombëtar Naim Frashëri i ka vlerësuar, duke thënë për Hasan Zyko Kamberin se është “Mbreti i Vjershëtorëve” (Revista “Zani i Naltë”, Nr. 8, viti 1938, f.248).

Sheh Zëmblaku është ndoshta bejtexhiu i fundit, i cili u përpoq të kuptonte rrezikun e hyrjes pa doganë të fjalëve turke, arabe, persiane në gjuhën shqipe, të pakuptimta për popullin e thjeshtë, rrezikun e përzierjes së gjuhëve deri në përçudnim. (Xh. Spahiu, Perla, 2005/1 f.17)

Hytbet e mbajtura nga Hafiz Zëmblaku janë model i shkëlqyer i zbërthimit të Kur’anit Famëlartë dhe Haditheve të Pejgamberit (a.s.), shembull arsyetimi dhe gërshetimi me problemet e kohës dhe gjendjen faktike të jetës te ne. Ai propagandonte harmoninë fetare në vendin tonë, duke porositur besimtarët që të respektojnë fenë e tjetrit në të drejtë të tyre dhe duke duke u thelluar në Librin e Shenjtë e Praktikën Pejgamberike…

Edhe sot e kujtojnë Hafizin e shquar për zërin melodioz dhe të ngrohtë, për fjalët e zgjedhura nga burimi shqiptar, për diturinë e pasosur që buronte nga natyra e fesë së vërtetë dhe e kërkimeve të tij të mundimshme nëpër libra, për disiplinën e natyrshme që buronte nga karakteri i tij shembullor. Me bagazhin e dijeve që zotëronte ai ishte mjaft i avancuar krahasuar me nivelin kulturor të njerëzve, ku kishte mjaft analfabetë, gjë për të cilën ai dëshpërohej shumë dhe luftonte në praktikë.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ishte edhe një mësues i shquar i gjuhës shqipe. Ka ngritur me qindra kurse verore e dimërore kundër analfabetizmit nëpër qytete e fshatra të ndryshëm të vendit, në një kohë kur pjesa dërrmuese e popullsisë nuk dinin shkrim e këndim dhe jetonte në kushte varfërie e paditurie.

Kurset i organizonte falas, duke siguruar shpeshherë për pjesëmarrësit edhe libra, fletore e lapsa për punë mësimore. Në këto kurse mësohej shqip, por fitohej edhe një kulturë fillestare fetare, si edhe elementë të shkencave të kohës, merrej një edukatë morale e qëndrueshme.

Për të gjitha këto cilësi dhe të tjera, që janë të njohura nga bashkëkohësit e Hafizit, mendoj se kjo figurë shembullore duhet vlerësuar ashtu siç e meriton.

 

Pak fjalë për paraardhësit

Hafiz Abdullah Zëmblaku u lind dhe u rrit në një familje me tradita të lashta atdhetare dhe fetare islame. Gjyshi dhe babai i tij kanë qenë intelektualë të njohur dhe kanë studiuar nëpër shkolla të famshme të kohës së tyre, brenda e jashtë vendit.

Ndërkohë ata nuk e kanë ndarë diturinë e fituar nga dashuria për vatanin dhe gjuhën shqipe, gjuhën e nënës. Nëna e Hafizit quhej Aishe Mulla Hysein Babani dhe rridhte nga një familje me ndjenja fetare dhe atdhetare. Gjyshi i H.A. Zëmblakut quhej Sheh Hasan Sëmlaku dhe kishte kryer shkollë fetare.

Babai i Hafizit quhej Salih Hulusi dhe ka shërbyer për 30 vjet si mësues shkolle fillore, e quajtur ndryshe Ruzhdie, në disa qytete të Shqipërisë si në Bilisht, Durrës, Ersekë, Krujë, etj. Po ashtu ai ka dhënë mësim edhe jashtë vendit si në Prilep, Allosojë, Ankorë, etj.

Në gjuhët turke, arabe e persiane ai kishte arritur një nivel të lartë përvetësimi dhe lexonte nga origjinali vepra të karakterit fetar, filozofik, shkencor dhe letrar. Po ashtu edhe në gjuhët europiane, sllave e greke. Këtë nivel e trashëgoi edhe Abdullahu i vogël, duke ndenjur vazhdimisht pranë të atit dhe duke marrë mësimet e para dhe kulturën fillestare.

I ati i Hafizit vdiq në vitin 1936 në moshën 77 vjeçare, në qetësi dhe paqe, kur i biri, Abdullahu ishte në kulmin e punës së vet fisnike fetare e atdhetare…

 

Vitet e para të jetës dhe arsimimit

Hafiz Abdullah Zëmblaku u lind në qytetin e Bilishtit në vitin 1891. Menjëherë familja u vendos në fshatin Zëmblak, rrëzë fushë-kodrës, në të djathtë të rrugës Korçë-Bilisht, me pamje nga hyrja e fushës së Devollit. Ishte fëmijë i urtë e shumë i zgjuar, plot nur.

Kishte dëshirë të meditonte gjatë dhe të dëgjonte me ëndje të atin kur falej dhe këndonte sure nga Kur’ani i Shenjtë. I pëlqente të thurte vargje e të bënte vjersha të shkurtra sipas modeleve të librave që i lexonin prindërit dhe të bejteve që qarkullonin në atë kohë, disa prej të cilave kishin thekse satire dhe ironie, ku fshikulloheshin vese të njerëzve dhe të zakoneve shoqërore e familjare të kohës…

Mësimet e para fillore dhe të mesme të asaj kohe (e mesmja quhej qytetëse), Abdullai i vogël i mori prej babës së vet Sali Hulusiut në kushtet e shtëpisë. Mësoi përveç gjuhës shqipe edhe bazat e turqishtes, arabishtes e persishtes.

Pastaj i vazhdoi studimet teologjike në Medresenë e Prilepit, atje ku ka shërbyer edhe i ati, si mësues Ruzhdieje.

Në vitin 1910, në moshën 19 vjeçare i mbaroi këto studime dhe u nis për të konkuruar në Universitete të Stambollit të Turqisë, kryeqendër e Perandorisë Osmane, qendër e madhe diturie, qeverisjeje, qytetërimi, ku gëlonin virtyte dhe vese të çfarëdollojshme.

Dëshironte të vijonte studimet e larta filozofike dhe fetare dhe u pranua në Degën Ilahijat të Universitetit. Medreseja e naltë ku ai kreu studimet quhej Darulhilafe dhe shkolla e lartë e Stambollit quhej Darulfununi Sherijje (Universitete) (marrë nga shënimi në Mevludi Paq, viti 1940). Aty mori vlerësimet më të larta në teori e praktikë. Tregojnë se në përfundim të studimeve teorike e praktike, studentët hoxhallarë të rinj i çuan në një pyll. U dhanë nga një pulë të gjallë dhe nga një thikë dhe u thanë: “Therrini, duke mos ju parë kush! “Të rinjtë u shpërndanë nëpër pyll dhe secili e kreu punën e ngarkuar, përveç 5 vetave, midis të cilëve edhe Abdullahu. Kur i pyetën përse nuk kishin bërë si të tjerët, A. Zëmblaku shpjegoi në emër të të pestëve: “Nuk mundëm, sepse Allahu shikon gjithçka!” Atëhere drejtuesit e shkollës vlerësuan me nota maksimale të pesë të rinjtë në fjalë, midis tyre, të parin H.A.Zëmblakun.

Sapo përfundoi studimet e larta dhe u diplomua shkëlqyeshëm, për shkak të fillimit të Luftës së Parë të Përbotshme, u mobilizua nën armë nga shteti osman. Pasi shërbeu për disa kohë si oficer rezervist, u lirua dhe u kthye në atdhe, pranë familjes, plot ëndrra të bukura dhe plane për të ardhmen.

 

Misionar i përkushtuar dhe mësues i palodhur

Ishte koha kur vendi kishte nevojë për njerëz të mësuar e të përkushtuar dhe djaloshi i devotshëm dhe i përgatitur më së miri duhej t’i shërbente popullit të tij. Për disa vjet Hafiz Abdullahu punoi si imam hatib në fshatin Zëmblak. Aty i hyri punës për të zgjeruar njohuritë e tij fetare, shkencore e kulturore, duke lexuar pa u lodhur literaturë të vjetër dhe bashkëkohore, nga botimet që gjendeshin pranë familjes dhe në libraritë e Korçës, Tiranës, madje porositi literaturë edhe jashtë vendit.

Në vitin 1921, me propozim të Ministrisë së Arsimit u emërua mësues në fshatin Kuç dhe Belorta të Korçës. Në këtë detyrë fisnike punoi vetëm tre vjet, pastaj dha dorëheqjen, për t’u përkushtuar tërësisht në veprimtari fetare dhe për të praktikuar arsim të lirë dhe fe pa pengesë.

