16.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Festa më e madhe e myslimanit

Më të lexuarat

Allahu me Dorën e Tij e krijoi xhenetin dhe e përgatiti atë për robërit e Tij besimtarë. Ai ( Xheneti) posedon begati të cilat as nuk mund ti i imagjinoj njeriu ndonjë herë,e as nuk mund të i ëndërroj ato. Begatia më e madhe për banorët e xhenetit, nuk do të jetë vetëm hyrja në xhenet dhe të kënaqurit me atë që e posedojnë në xhenet prej begative të tij. por, begatia më e madhe do të jetë kur banorët e xhenetit do ta shohin Zotin e tyre dhe do ta vizitojnë Atë. Banorëve të xhenetit nuk ju jepet diçka më madhështore dhe më e dashur për ta se sa shikimi në Zotin e tyre. Në hadithin e vërtetë, nga Suhejbi transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Kur banorët e xhenetit futen në xhenet, Allahu do të iu thotë: A dëshironi diçka edhe më shumë tua shtoj juve? Ata thonë: Zoti ynë! A nuk i shndrite fytyrat tona? A nuk na fute në xhenet dhe na shpëtove nga xhehenemi. Atëherë Allahu heq perden e Tij, dhe nuk iu është dhënë diçka më të dashur për banorët e xhenetit se sa shikimi në Zotin e tyre, dhe lexoi fjalën e Allahut: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” ( Junus 26). Po ashtu i Dërguari i Allahut një natë ishte ulur me shokët e tij dhe shikoi në hënën e cila ishte na natën e katërmbëdhjetë ( hëna e plotë),dhe iu tha: A e shinin këtë hënë? I thanë po. Tha keni ndonjë pengesë për ta parë qartë atë? Thanë jo o i Dërguari i Allahut. Tha: “ Kështu qartë do ta shihni Zotin e juaj, pa asnjë pengesë”. Allahu thotë: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë, dhe Zotin e tyre do të shohin. Kurse disa fytyra, atë ditë, do të jenë të zymta, duke e ditur se do të pësojnë një fatkeqësi, që të thyen në mes” ( KIjameh 22-25). Ndërsa Allahu në një ajet tjetër thotë: “Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre” ( Mutaffifin 15). Përderisa jobesimtarët nuk do ta shohin Zotin e tyre, e që është dënimi më i madh për ta, nënkupton se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre dhe kjo është festa më e madhe për ta. Allahu në Kuran kur përmend të mirat e xhenetit, e përmend edhe një gjë e cila është mbi begatitë e xhenetit e që është shikimi në Allahun. Allahu thotë: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” ( Junus 26). Po ashtu thotë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë” ( Kaf 35). Kanë thënë dijetarët se fjala “madje edhe më tepër!”, nuk mund të ketë kuptim tjetër, përveçse shikimi në Krijuesin tonë.

Kjo është kënaqësia e vërtetë, kjo është dita më e madhe për besimtarin. Kjo është festa e vërtetë që për të duhet të festoj myslimani.

Myslimani, i cili krenohet me fenë e tij e dinë rolin e tij në tokë, e dinë realitetin në jetën e njerëzve. Sepse ai e dinë se i përket një komunitetit që duhet të udhëheq, e jo të udhëhiqet, të pasohet e jo të jetë pasues i të tjerëve. Misioni i tij është që ti nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë. Ashtu sikur i kishte thënë Ribij b. Amir komandantit Rusem, komandant i ushtrisë së një shteti që ishte superfuqi e asaj kohe. I tha: “ Neve na ka dërguar Allahu që të nxjerrim njerëzit nga adhurimi ndaj njerëzve në adhurimin e Allahut, nga padrejtësia e feve në drejtësinë e Islamit, dhe nga ngushtimi i dynjasë na zgjerimin e dynjasë dhe të ahiretit”. Allahu thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun” ( Ali Imran 110).

Çdo popull ka festat e tyre. Festat në një popull tregojnë identitetin e tyre, qoftë fetarë apo kombëtarë. I Dërguari i Allahut një ditë bajrami tha: “ Çdo popull ka festën e tyre. Ndërsa kjo është festa e jonë” Çdo festë çoftë fetare, apo kombëtare duhet të posedoj një kuptim dhe duhet të dihet se pse festohet. Feston festën e Bajrameve sepse ke përfunduar disa punë madhështore, që janë shtylla të Islamit. Feston ditën e çlirimit, sepse ka ndodhë një ngjarje madhështore. Feston ditën e pavarësisë sepse ke fituar pavarësinë tënde për të udhëhequr, për të vendosur, për të qenë faktorë dhe i barabartë me shtetet tjera të pavarura. E vetmja festë e cila festohet shumë dhe nuk ka asnjë karakter, as fetarë e as kombëtarë është festa e vitit të ri. Të festosh një festë e cila nuk lidhet as nga aspekti fetarë e as nga ai kombëtarë është krizë e identitet, sepse festat kanë karakter identiteti. Nëse feston festë e cila nuk është festë e fesë tënde, është krizë e identitetit fetarë. Ndërsa nëse feston festë të një kombi tjetër, e cila nuk lidhet me kombin tënd, është krizë e identitetit kombëtarë, sidomos kur ajo festë nuk ka bazë as në fetë tjera e as në kombet tjera.

Shumë prej myslimanëve mbesin të mahnitur dhe të llogarisin ndoshta edhe me ide ekstreme kur ti sqaron se një festë e tillë nuk ka të bëjë as me identitetin tonë fetarë e as atë kombëtarë. Bile vetë të krishterët të cilët e kanë përvetësuar këtë festë, në enciklopeditë e tyre thonë se kjo festë me gjërat që bëhen në të ka shenja të paganizmit, të cilat kanë ekzistuar në Evropë, para se ata të pranojnë krishterimin. Jo që duhet ta festojmë atë, jo që duhet ta urojmë atë, por duhet tua bëjmë të qartë besimtarëve, por edhe të tjerëve se kjo nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Të festosh apo ti urosh dikujt diçka çka ti je i bindur se ajo nuk është e vërtetë, është një mashtrim ndaj tij, dhe në një farë forme një pohim se ai është në të drejtën. Mirësia më e madhe ndaj tyre, nëse je prej atyre që ua donë të mirën, është që tua sqarosh humbjen dhe devijimin në të cilin gjinden, përmes fakteve dhe argumenteve, si dhe përmes urtësisë dhe këshillimit të mirë. T’ua sqarosh Islamin me shëmbëlltyrën tënde dhe me sjelljen e mirë ndaj tyre. Ma e rëndësishme është kjo se sa të preokupohesh me atë se a të ua uroj apo jo. Një grua e moshuar në Evropë e cila e pranoi Islamin nga vajza e sajë që kishte pranuar me herët, kur pa të vërtetën dhe qetësinë shpirtërore në Islam tha: “ Pse askush më herët nuk na ka treguar për këtë”. Nëse ke raporte me jomyslimanin, dhe nuk dallohesh nga ai në besimin tënd, në sjelljen tënde, në moralin tënd, nëse nuk je më lartë se ai në raportet me të, atëherë cili është qëllimi dhe dobia e qëndrimit tënd në mesin e tyre. Cila është dobia që ti të sillesh mirë me ta në këto botë, ndërsa të mos mendosh për përfundimin e tyre në botën tjetër? Si ka mundësi që të besojnë ty, ndërsa ti ua zbukuron dhe ua hijeshon të kotën atyre? A nuk duhet myslimani të jetë këshilltarë besnik!

Pra. Çdo festë duhet të ketë kuptimin se pse ti e feston atë. Festimi i festave të ndryshme që nuk kanë kuptim, nuk na bëjnë më të dashur tek të tjerët, e as nuk na ngritin neve krenarinë e as avancimin tonë, as nuk na bëjnë popull më me kulturë e as më të modernizuar. Çka është e rëndësishme festa, kur nuk dinë se çka po feston? Çka është e rëndësishme festimi i ditëlindjes, kur punët nuk bëjnë? Të rëndësishme janë punët e mira. Kush i ka bë njerëzit të pavdekshëm në histori? Veprat e mira dhe sublime të tyre i kanë futë në historinë e tyre, e jo data e lindjes. Shumë prej brezave të parë, ndoshta nuk e kanë ditur saktë datën e lindjes së tyre, apo nuk dihet saktësisht data e lindjes, por janë të pavdekshëm në historinë tonë për shkak të veprave të tyre. As ditëlindja e Pejgamberit tonë nuk është e precizuar saktësisht me datë, vetëm se dihet që ka qenë ditë e hënë. Kush lexon jetën e Pejgamberit nga librat e historisë e sheh këtë. Bile i Dërguari i Allahut kur ka përkujtuar ditëlindjen e tij nuk e ka festuar atë me ushqim e me pije, por e ka agjëruar atë ditë. Kur është pyet për agjërimin e ditës së hënë ka thënë: “ Ajo është ditë në të cilën kam lindur dhe ditë në të cilën më erdhi shpallja për pejgamber”.

Le të festojmë për gjërat që kanë vlerë, që tregojnë identitet, që tregojnë suksese në jetë. Le ti mësojmë fëmijët dhe të festojmë për ta kur ata arrijnë ndonjë sukses, kur përfundojnë shkollimin e tyre, kur bëjnë vepra të mira, kur avancohen në jetë, kur lexon ndonjë libër të dobishme për të, kur mësohet të lexoj Kuranin. Le të feston dhe le të festohet për të me qëllim që ti nxisim edhe më shumë në vepra të mira. Le të festojmë atëherë kur kënaqin shpirtin e tyre, e jo epshet e tyre.

Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit