Nga Ahmed Ramadan
Në politikën ndërkombëtare ka momente që zbulojnë më shumë se një mijë deklarata zyrtare. Sulmi i dështuar mbi Dohën ishte njëri prej tyre. Ai tregoi qartë se SHBA-ja e Donald Trump mund të fitojë miliarda nga aleatët, por humbet gjënë më të çmuar: besueshmërinë dhe ndikimin strategjik.
Një botë që po ndryshon
Evropa, dikur krah i fortë i NATO-s, po anon çdo ditë e më shumë larg Uashingtonit. Kina po zgjeron qetësisht orbitën e saj, duke afruar vende si Pakistani, India dhe Turqia. Rusia mori frymë lirisht nga përçarja amerikano–evropiane dhe nga dështimi i politikës së presioneve. Në anën tjetër, Amerika Latine po distancohet hap pas hapi nga “vëllai i madh” verior, ndërsa Afrika po i jep fund me vendosmëri epokës së varësisë.
Gjiri Arabik: një aleat që po zgjohet
Goditja e Doha-së, megjithëse e dështuar, pritet të ketë efekt tronditës në vetë zemrën e Gjirit. Aleat tradicional i SHBA-së, ky rajon ka arsye më shumë se kurrë për të rishikuar aleancat, për të diversifikuar partneritetet dhe për të mos u mbështetur verbërisht tek garancitë amerikane. Bazat ushtarake, që supozohej të ishin garanci sigurie, nuk e penguan një sulm të papritur nga Netanjahu dhe më herët ishin pretekst për sulme të drejtpërdrejta iraniane.
Fundi i një iluzioni
Trump mund të përpiqet të mbledhë copëzat e një disfate politike, por treni i ndryshimit global është nisur. Humbja më e madhe e Uashingtonit nuk është financiare apo ushtarake, por humbja e besueshmërisë tek aleatët. Dhe kjo është pothuajse e parikuperueshme. Aleatët që kanë nisur të braktisin një anije të trazuar, vështirë se kthehen sërish tek ajo.
Konkluzioni
Shtetet në krizë nuk janë të afta të ndërtojnë fitore. Ato vetëm sa perfeksionojnë artin e humbjes. Goditja e Doha-së e shënoi qartë këtë realitet: fundin e një iluzioni strategjik amerikan.
