Kryebashkiaku i Milanos: Jemi kundër, pasi kjo është një milici që vret
Lajmi për mbërritjen e një njësie të Zbatimit të Rregullave të Migracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në Itali për Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”, ka ndezur një debat të ashpër dhe ka krijuar një valë konfuzioni në vendin fqinj.
Agjencia, e cila është bërë simbol i politikave të rrepta ndaj migracionit nga administrata Trump, po shihet me skepticizëm të lartë nga opinioni publik dhe autoritetet lokale italiane. Shqetësimi kryesor buron nga reputacioni i ICE-së në SHBA, veçanërisht pas raportimeve për operacione agresive dhe incidente të dhunshme në qytete si Minneapolis.
Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, u tregua i prerë në qëndrimin e tij, duke e cilësuar agjencinë si një “milici që vret”, dhe duke deklaruar hapur se ata nuk janë të mirëpritur në qytetin që do të presë ceremoninë e hapjes më 6 shkurt.
Për të qetësuar gjakrat, Ministria e Brendshme e Italisë dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së kanë sqaruar se njësia që do të operojë në Itali nuk është dega e deportimeve (ERO), por Hetimet e Sigurisë Kombëtare (HSI).
Ky seksion i ICE-së fokusohet në krimet ndërkufitare, si trafikimi i drogës dhe qenieve njerëzore, dhe ka vepruar në Itali prej vitesh. Zyrtarët theksuan se agjentët amerikanë do të kenë vetëm rol mbështetës në prapaskenë, kryesisht brenda konsullatës, dhe se siguria e territorit mbetet përgjegjësi ekskluzive e policisë italiane.
Megjithatë, ky dallim teknik nuk ka mjaftuar për të shuar polemikat. Për shumë italianë, emri ICE mbart një peshë politike që tejkalon funksionin e saj teknik. Reagimi i ashpër reflekton jo vetëm frikën nga taktikat e zbatimit të ligjit, por edhe një përçarje diplomatike më të gjerë midis SHBA-së nën udhëheqjen e Donald Trump dhe aleatëve të saj evropianë./tesheshi.com/
