Falënderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa salavatet, paqja dhe bekimet qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka më pejgamber.
Vërtet, prioritetet në rrugëtimin e Ummetit nisen nga rregullat e politikës sheriatike dhe nga qëllimet (mekasid) universale të zbatimit të fesë. Rregullimi i prioriteteve i nënshtrohet një kuptimi (idrak) sheriatik dhe atij objektivor (mekasidik) të gradave të fjalëve dhe veprave, si dhe një vlerësimi të mirë të rëndësisë dhe peshës së tyre në aspektin teorik dhe praktik.
Këtë fikh (kuptim), Allahu i Madhëruar ua mësoi robërve të Tij në Librin e Tij dhe përmes gjuhës së Pejgamberit të Tij ﷺ.
Allahu i Madhëruar thotë:
{ يَسۡـٔلُونَكَ عَنِ ٱلشَّهۡرِ ٱلۡحَرَامِ قِتَالٖ fِيهِۖ قُلۡ قِتَالٞ فِيهِ كَبِيرٞۚ وَصَدٌّ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ وَكُفۡرُۢ بِهِۦ وَٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِ وَإِخۡرَاجُ أَهۡلِهِۦ مِنۡهُ أَكۡبَرُ عِندَ ٱللَّهِۚ وَٱلۡفِتۡنَةُ أَكۡبَرُ مِنَ ٱلۡقَتۡلِۗ}
“Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaj: ‘Lufta në të është mëkat i madh, por pengimi nga rruga e Allahut, mohimi i Tij dhe i Mesxhidi Haramit, si dhe dëbimi i banorëve të tij prej tij, janë mëkate edhe më të mëdha te Allahu; kurse fitneja (shirku) është më e rëndë se vrasja!'” [El-Bekare: 217]
Dhe thotë i Madhëruari:
{ ۞أَجَعَلۡتُمۡ سِقَايَةَ ٱلۡحَآجِّ وَعِمَارَةَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِ كَمَنۡ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِ وَجَٰهَدَ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِۚ لَا يَسۡتَوُۥنَ عِندَ ٱللَّهِۗ وَٱللَّهُ لَا يَهۡدِي ٱلۡقَوۡمَ ٱلظَّٰلِمِينَ * ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَهَاجَرُواْ وَجَٰهَدُواْ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِ بِأَمۡوَٰلِهِمۡ وَأَنفُسِهِمۡ أَعۡظَمُ دَرَجَةً عِندَ ٱللَّهِۚ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡفَآئِزُونَ}
“A e konsideroni ju dhënien e ujit haxhinjve dhe mirëmbajtjen e Mesxhidi Haramit të barabartë me atë që beson Allahun dhe Ditën e Fundit dhe lufton në rrugën e Allahut? Ata nuk janë të barabartë te Allahu… Ata që besuan, emigruan dhe luftuan në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre, kanë gradën më të lartë te Allahu dhe pikërisht ata janë fituesit.” [Et-Teube: 19-20]
Pejgamberi ﷺ i mësoi gradat e veprave dhe atë që meriton t’i jepet përparësi.
Kur Pejgamberi ﷺ dërgoi Muadhin (radijallahu anhu) si thirrës dhe mësues, i tha:
«إِنَّكَ تَقْدَمُ عَلَى قَوْمٍ أَهْلِ كِتَابٍ، فَلْيَكُنْ أَوَّلَ مَا تَدْعُوهُمْ إِلَيْهِ عِبَادَةُ اللَّهِ، فَإِذَا عَرَفُوا اللَّهَ، فَأَخْبِرْهُمْ أَنَّ اللَّهَ قَدْ فَرَضَ عَلَيْهِمْ خَمْسَ صَلَواتٍ فِي يَوْمِهِمْ وَلَيْلَتِهِمْ، فَإِذَا فَعَلُوا، فَأَخْبِرْهُمْ أَنَّ اللَّهَ فَرَضَ عَلَيْهِمْ زَكَاةً مِنْ أَمْوَالِهِمْ وَتُرَدُّ عَلَى فُقَرَائِهِمْ، فَإِذَا أَطَاعُوا بِهَا، فَخُذْ مِنْهُمْ وَتَوَقَّ كَرَائِمَ أَمْوَالِ النَّاس»
“Ti do të shkosh te një popull nga Ithtarët e Librit. Le të jetë gjëja e parë në të cilën i thërret: adhurimi i Allahut. Nëse e njohin Allahun, atëherë i njofto se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse e bëjnë këtë, njoftoji se Allahu ua ka bërë obligim zeqatin në pasuritë e tyre, i cili merret nga të pasurit e tyre dhe u kthehet të varfërve të tyre. Nëse binden për këtë, atëherë merre prej tyre, por ruaju pasurive të tyre më të çmuarat.” (Buhariu, nr. 1458 dhe Muslimi, nr. 19).
Nga Pejgamberi ﷺ e mori këtë fikh edhe Omeri (radijallahu anhu), i cili i shkroi Ebu Musa el-Esh’ariut (radijallahu anhu) duke e udhëzuar:
«إن القضاء فريضة محكمة، وسنة متبعة، افهم إذا أدلي إليك، فإنه لا ينفع كلمة حق لا نفاذ له، آس بين الناس في وجهك ومجلسك وعدلك، حتى لا يطمع شريف في حيفك، ولا يخاف ضعيف من جورك»
“Gjykimi është obligim i prerë dhe sunet që ndiqet. Kupto mirë kur të paraqitet çështja, sepse nuk bën dobi fjala e vërtetë nëse nuk zbatohet. Trajtoji njerëzit barabartë kur përballesh ballë për ballë me ta, kur përballesh me ta në prani të njerëzve tjerë dhe kur gjykon me drejtësi ndaj tyre, që i pari (fisniku) të mos lakmojë anshmërinë tënde dhe i dyti (i dobëti) të mos ketë frikë nga padrejtësia jote.” (Darekutni, nr. 4471 dhe Bejhekiju, nr. 20460).
Dijetarët e mëdhenj të çdo kohe janë kujdesur për sqarimin e këtyre prioriteteve, kështu që Ummeti eci nën dritën e Librit të Zotit, Sunetit të Pejgamberit ﷺ, qëllimeve të Sheriatit dhe vlerësimeve të dijetarëve gjatë një rrugëtimi të gjatë.
Derisa Ummeti arriti në këtë epokë me dobësinë dhe thyerjen e tij, ku u vërejtën rishikime dhe tërheqje. Kështu u ngritën zëra dhe thirrje që kërkojnë kërkimin e shkaqeve, vlerësimin e rezultateve dhe rishikimin e përvojave.
Në dritën e gjendjes së trazirës, përplasjes globale dhe padrejtësisë së paprecedentë ndaj të vërtetës dhe ithtarëve të saj, shumë dijetarë dhe thirrës të nderuar ndjejnë nevojën për ri-shikimin e prioriteteve shkencore dhe praktike në fushën e Ummetit sot.
Fjalët e mëposhtme janë një përpjekje për të rregulluar idetë dhe veprat.
I kërkoj Allahut që të bëjë dobi me to dhe t’i pranojë me mirësinë e Tij!
Së pari: Nxjerrja e robërve nga adhurimi i robërve te adhurimi i Zotit të robërve
Urdhri i parë dhe më parësori: Teuhidi i Allahut të Madhëruar.
Ndalesa e parë dhe më parësorja: Shirku në të gjitha format e tij, qoftë shirku i varreve apo shirku i pallateve.
Allahu i Madhëruar thotë:
{فَٱعۡلَمۡ أَنَّهُۥ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا ٱللَّهُ}
“Dije se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Allahut” [Muhamed: 19].
Hyrja në betejën akidore për reformimin e besimit i paraprin betejës ushtarake, madje edhe betejave politike apo të tjerave!
Njerëzit e shirkut dhe tiranisë nuk luftohen me dorë dhe shpatë përveçse pasi të luftohen me Kuran, t’u arrijë thirrja dhe t’u ngrihet argumenti.
Çlirimi i njeriut fillon vetëm nga çlirimi i tij prej çdo robërie dhe prangash, përveç robërisë ndaj Krijuesit të njerëzimit!
Kjo është liria e parë dhe më e rëndësishmja. Ai që çlirohet në akidën e tij nga iluzionet e shirkut dhe supersticionit, ka gjasa që të mos e skllavërojë epshi dhe të mos e përpijë dyshimi!
Thirrja në Teuhid — përveçse është vepra më shpresëdhënëse — largon frikën nga zemrat e masës, i lidh ata me njerëzit e thirrjes dhe ia pret rrugën mediave të fitnes. Ai është nderi i thirrësve, mbrojtje nga dobësia dhe shkak për lënien e gjurmës!
Çlirimi i njeriut nga çdo adhurim tjetër përpos adhurimit ndaj Allahut, të Vetmit, Gjykatësit, është rruga e mëkëmbësisë (istihlaf) dhe fuqizimit të kësaj feje, bashkë me jetën e mirë, lulëzimin e qytetërimeve dhe sigurinë e shoqërive.
Allahu i Madhëruar thotë:
{ وَعَدَ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ مِنكُمۡ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ لَيَسۡتَخۡلِفَنَّهُمۡ فِي ٱلۡأَرۡضِ… يَعۡبُدُونَنِي لَا يُشۡرِكُونَ بِي شَيۡـَٔاۚ}
“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët”. [En-Nur: 55].
Thirrja në Teuhid vendoset ashtu siç duhet vetëm duke ndaluar shirkun në të gjitha faqet e tij! Qoftë kjo në drejtimin e adhurimeve dhe sakrificave ndaj një idhulli, ose në drejtimin e bindjes dhe nënshtrimit ndaj atij që sjell ligje, lejon apo ndalon pa lejen e Allahut!
{ أَمۡ لَهُمۡ شُرَكَٰٓؤُاْ شَرَعُواْ لَهُم مِّنَ ٱلدِّينِ مَا لَمۡ يَأۡذَنۢ بِهِ ٱللَّهُۚ}
“A kanë ata idhuj, të cilët u kanë caktuar një fe që nuk e ka lejuar Allahu?! Sikur të mos kishte qenë Fjala e vendimit të mëparshëm, ata do të ishin gjykuar menjëherë. Për keqbërësit është përgatitur një dënim i dhembshëm”. [Esh-Shura: 21].
{قُلۡ يَٰٓأَيُّهَا ٱلۡكَٰفِرُونَ ١ لَآ أَعۡبُدُ مَا تَعۡبُدُونَ ٢}.
Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni”. (El-Kafitun: 1-2).
Së dyti: Prioriteti i rikthimit te Çështja e Parë
Prioriteti i parë i reformës pas Teuhidit, dhe kryesorja e detyrave në thirrjen e Ummetit në çdo kohë dhe vend, është rikthimi te Çështja e Parë!
Ajo është:
«مَا أَنَا عَلَيْهِ الْيَوْمَ وَأَصْحَابِي»
“Ajo në të cilën jam unë sot dhe shokët e mi”. (Tirmidhiu, nr. 2641. Hadihti është sahih).
“Ajo që nuk ka qenë fe atëherë, nuk do të jetë fe as sot”, siç thoshte Imam Maliku, dhe se “fundi i këtij Ummeti do të përmirësohet vetëm me atë që u përmirësua fillimi i tij”. (Transmeton El-Xheuheriu në Musnedin e Muvata-s).
Lum për të huajt (guraba) që kapen pas udhëzimit të parë, ndjekin brezin e parë dhe qëndrojnë në menhexhin e tyre!
Qëndrimi në menhexhin e Ehli Sunetit do të thotë zbulimi i tij dhe sqarimi i tij në çdo fushë shkencore dhe praktike fillimisht, si dhe kapja pas qëllimeve, parimeve, konstanteve dhe makasidave (objektivave), si dhe disiplinimi në përdorimin e mjeteve dhe programeve legjitime.
Qëndrueshmëria në menhexhin e vërtetë është prioritet i dijetarëve dhe thirrësve; nuk lejohet cënimi i tij për hir të një praktike politike apo për një çështje interesi!
Politikani musliman, nën dritën e konflikteve aktuale, mund të pranojë marrëveshje dhe harmonizime që dijetarit dhe thirrësit nuk i lejohen. Le të sqarohen qëndrimet e menhexhit dhe le të arsyetohen muslimanët që punojnë në rrethanat e jashtëzakonshme dhe shtypëse sot. Boshti i besnikërisë (uela) është mbi besimin, jo mbi lojalitetin ndaj organizatave të thirrjes, e aq më pak mbi organizimet politike!
Nga faktorët më të rëndësishëm të prioriteteve të rikthimit te Çështja e Parë sot është ekzistenca e një lufte intelektuale ideologjike për rrëmbimin e Islamit dhe luftimin e tij nga brenda, përmes ndryshimit të koncepteve, tjetërsimit të kuptimeve të ajeteve, parimeve dhe terminologjive, si dhe tronditjes së konstanteve të akidës dhe gjykimeve sheriatike!
Këtë luftë, në emër të armiqve të Ummetit, e zhvillojnë agjentë zyrtarë me emra dhe imazhe të ndryshme!
Së treti: Krijimi i udhëheqjes shkencore të përgjithshme për Ehli Sunetin dhe Xhematin
Ajo është referenca e dijetarëve të mëdhenj, rreth të cilëve bashkohet fjala dhe te fetvatë e të cilëve mbështetet Ummeti në çështjet publike. Ata që njihen për qëndrimet e tyre në mohimin e të këqijave dhe përballjen me gabimet, rreziqet dhe krizat, dhe që vendosën besnikërinë ndaj Ummetit para përkatësisë ndaj një partie apo grupi.
Mënjanimi i padrejtë i dijetarëve rabanijë nga skena e udhëzimit publik, largimi i një grupi tjetër për shkak të mbylljes në çështje shkencore private, tërheqja e shumë të tjerëve nga çështjet publike dhe largësia e tyre nga formulimi i qëndrimeve sheriatike ndaj të rejave dhe krizave bashkëkohore — ia hapi rrugën personave të pakualifikuar dhe krijimit të udhëheqjeve popullore të rreme!
Është për të ardhur keq që institucionet fetare zyrtare, komisionet e dijetarëve dhe zyrat e fetvave janë bllokuar në çështjet publike në vitet e fundit!
Asnjë shtet sot nuk ka një udhëheqje shkencore rreth të cilës janë bashkuar të gjithë, ndërkohë që ka një përpjekje intensive për të njollosur dijetarët dhe institucionet e tyre të pavarura.
Ajo për të cilën fusha shkencore dhe praktike ka nevojë sot: ekzistenca e studimeve strategjike përmes kompetentëve dhe qendrave kërkimore të specializuara, që gëzojnë pavarësi nga të gjitha presionet materiale dhe morale; për të menaxhuar dhe punësuar energjitë, për të ndjekur punën në përballje me luftën e armiqve dhe për të ndriçuar rrugën e fitores për Ummetin.
Bashkimi i dijetarëve dhe thirrësve rabanijë në çdo vend, përmes institucioneve shkencore të pavarura, do të bashkonte njerëzit rreth një fjale këshilluese dhe një fetve të drejtë, do të përballte luftën ndaj konstanteve dhe do të forconte besimin e shoqërisë te dijetarët e saj.
Dhe krijimi i një udhëheqjeje shkencore (dijetaresh) të bashkuar në çdo vend, përgatit terrenin për shfaqjen e Udhëheqjes Shkencore të Përgjithshme të Ehli Sunetit në nivel global.
Së katërti: Rikthimi i Rrymës së Përgjithshme (Tejjarul Amm) në Ummet
Kjo arrihet duke rikthyer ekzistencën, ndikimin dhe menaxhimin e kësaj rryme. Ajo realizohet përmes afrimit të thirrjeve, grupimeve dhe personaliteteve sunite, me vizionet dhe idetë e tyre teorike dhe orientimet e tyre praktike, që të koordinojnë qëndrimet e tyre në çështjet publike dhe të drejtojnë energjitë e tyre përmes institucioneve të përbashkëta për të mbrojtur parimet e fese, rregullat bazike të besimit islam edhe sherijatin.
Rryma islame e përgjithshme ka institucionet e saj shoqërore, të cilat e mbrojtën Ummetin në pjesën më të madhe të historisë së tij nga tirania e pushtetit apo sundimi i grupeve të dhunshme.
Institucionet e saj në shkencë, fetva, thirrje, urdhërim në të mirë e ndalim nga e keqja, si dhe në industri, ekonomi, media, politikë, administrim, solidaritet dhe vakëf.
Me keqardhje, kolonializmi nuk punoi në asgjë aq shumë sa në copëtimin e rrymës bashkuese të Ummetit dhe dobësimin e opinionit të tij publik, duke sunduar mbi shumë institucione dhe duke i dobësuar ato përmes:
- Kalimit të varësisë së tyre te shteti laik nacionalist.
- Zhdukjes së burimit të tyre financiar të pavarur (vakëfet).
- Miratimit të ligjeve që i pengojnë ato të kryejnë misionin e tyre.
- Emërimit të personave jo të besueshëm dhe jo kompetentë në krye të tyre!
Rikthimi i ekzistencës dhe ndikimit të rrymës islame të përgjithshme është në fakt aktivizim i akidës së besnikërisë (uela) mes muslimanëve dhe edukim mbi besnikërinë ndaj Ehli Sunetit, pavarësisht dallimeve në prirjet praktike dhe interesat e thirrjes.
Ai është forcim i fikhut të bashkimit dhe edukim i gjeneratave mbi pajtimin.
Allahu i Madhëruar thotë:
{إِنَّمَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ إِخۡوَةٞ}
“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. [El-Huxhurat: 10].
Dhe duke paralajmëruar nga pasojat e përçarjes:
{إِلَّا تَفۡعَلُوهُ تَكُن فِتۡنَةٞ فِي ٱلۡأَرۡضِ وَفَسَادٞ كَبِيرٞ}
“Nëse nuk veproni ashtu siç jeni urdhëruar, do të bëhet ngatërresë dhe shkatërrim i madh në Tokë”. [El-Enfal: 73].
Krijimi i rrymës bashkuese të Ummetit sot është detyrim (farz) për çdo musliman.
Allahu i Madhërishëm thotë:
{وَٱعۡتَصِمُواْ بِحَبۡلِ ٱللَّهِ جَمِيعٗا وَلَا تَفَرَّقُواْۚ}
“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!”. (Ali Imran; 103).
Besnikëria mes besimtarëve nuk këputet nga një flamur thirrjeje, as nga përkatësi partiake dhe as nuk prishet nga ixhtihadet reformuese.
Përkatësia ndaj Ummetit dhe Sunetit është qëllim madhor (maksad), që i jepet përparësi para përkatësisë ndaj një grupi apo thirrjeje, pasi kjo e fundit është mjet (uesile).
Rryma islame e përgjithshme përfaqëson një nevojë reale praktike për të përballuar sfidat cioniste, kryqtare, laike dhe rafidite, si dhe projektet e copëtimit që godasin unitetin e shoqërive dhe i rrezikon organizatat edhe shtetet në mënyrë të barabartë.
Nga mësimet e realitetit sunit është se: nuk ka asnjë grup apo parti, sado e fortë të jetë, që mund të qëndrojë e vetme në fuqizimin dhe vendosjen e pushtetit të fesë.
Kjo rrymë përfaqëson një përtëritje (texhdid) për të dalë nga kriza. Ashtu si ideja e punës kolektive (xhematore) pas rënies së shtetit Osman ishte një zgjidhje përtëritëse, edhe rryma e përgjithshme përfaqëson një përtëritje të merituar në punën kolektive, si dhe një zhvillim në përpjekjen e thirrjes (da’vetit), një forcim të anës së besnikërisë (uela) ndaj të vërtetës, një dhënie përparësie interesave të Ummetit, dhe një zhvillim të fikhut të harmonisë (fikhut-tetavu’) mes Ehli Sunetit.”
Ajo rregullon pluralizmin në fushën e thirrjes dhe politikës, që pluralizmi të jetë bekim e jo mallkim, ku shtohen burimet e fuqisë pa u përçarë fjala mbi pikat e rëndësishme të fesë dhe pengon dhënien e përparësisë interesave të pjesshme mbi interesin e përgjithshëm, si dhe përgatit terrenin për bashkimin e fjalës së ‘Njerëzve të Lidhjes dhe Zgjidhjes’ (Ehlul Hal-li uel Akdi) në çdo vend, nga çdo dijetar ndjekës (i Sunetit) dhe çdo bartës i autoritetit të dëgjueshëm.
Kështu, adhurimet kolektive në nivel të Ummetit patjetër kërkojnë bashkimin e mendjeve, krahëve dhe pasurive brenda kornizës së institucioneve të ‘Rrymës së Përgjithshme’ në çdo vend dhe rajon; me këtë, shoqëritë muslimane — përmes krijimit të Rrymës Islame Bashkuese në çdo vend — bëjnë një hap të rëndësishëm në rrugën e ‘Ummetit të Vetëm’.
Allahu i Madhëruar thotë:
{وَلَيَنصُرَنَّ ٱللَّهُ مَن يَنصُرُهُۥٓۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَقَوِيٌّ عَزِيزٌ}
“Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij; vërtet Allahu është i Fortë, i Plotfuqishëm”. [El-Haxh: 40]
Dhe thelbi i fjalës: Sikurse individët dhe organizatat duhet të përpiqen në realizimin e ixhtihadeve të tyre reformuese, po ashtu mbi të gjithë rëndon një detyrë e rëndësishme: ngritja e ‘Rrymës së Përgjithshme Bashkuese’ të Ehli Sunetit, menaxhimi i institucioneve, punëve dhe aktiviteteve të saj të përbashkëta, të cilat forcojnë anën e dashurisë, përkrahjes dhe besnikërisë mes njerëzve të Islamit dhe Sunetit, si dhe largojnë nga vendet dhe robërit sprovat dhe fatkeqësitë.
Së pesti: Nisja e diskursit të rilindjes (Nehda) gjithëpërfshirëse
Ummeti është i thirrur sot për një reformë intelektuale që çon në një punë përtëritëse dhe revolucionare në të gjitha fushat! Që Ummeti të rikthejë besimin te menhexhi i tij civilizues dhe të rrënjoset tek ai vullneti i rilindjes dhe në të (rilindjen) të punojnë mjetet e ndryshimit; kjo është një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e qytetërimit dhe në arritjen e pozitës udhëheqëse (parësisë).
Ndërtimi i këtij diskursi kërkon kërkim në shkaqet e prapambetjes dhe rrugëtimin e dobësisë, dhe kërkon shtrimin e pyetjeve të rilindjes, ashtu siç kërkon përgjigje të detajuara, e jo përgjigje të përgjithshme, edhe nëse ato janë të pranueshme si: “Islami është zgjidhja” apo “Libri dhe Suneti me kuptimin e selefëve”.
Rilindja ka nevojë për metodologji të detajuara, rrugë të bazuara në argumente dhe etapa të arsyetuara. Përtej pengesave të injorancës, varfërisë dhe diktaturës, nuk i ka hije Ummetit që shpresa e rilindjes të mbetet vetëm një ëndërr në memorie. Obligimi është të kalojmë nga derdhja e lotëve te ndezja e qirinjve! Duhet kaluar tej mospajtimeve anësore për hir të një pune pozitive.
Që Ummeti të kalojë në fushën e rikthimit të besimit, është e domosdoshme ekzistenca e një modeli praktik frymëzues! Një alternativë civilizuese premtuese, rreth të cilës masat mund të bashkohen, në vend të modeleve bashkëkohore të refuzuara dhe të devijuara fetarisht, si dhe atyre të rëna e të shëmtuara civilizueshëm!
Çdo diskurs gjithëpërfshirës për rilindjen duhet të përfshijë në shënimet e tij shpjeguese projekte praktike dhe programe ekzekutive, përmes të cilave bërësit e rilindjes të qëndrojnë si roje në kufijtë e besimit të Ummetit, ashtu siç qëndrojnë në kufijtë e tij praktikë, brenda një konteksti civilizues që realizon reformën politike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, shtrirjen e autoritetit të drejtësisë sociale dhe kapjen e hapit me karvanin e teknologjisë.
Nga karakteristikat e këtij diskursi është: të kujdeset për premisat dhe metodologjinë që niset nga shpallja (Uahji), të merret me realitetin dhe sfidat e tij, dhe të përfitojë nga të arriturat teknologjike dhe shkencat administrative të kohës, në një përpjekje për përtëritje (texhdid) që nuk i cenon konstantet (theuabit), dhe nuk mbetet e ngrirë në mjetet e trashëguara; duke u lidhur me origjinën (el-asl) dhe duke u kujdesur për kërkesat e kohës.
Gjithashtu, karakteristika e Universalitetit (Globalizmit), që është tipar i Islamit:
{ وَمَآ أَرۡسَلۡنَٰكَ إِلَّا رَحۡمَةٗ لِّلۡعَٰلَمِينَ}
“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”. [El-Enbija: 107].
“Dhe ajo që vërteton universalitetin (globalizmin) e diskursit të rilindjes: është universaliteti i konfliktit të imponuar ndaj Islamit dhe Pejgamberit të tij, që herët e deri më sot!
Dhe është për të ardhur keq, që Ehli Suneti i mungon një flamur (udhëheqje/përfaqësim) botëror, në kohën kur ngrihen flamuj botërorë të njerëzve të së kotës, nga çdo fe dhe rrymë!”
Universaliteti tejkalon kufijtë e vendit dhe nuk e kufizon fjalën e tij te një njeri; ai ruan parimet e prera dhe hap derën e gjerësisë në ixhtihad, nuk detyron me një medhheb të caktuar dhe nuk i ngatërron mjetet me qëllimet.
Një tjetër karakteristikë: diskursi i rilindjes refuzon ndjenjën e inferioritetit dhe humbjen psikologjike para civilizimit perëndimor, por edhe refuzon izolimin dhe tërheqjen nga përballja civilizuese!
Nuk ka asimilim në globalizëm, por as refuzim të dobive bashkëkohore. Ai është diskurs njerëzor që kërkon njohjen dhe bashkëpunimin në të mirë.
Prandaj, diskursi i rilindjes ka nisje njerëzore; ai kërkon njohjen e ndërsjellë (ta’aruf) dhe bashkëpunimin në të mirë, si dhe hapet ndaj tjetrit (kundërshtarit/të ndryshmit) me një vetëdije pozitive.
Së fundi, nuk ka rrugë tjetër pa një pjesëmarrje të gjerë shoqërore, që shton të mirën dhe pakëson të keqen, përmes praktikës dhe pjesëmarrjes shoqërore të disiplinuar, që ndërton institucione mediatike dhe ekonomike, çlirohet nga çdo varësi dhe dëshmon me fakte se rilindja kujdeset për identitetin, pavarësinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Përfundim
Zemrat janë plot optimizëm dhe shpresojnë në punë të mirë, rikthim te Çështja e Parë, nxjerrje të robërve nga korrupsioni dhe diktatura te rruga e udhëzimit dhe drejtësisë, bashkim të fjalës dhe radhëve, dhe kujdes për projektin e rilindjes në fushat e tij të ndryshme. Sfidat mbeten të vështira sa madhësia e ambicieve, por sukseset që arrihen në terren janë ato që do të shkruajnë certifikatën e lindjes së një civilizimi të ri për një të nesërme ndritshme dhe një të ardhme premtuese me të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër.
Vetëm Allahu është udhëzuesi i rrugës, Ai është i vetmi prej të cilit kërkohet ndihmë dhe tek Ai mbështetemi. Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Dr. Muhamed Jusrij
Përktheu: Bekir Halimi