Tashmë H. Abdullahu e ndjente veten të përgatitur për të nisur punën intensive në lëmin e përkthimeve dhe botimit të librave fetare dhe shkencore në gjuhën amtare, për të cilat kishte mungesa të mëdha dhe kërkesa të vazhdueshme. Hafizi angazhohej vetëm 6 muaj në detyrën e tij si imam në fshatin Zëmblak, ndërsa gjysmën tjetër të vitit linte një zëvendës të përgatitur nga vetë ai dhe shëtiste në të gjithë vendin, duke dhënë mësime, duke shpërndarë literaturë e duke ndihmuar e inspektuar të gjitha shkollat fetare islame të vendit. Për këtë ai kishte edhe autorizimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe të Ministrisë së Arsimit. (Shënimet në ballinën e prapme të librit “Bilbili Besëtar”, viti 1936).

Kryeministri Mehdi Frashëri, mik i vjetër i Hafizit, i ka premtuar: “Hafiz Zëmblaku ligjërisht është i lirët të mësojë Fe dhe për këtë çështje do t’i them edhe Ministrit të Arsimit, që të mos pengohet nga arsimtarët. (Marrë nga libri “Bilbili shpirtnor ose Misionarët myslimanë)

Në punën e tij misionare, që nga viti 1936 merrte edhe vajzën e tij 8 vjeçare, Hedijen, e cila u bënte mësim vajzave, duke u mësuar atyre vjersha, këngë dhe ilahi, lojëra të ndryshme, shkrim e këndim shqip e arabisht.

Disa herë iu bë ftesë për të kryer detyrën e Myftiut në Korçë dhe Kavajë, por ai e shtynte përgjigjen, duke refuzuar, për të qenë i lirë në veprimtaritë e tij të madhe e të palodhur si përkthyes e botues, në shërbim të mbarëvajtjes së fesë Islame dhe të arsimit shqip.

Si rezultat i një pune të madhe, këmbëngulëse e të gjatë në kohë me librin dhe botimet, H.A. Zëmblaku ia doli mbanë të përkthejë, hartojë, shkruajë dhe botojë mbi 30 libra origjinalë dhe të përshtatur, të cilët ishin shumë të kërkuar dhe që u ribotuan disa herë, për të qarkulluar brenda e jashtë vendit.

Në punën e tij fisnike e ndihmoi shumë edhe miqësia që pati me të palodhurin dijetar dhe misionar, Hafiz Ali Korça. Pati bashkëpunim edhe me intelektualë të tjerë të rajonit dhe të vendit, myslimanë ose jo, si edhe me dijetarë të huaj.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ia doli të bëhej njëri nga intelektualët më të spikatur dhe më të përkushtuar të kulturës shqiptare, fesë islame dhe arsimit shqip, duke fituar një reputacion të madh brenda e jashtë vendit.

Edhe pas çlirimit veprimtaritë fetare dhe arsimore i vazhdoi, me gjithë kushtet e vështira të kohës dhe pengesat e monizmit. Është dënuar dy herë me burg nga gjykatat komuniste për motive politike. Po ashtu vlen të theksohet se H. Avdullau ka qënë i internuar për disa muaj në Krujë nga qeveria e Zogut, me vetë porosinë e mbretit, për shkak se në një libër pat shkruar “ Ti moj Nëna Mbretëreshe,/ k’to Komuna pse i deshe?…” Tregojnë se pas internimit Mbreti e thirri në Tiranë, ku patën një bisedë kokë më kokë për probleme të ndryshme. Monarku i dha pastaj një shpërblim për familjen dhe Sheh Abdullau u kthye sërish në fshat për të vazhduar punën e vet…

 

Abdullah Zëmblaku dhe Shkodra

Nuk është e rrastit që H.A. Zëmblaku i ka shkruar një pjesë të veprave të tij edhe në dialektin gegnisht, të cilin e vlerësonte shumë. Ai ka punuar shumë edhe në veri të Shqipërisë duke kryer shërbime, siç thotë ai vetë “… për Hatër të Zotit, jo për hatër të rrogës.”

Shkodra është vendi ku ka punuar më shumë Hafizi, sidomos në periudhën pas mbarimit të shkollave, në verë. “Mësimi shqip plotësohet për pak ditë dhe drita e besimit rrënjoset përjetë”, thodhte ai për këto kurse verore.

Në vitet ’30 të shekullit të 19-të Shkodra kishte 45 xhami, ndërsa shkodranët çmoheshin përgjithësisht si njerëz fetarë e kombëtarë. Në 10 xhamitë kryesore, si në Rus, Guras, Mbret, etj., Hafiz Abdullau organizonte në verë shkolla të mësim- besimit. Fëmijët dhe të rinjtë, vajza e djem, mësonin një javë, ku mblidheshin në shoqëri, merrnin libra e fletore falas dhe mësonin faljet sipas rregullave përkatëse.

“Shkodra fetare – Meka e Shqipërisë; Shkodra e madhe – Stambolli i Shqipërisë”, shkruan për këtë qytet me gëzim e krenari H.A. Zëmblaku. Duke përshkruar misionin e tij fetar të vitit 1936 në të gjithë Shqipërinë, thekson padijen dhe nivelin e ulët përgatitor të klerit mysliman në bazë.

“Në botë ca njerëz turpërohen nga robi, ca nga Zoti, po ca presin vetëm rrogat.” “Në Vlorë ka xhami, po si kafazi pa bilbil – s’ka xhemmat… Peshku, kur qelbet nga koka, zë qelbet edhe nga bishti”, shkruan midis të tjerash Hafizi me theks kritik në librat e tij.

Le të përmendim se për qëndrimin e tij tepër kritik edhe ndaj punëve të qeverisë, H.A. Zëmblaku është internuar pas viteve ’30 të shekullit XX për një muaj në qytetin e Krujës.

Në një vjershë të tij ai shkroi “Ti, moj Nëna Mbetëreshe, këto komune pse i deshe?!…”, duke kritikuar me theks satirik disa reforma të regjimit. Interesante janë mendimet e H.Zëmblakut për të dy dialektet kryesore në vendin tonë. Ai shkruante: “Për me shkurtim gradon Gegnishtja, për me hollësi na duket Toskërishtja, e cila rreh çekan në majë të kokës. Gegnishtja më tepër tingëllon në hundë, përmenet i ndjeri Hafiz Ali Korça, në gjuhën tonë, po të mos përdoren fjalë të huaja, të dy palë dialektet, që janë motra, do të ruhen dhe do të njihen përgjithësisht… ” (Jepet një fjalor i vogël f.83 Bilbili i nëntë – Pëllumbi.)

 

Vitet e fundit të jetës

H.A.Zëmblaku nuk është marrë shumë me politikë, por edhe indiferent nuk ka qëndruar ndaj saj. Parapëlqente një monarki të tipit perëndimor, ku Liria të harmonizohej mirë me dituritë dhe edukatën fetare. Ai agjëronte gjithë vitin dhe bënte ibadet (falej) vazhdimisht, sidomos në namaz nate.

Ai e kuptonte mirë politikën, ndonëse nuk ju kushtua shumë asaj. Përkrahte por edhe mbështeste e frymëzonte forcat politike të asaj kohe që e urrenin vërtet pushtuesin, pa braktisur traditën dhe pa qenë skllevër të idhujtarisë bolshevike. Miqtë e tij nga Zëmblaku ishin rreshtuar nëpër aradhat atdhetare të traditës, të cilët nuk kishin lidhje me idetë e huaja. Hafizi shpirtërisht i përkrahu ata.

Për rrjedhojë ai u pa me sy jo të mirë nga regjimi i ri monist, që doli pas luftës. Megjithatë Shehu mbeti në sytë e popullit ashtu siç ishte në të vërtetë, i urtë, i ditur e i drejtë, durimtar e atdhetar veteran. Veprimtaria e madhe atdhetare, librat e shumtë të shkruar e botuar dhe jeta e tij shembullore e kanë bërë figurën e tij të pavdekshme brez pas brezi dhe një nga figurat më të shquara të fesë Islame dhe arsimit në trojet shqiptare.

Pas çlirimit të vendit, për shkak të qëndrimit të regjimit të ri monist ndaj fesë dhe klerikëve, përbuzës dhe denigrues përgjithësisht, Hafiz Zëmblaku, si edhe klerikë të tjerë të vendit, vuajtën dhe hoqën keq. Për motive politike dhe fetare Hafizi u dënua dy herë nga gjykata e atëhershme.

Ai nuk lejohej të qarkullonte lirshëm në të gjithë vendin si më parë, nuk i lejohej të botonte libra, si dikur. Kështu që veprimtaria e tij fetare, letrare e shkencore u rrudh, u përqendrua brenda mureve të shtëpisë dhe në xhaminë e fshatit Zëmblak.

Ai shihte me keqardhje se si brezi i ri po e braktiste besimin fetar, po shthurej moralisht, nuk po nderohej pasuria, puna e tjetrit; njerëzit po vetëflijoheshin në arenën e madhe të luftës së klasave, vendi po izolohej gjithnjë e më shumë nga miqtë e dikurshëm nëpër botë dhe në moçalin ideologjik të kohës po lulëzonte ateizmi, literatura bolshevike dhe përndjekja e intelektualëve, për të cilën kishte shkruar dikur me tone alarmi Hafiz Ali Korça.

Hafiz Abdullah Zëmblaku vdiq më 31 gusht 1960, i përcjellë me respekt dhe mallëngjim nga mijëra besimtarë, nga të afërm, shokë e miq, nga vendlindja dhe diaspora.

 

Hysen Kobellari

 

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit