Fundi i supremacisë: lufta me Iranin dhe perëndimi i epokës amerikane

Më të lexuarat

Përballja e fundit në Lindjen e Mesme, po ekspozon kufizimet e pariparueshme të fuqisë ushtarake të SHBA-së, duke dëshmuar se kontrolli i qiellit nuk garanton më kontrollin e rezultateve politike. Për shtetet që kishin zgjedhur të vareshin verbërisht nga mbrojtja e Uashingtonit, ky dështim strategjik duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi.

Lufta në Ukrainë shkatërroi një supozim thelbësor mbi dominimin e fuqive të mëdha: idenë se madhësia dhe forca ushtarake mjaftojnë për të imponuar vullnetin mbi të tjerët. Ukraina tregoi se me strategjinë dhe vendosmërinë e duhur, një shtet më i dobët mund të zbutë një kundërshtar shumë më të fortë.

Sot, Shtetet e Bashkuara përballen me një paralele të pakëndshme në Iran, ku strategjia e tyre e mbështetur te supremacia po shfaq shenja të qarta kapitullimi. Për dekada të tëra, Uashingtoni ka besuar se aftësitë e pakrahasueshme ushtarake i mundësonin ruajtjen e stabilitetit global.

Megjithatë, pas dështimeve në Irak dhe Afganistan, publiku amerikan ka arritur në një përfundim të zymtë: kostoja e këtij dominimi nuk është më e qëndrueshme. Inercia dhe interesat ekonomike të luftës e mbajtën supremacinë gjallë, por dështimi në Iran po e thyen përfundimisht këtë model.

Nëse krahasojmë me Luftën e Irakut, ku dominimi amerikan u vendos në më pak se tre javë, situata me Iranin është tërësisht ndryshe. SHBA-ja nuk po arrin të fitojë as fazën ushtarake, pavarësisht se përballet me një forcë konvencionale shumë më të dobët.

Teherani shfrytëzoi gjeografinë dhe taktikat asimetrike për të shkaktuar një pengesë strategjike që as sulmet ajrore “shkatërruese” nuk e zgjidhën dot. Pretendimet se aftësitë iraniane me dronë dhe raketa ishin degraduar, sot duken të ekzagjeruara.

Për më tepër, ndërsa lufta në Irak e arriti objektivin e menjëhershëm të përmbysjes së regjimit, në Iran po ndodh e kundërta. Lufta ka konsoliduar kohezionin e brendshëm të regjimit dhe ka forcuar kontrollin.

Pasoja globale është edhe më e rëndë: tregjet e energjisë janë përfshirë nga trazirat, duke çuar çmimet e naftës dhe gazit në nivele rekord, duke shkaktuar emergjenca energjetike në shumë vende.

Supremacia ka qenë gjithmonë një zgjedhje, jo një domosdoshmëri. Lufta e Iranit sugjeron se ajo nuk është më një strategji e zbatueshme. Një qasje e ndërtuar mbi dominimin e përshkallëzimit dështon kur vetë përshkallëzimi bëhet shumë i rrezikshëm për t’u përdorur.

Ajo që po lind në horizont nuk është kaosi, por një rend ndërkombëtar që përcaktohet nga mohimi i ndërsjellë: fuqitë e mëdha nuk mund të imponohen lehtë dhe shtetet e vogla mund t’u rezistojnë atyre me një kosto të tolerueshme.

Shtetet e Bashkuara mund të largohen nga negociatat, por nuk kanë më lirinë strategjike për të hyrë në një luftë në shkallë të plotë. Ky është një sinjal i qartë për aleatët, të cilët duhet të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre të sigurisë dhe të mos mbështeten më në një garantues të vetëm.

Irani ka treguar se strategjia e tij e rezistencës është kudo e kopjueshme. Rreziku për Uashingtonin nuk është parëndësia, por ndjekja e një strategjie për një botë që nuk ekziston më. Fituesit e epokës së re do të jenë ata që përshtaten me këtë realitet të ri shumëpolar. tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit