Fillimi i gremisjes elektorale të Donald Trump…

Më të lexuarat

Fitorja e demokratit Rehmet në bastionin konservator të Teksasit, dëshmon lëkundjen e mbështetjes për republikanët dhe braktisjen e lëvizjes MAGA nga elektorati

Ajo që supozohej të ishte një garë lokale dhe e parëndësishme në Fort Worth, Teksas, po kthehet në një makth politik për Donald Trump dhe Partinë Republikane. Fitorja e demokratit Taylor Rehmet në një distrikt ku Trump kishte fituar me 17 për qind diferencë vetëm 15 muaj më parë, ka lëshuar sinjale alarmi në të gjithë kampin konservator.

Humbja e kandidates republikane, Leigh Ëambsganss, është veçanërisht poshtëruese duke pasur parasysh makinerinë e rëndë që u vu në lëvizje. Ajo shpenzoi dhjetë herë më shumë fonde se Rehmet dhe gëzoi mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trump dhe Guvernatorit Abbott.

Megjithatë, Rehmet, një veteran i Forcave Ajrore dhe organizator sindikatash, triumfoi me një rezultat bindës prej 57 për qind përkundrejt 42 për qind, duke përmbysur balancën me plot 32 për qind krahasuar me performancën e Kamala Harris në të njëjtën zonë.

Ky rezultat nuk është një rastësi e izoluar, por pjesë e një tendence kombëtare ku demokratët kanë fituar tetë here radhazi në zona tradicionalisht republikane. Faktorët kryesorë që po gërryejnë mbështetjen e Trump përfshijnë zhgënjimin me menaxhimin e ekonomisë dhe rritjen e inflacionit.

Gjithashtu, agresiviteti i operacioneve të ICE ka prodhuar një efekt negativ te votuesit hispanikë, ku mbështetja për Trump ka rënë nga 46 në 38 për qind. Sondazhet e fundit të Qendrës Pew e konfirmojnë këtë rënie, duke treguar se pakënaqësia ndaj presidentit ka arritur në 61 për qind.

Amerikanët shprehin dyshime në rritje mbi etikën dhe aftësinë e tij udhëheqëse, ndërsa vetëm 27 për qind e tyre mbështesin shumicën e veprimeve të tij. Shqetësimi po përhapet kudo, pasi edhe vlerësimet për shëndetin e tij fizik dhe mendor kanë pësuar rënie drastike.

Strategët republikanë po përballen me një realitet të ri ku bastione si Ajoua, Xhorxhia dhe Pensilvania po lëkunden seriozisht. Nëse Teksasi, simboli i pamposhtur i konservatorizmit, po tregon këtë nivel lodhjeje dhe revolte elektorale, zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, mund të shënojnë një kthesë historike dhe dërmuese për lëvizjen MAGA.

Ky ndryshim i kursit, tregon se retorika e ashpër dhe politikat polarizuese po humbasin peshën e tyre përballë problemeve reale të qytetarëve amerikanë./tesheshi. com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit