Lufta ndaj Iranit dominoi ditën e dytë të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të G7 pranë Parisit. Ministrat ushtruan presion ndaj homologut të tyre amerikan, Marco Rubio, për të marrë sqarime mbi objektivat e luftës kundër Iranit, ndërsa disa vende evropiane diskutuan edhe për mbështetjen e Rusisë ndaj Iranit.
Rubio mungoi në ditën e parë të takimit, i cili u zhvillua në një manastir historik të shndërruar në kompleks luksoz pranë Parisit. Në këtë takim, të organizuar nga Franca, marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të G7: Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shprehu shpresën që Rubio të sqarojë “qasjen dhe interesat amerikane” në këtë luftë, e cila sipas tij nisi më 28 shkurt në bashkëpunim me Izraelin. Ai theksoi nevojën për një “qëndrim të përbashkët” mes aleatëve dhe SHBA-së.
Presidenti amerikan Donald Trump zgjati afatin për sulme ndaj objekteve energjetike në Iran deri më 6 prill. Megjithatë, asnjë nga vendet e G7 nuk ka shprehur mbështetje të qartë për luftën.
Nga ana tjetër, Trump kritikoi aleatët për moskontribut në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila është jetike për furnizimet globale me naftë dhe gaz.
Ministrja e jashtme britanike, Yvette Cooper, bëri thirrje për një “zgjidhje të shpejtë” të konfliktit, duke akuzuar Iranin se po “merr peng ekonominë globale” duke penguar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj civilëve
Në përfundim të takimit, ministrat e jashtëm të G7 kërkuan ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Iran, duke theksuar se nuk ka asnjë justifikim për shënjestrimin e qëllimshëm të popullsisë civile.
Ata theksuan rëndësinë e reduktimit të ndikimit të konfliktit mbi civilët, infrastrukturën jetike dhe partnerët rajonalë. Gjithashtu paralajmëruan për pasoja direkte në ekonominë globale, veçanërisht në sektorët e energjisë, plehrave kimike dhe tregtisë.
Ministrat ritheksuan rëndësinë e rikthimit të lirisë së sigurt të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke e konsideruar atë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe ekonominë botërore.
Gjithashtu, ata ranë dakord të zhvillojnë një takim me ministrat e jashtëm të vendeve të Gjirit për të koordinuar më mirë mbi zhvillimet rajonale.
Akuza ndaj Rusisë
Në të njëjtin kontekst, vende evropiane akuzuan Rusinë se po ndihmon Iranin në këtë luftë, përfshirë furnizimin me imazhe satelitore dhe zhvillimin e dronëve.
Zyrtarë evropianë dhe burime të sigurisë perëndimore thanë se Rusia po i jep Iranit mbështetje për të goditur objektiva amerikane. Megjithatë, Rusia i ka mohuar këto akuza.
Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se Moska i ka dhënë Iranit pajisje ushtarake, por mohoi kategorikisht ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Burimi: Agjenci lajmesh
