Fillo me zemrën tënde!

Më të lexuarat

Tregojnë indianët në rrëfimet e tyre popullore: Një mi jetonte vazhdimisht në frikë nga macet. Një magjistar u mëshirua për të dhe e shndërroi në mace!
Por ai filloi të kishte frikë nga qentë!
Atëherë magjistari e shndërroi në qen!
Por ai filloi të kishte frikë nga tigrat!
E shndërroi në tigër!
Por tani zemra e tij u mbush me frikë nga gjuetarët.

Atëherë magjistari e ktheu përsëri në formën e tij si mi dhe i tha:
“Asgjë nga ajo që bëj nuk do të të ndihmojë, sepse ti ke zemër miu. Nëse dëshiron të ndryshosh, fillo së pari nga zemra jote!”

Dhe siç thuhet, një gjë të kujton një tjetër…
Ibn Tejmije thoshte:
“Trimëria nuk është forca e trupit; mund të jetë njeriu i fortë në trup, por i dobët në zemër. Trimëria është forca dhe qëndrueshmëria e zemrës.”

Çështja është e thjeshtë:
Nëse dëshiron ta ndryshosh botën, duhet të ndryshosh së pari veten!

Ndrysho mënyrën si e sheh botën dhe bota do të ndryshojë në sytë e tu.
Nëse kërkon ndryshimin jashtë zemrës sate, do ta kërkosh përgjithmonë.
Por nëse e kërkon brenda zemrës, do ta gjesh, ashtu si njeriu që gjen diçka të humbur papritur.

Ndryshimi fillon nga ti, jo nga të tjerët!

Është e vërtetë që njeriu nuk jeton vetëm në këtë botë dhe njerëzit kanë nevojë për njëri-tjetrin, por ajo që dua të them është:
bëhu zot i jetës tënde, jeto për parimet e tua, edhe nëse të tjerët i shohin të pavlera.

Mos u përkul para erërave të ndryshimit, nëse e di se ato do të të ndryshojnë për keq!

Të ndryshosh nuk do të thotë të detyrohesh të ndryshosh kjo është vetëm përshtatje.
Ndryshimi i vërtetë është kur bindesh plotësisht se ajo që je nuk duhet të mbetet ashtu, pavarësisht si duket bota jashtë.

Një herë, murgesha katolike Nënë Tereza vizitoi një fabrikë në Indi.
Ajo vuri re një punëtor në një cep që këndonte me gëzim dhe dukej shumë i lumtur. Kur u afrua, pa se ai thjesht po mbledhte vida dhe i vendoste në kuti, si shumë të tjerë pranë tij.

E habitur, e pyeti:
– Çfarë po bën?
Ai u përgjigj:
– Po ndërtoj aeroplanë!
Ajo tha e habitur:
– Aeroplanë?
Ai tha:
– Po, zonjë! Këto janë pjesë për një kompani aeroplanësh, dhe aeroplanët e mëdhenj nuk mund të fluturojnë pa këto vida të vogla!

Mënyra si e shohim veten përcakton vlerën tonë në jetë!

Ka dallim të madh mes atij që e sheh veten si mbledhës vidash dhe atij që e sheh veten si pjesë e ndërtimit të një aeroplani.
Ka dallim të madh mes atij që nga puna sheh vetëm pagën dhe atij që sheh ndikimin që lë pas.

Çdo punë, sado e thjeshtë, lë gjurmë në këtë botë duhet vetëm ta shohësh këtë gjurmë!

Ti nuk je thjesht pastrues rruge ti po zbukuron fytyrën e qytetit!
Ti nuk je thjesht marangoz ti po mbron shtëpitë nga dielli dhe era!
Ti nuk je thjesht rrobaqepës ti u jep njerëzve elegancë!
Ti nuk je thjesht një ligjërues ti po udhëzon njerëzit drejt Allahut!
Ti nuk je thjesht mësues ti po formon burra!
Ti nuk je thjesht inxhinier ti po lidh njerëzit mes tyre!
Ti nuk je thjesht mjek ti po lehtëson dhimbjet!
Ti nuk je thjesht amvisë ti je ndër njerëzit më të rëndësishëm në botë; me lejen e Allahut, ti je ajo që sjell në jetë banorët e kësaj toke dhe edukatorja e parë dhe më e rëndësishme!

Ai që sheh nga puna vetëm pagën është si i verbër që nuk sheh!
Ka një dimension tjetër ndikimi që e kthen punën në mision dhe i jep njeriut vlerën e tij të vërtetë.

Vlera e njeriut nuk përcaktohet nga mënyra si e shohin të tjerët, por nga mënyra si ai e sheh veten.
Askush nuk mund të të poshtërojë nëse ti nuk ndihesh i poshtëruar brenda vetes.
Dhe askush nuk mund të të ngrejë, nëse ti vetë nuk e ndjen vlerën tënde!

Ndryshimi nuk do të thotë të bësh gjëra të jashtëzakonshme,
por të kuptosh vlerën e gjërave rreth teje dhe të sillesh me to sipas vlerës, jo sipas çmimit!

Shihe me syrin e zemrës, jo me sytë e njerëzve.

Gjërat e vogla sjellin lumturi mos e nënvlerëso veten!

Në kënaqësinë e prindërve ka lumturi…
Në kërkimin e faljes ka lumturi…
Në adhurim ka lumturi…
Në një lot që fshin, në një zemër që ngushëllon, në një dorë që ndihmon la lumturi!

Lumturia nuk përbëhet nga mrekulli të mëdha…
Lumturia përbëhet nga gjëra të vogla, të bëra me dashuri.

Duaje veten!

Nuk të dëmton nëse të tjerët përkulen, për sa kohë ti qëndron i drejtë.
Dhe nuk të ndihmon qëndrimi i tyre, nëse ti përkulesh!

Respekti për veten është çështje personale nuk ka lidhje me të tjerët.
Kur ta kuptosh këtë, ke kuptuar hapin e parë të ndryshimit… dhe të lumturisë.

Ed-hem Sherkavij
Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit