Gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së: “Nurembergu” i përmbysur në dëm të viktimës

Më të lexuarat

Prapaskenat e një dënimi, midis hakmarrjes gjeopolitike dhe njollosjes së luftës çlirimtare

Procesi në Hagë ka hyrë në fazën më dramatike. Prokuroria kërkoi të hënën 180 vite burg për krerët e UÇK-së. Nga 45 vite për secilin çlirimtar. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi përballen me një dënim që peshon sa vetë historia.

Por në atë sallë nuk po gjykohen thjesht katër burra. Po tentohet të njolloset një luftë e tërë popullore për liri. Shtetësia e Kosovës nuk rrezikohet më, por moralit të saj po i vihet thika.

Prapaskenat gjeopolitike janë të tmerrshme. Në vitin 2020, Thaçi mbështeti projektin amerikan për një paqe me Serbinë. Ai donte një zgjidhje përfundimtare me shkëmbim territoresh. Evropa u alarmua dhe kundërshtoi ashpër.

Arrestimi erdhi pikërisht atëherë, si një goditje për të bllokuar Uashingtonin. Është një lojë e flliqur fuqish mbi kurrizin e Kosovës. Uashingtoni as nuk e njeh këtë gjykatë. Shumë prokurorë të saj janë shpallur “non grata’ nga SHBA.

Pra, drejtësia në këtë rast ngjan me një faturë hakmarrjeje politike. Paradoksi historik është i dukshëm. Prokuroria i quan krimet ndaj bashkëpunëtorëve të armikut si “krime kundër njerëzimit”.

Po historia ku mbeti? Në Luftën e Dytë Botërore, rezistenca franceze dhe italiane ekzekutoi mijëra spiunë të nazistëve. Askush nuk i çoi ata në Nuremberg. Askush nuk i quajti kriminelë çlirimtarët e Evropës.

Pse ky standard i dyfishtë vetëm për shqiptarët? UÇK-ja nuk kishte shtet, as burgje luksoze. Ajo kishte vetëm idealin e mbijetesës përballë gjenocidit të Millosheviçit.

Në këtë “kilometër të fundit” të këtij procesi maratonë, po tentohet të barazohet viktima me agresorin. Prokuroria e Hagës, po rishkruan kujtesën me një thjerrëz të deformuar. Ajo synon ta shndërrojë sakrificën sublime në një “ndërmarrje kriminale”.

Ky dënim i kërkuar nuk mbyll plagë, por i helmon ato. Rreziku i vërtetë është që brezat që vijnë ta shohin lirinë si një faj. Kjo nuk është drejtësi por një njollë që po tentohet t’i vihet gjakut të derdhur për liri. Skenarët që na presin pas këtij gjyqi janë ogurzinj. Së pari, dialogu me Serbinë mund të “ngrijë” përfundimisht.

Prishtina do ta ketë moralisht të pamundur të ulet në tryezë me përfituesit e këtij procesi. Raportet do të kthehen në pikën zero, duke forcuar status-kuonë. Së dyti, mund të shohim një përplasje të hapur mes Uashingtonit dhe Brukselit. SHBA-ja pritet ta injorojë vendimin si politik, ndërsa BE-ja mund ta përdorë si kushtëzim për integrimin.

Së fundmi, dënimi rrezikon të shkaktojë një tërmet të brendshëm nacionalist. Shoqëria kosovare mund të ndjehet e tradhtuar nga Perëndimi. Mosbesimi ndaj institucioneve ndërkombëtare do të rritet, duke e parë lirinë jo më si vlerë evropiane, por si një sakrificë që po dënohet.

Marshimi i paralajmëruar 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë, mund të jetë vetëm fillimi i një revolte simbolike ku populli i Kosovës do të përpiqet të mbrojë të vetmen gjë që i ka mbetur: të vërtetën e tij historike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit