6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Gjykata zvicerane pa vendim, kosovarëve nuk u paguhen pensionet

Më të lexuarat

Lozanë, 7 qershor – Në një komunikatë për shtyp të Zyrës Federale për Sigurime Shoqërore (BSV) bëhet e ditur se Gjykata Federale e Zvicrës, me seli në Lozanë, me një vendim të saj të ri edhe një herë ka kundërshtuar të marrë në shqyrtim ankesën që BSV e kishte bërë lidhur me një vendim të Gjykatës Administrative Federale, me të cilin kundërshtohej ndërprerja e rrjedhjes së kontributeve pensionale në Kosovë.

“Në dy vendime që Gjykata Federale ka marrë më 23 maj 2012, lidhur me pagesën e kontributeve pensionale të pleqërisë dhe të trashëgimisë (AHV-AVS) në Kosovë, ka kumtuar se për shkaqe formale nuk mund të marrë në shqyrtim ankesat e Zyrës Federale për Sigurime Shoqërore (BSV). Me këtë mosveprim gjendja mbetet ajo që ishte, do të thotë kontributet në të holla të sigurimit invalidor e pensional vazhdojnë të mos dërgohen në Kosovë, për arsye se nuk ekziston marrëveshja për sigurimet sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës”, thuhet në komunikatën e BSV-së.

Ashtu sikurse në vendimin e marrë më 27 shtator 2011, në të cilin bëhej fjalë për pagesën e një pensioni të invaliditetit të një personi me vendbanim në Kosovë, Gjykata Federale edhe në vendimet e saj të 23 majit 2012, që i referohen pagesës së kontributeve në Kosovë, për shkaqe formale nuk i ka marrë në shqyrtim ankesat e BSV, që do të thotë se as nuk i ka hedhur poshtë ato, vazhdon komunikata, që e transmeton portali albinfo.ch.

Me këtë veprim, Gjykata Federale, si instanca më e lartë gjyqësore e Zvicrës, sërish nuk i ka shqyrtuar çështjet thelbësore kontestuese nga ana përmbajtjesore, pra vazhdon të mos ketë vendim material lidhur me këtë.

Gjykata Administrative Federale, si një shkallë më e ulët gjyqësore, në vendimin e saj presupozon se qytetarët e Kosovës në mënyrë automatike janë edhe shtetas të Serbisë, me gjithë faktin se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe se Zvicra e njeh këtë pavarësi.

Sipas gjykatës në fjalë, duke u bazuar në faktin se marrëveshja me Serbinë është ende në fuqi, rrjedhimisht pensionet do të duhej t`iu dërgoheshin edhe kosovarëve. Veç kësaj, Gjykata Administrative Federale është e mendimit se Qeveria Federale nuk ka mundur të vendoste në kompetencë të veten për të nxjerrë nga fuqia marrëveshjen në raport me Kosovën.

Ndërkaq, Qeveria Federale në fund të vitit 2009 kishte vendosur që këtë marrëveshje për sigurimet shoqërore të mos e zbatonte, duke filluar 1 prilli 2010, për shkakun se Kosova nuk mund të siguronte një zbatim korrekt të marrëveshjes.

Më tutje, sipas komunikatës së BSV-së, thuhet se “meqë Gjykata Federale lidhur me këto vendime të instancës së parë gjyqësore mjerisht nuk është prononcuar, me çka çështjet kryesore vazhdojnë të mbeten të hapura, autoritetet federale dhe bartësit e sigurimeve sociale janë të interesuar që të ketë një vendim material të Gjykatës Federale lidhur me këto çështje bazike. Për këtë arsye ato (autoritetet) në rastet e ardhshme të këtij lloji do të kërkojnë përmes ankesave në Gjykatën Federale një qartësim të problemit”.

Si përfundim, vlerëson BSV-ja, “sa kohë që ende nuk ka ndonjë vendim tjetër fare të Gjykatës Federale, vendimi i Qeverisë Federale vazhdon të mbetet në fuqi, në kuptimin që me Kosovën nuk funksionon marrëveshja për sigurimet shoqërore dhe, rrjedhimisht, pensionet e reja të invaliditetit, pleqërisë dhe të trashëgimisë nuk mund t’iu paguhen shtetasve kosovarë jashtë vendit. Në këto rrethana, për shtetasit e Kosovës vlejnë rregullat e njëjta sikurse për shtetasit e vendeve të tjera me të cilat Zvicra nuk ka të lidhur marrëveshje për sigurimet shoqërore”.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit