16.6 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Filmi i parë nga viti 1904 ku shihen shqiptarët

Më të lexuarat

Albanologu Robert Elsie, një studiues i përkushtuar i të kaluarës së shqiptarëve nëpër arkivat botërore, ka publikuar një material filmik të cilin e cilëson si filmin e parë me shqiptarë.

Xhirimi është bërë në vitin 1904 në Novi Pazar, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës e tash në Serbi.

Incizimi pamor nga viti 1904, i cili paraqitet këtu është ndoshta filmi i parë me shqiptarë. Ky incizim, siç transmeton atsh, është pjesë e një filmi dokumentar më të gjatë, i xhiruar nga politikani britanik Arnold Muir Wilson (1857-1909) nga Shefild (Sheffield) në Jorkshër (Yorkshire) dhe nga regjisori i kinematografisë së hershme britanike, Frank Mottershaw (1850-1932), gjithashtu nga Shefild.

Wilson, anëtar i bashkisë së Shefildit dhe i Partisë Konservatore, ishte gjithashtu konsull nderi i Serbisë në Shefild dhe merrej me marrëdhëniet tregtare midis të dy vendeve. Në vitin 1904 udhëtoi për në Beograd dhe, në bashkëpunim me Mottershaw, xhiroi një film dokumentar për kurorëzimin e mbretit serb Pjetër I Karagjorgjeviq, më 21 shtator të atij viti.

Filmi i tyre pa zë, në 35 mm dhe 54:19 minuta ose 1,480 metrash i gjatë, u shfaq për herë të parë në Londër në dhjetor 1904 dhe në Serbi në prill 1905, me titra në anglishte dhe serbishte. U restaurua ne Bolonjë gjatë viteve 1999-2004 dhe ruhet tani në Arkivin e Filmit Jugosllav (Kinoteka) në Beograd. Thuhet se është filmi më i vjetër i xhiruar në Serbi dhe në rajonet fqinje. Pjesa “shqiptare” e filmit, e cila fillon në minutën 42:10 dhe zgjat jo më shumë se 1:16 minuta, tregon shqiptarë dhe njerëz të tjerë në oborrin e një hani dhe në një rrugë tregu aty afër në qytetin mysliman të Novi Pazarit, tani në jugun e Serbisë.

Në vitin 1904, Novi Pazar (shqip edhe Pazari i ri apo Tregu i Ri, turqisht Yeni Pazar) ishte kryeqyteti i Sanxhakut të Novi Pazarit, madje nga viti 1881 deri 1912 rajoni ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, pra e bashkuar me Kosovën. Mbase kështu shpjegohet prania e kaq shumë shqiptarëve – të cilët dallohen nga plisi i bardhë dhe veshjet karakteristike – në një rajon të banuar sot nga një shumicë dërrmuese sllavësh myslimanë (boshnjakë), dhe shumë pak shqiptarë.

Më poshtë video (nga minuta 42:25) dhe sqarimi i Elsie:

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit