19.7 C
Pristina
E enjte, 29 Korrik, 2021

Fakulteti i Filologjisë në UP pasurohet me programin Master të gjuhës gjermane

Më të lexuarat

Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës është inauguruar ‘salla e gjermanishtes’ dhe po ashtu është bërë prezantimi i programit të ri Master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj“, program ky i cili do të nisë nga viti akademik 2021-2022.

Salla e gjermanishtes në Fakultetin e Filologjisë në UP është mundësuar nga Instituti Goethe.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci tha se krijimi i një salle të tillë por edhe programi Master ofron mundësi për avancimin e të rinjve.

Nagavci tha se afërsia e shtetit tonë me shtetin gjerman vërehet qysh nga interesimi i madh i studentëve të Kosovës për të studiuar gjuhën gjermane.

“Është kënaqi që edhe sot të shoh dhënien e mundësive që ata të avancojnë. Shkollimi i lartë cilësor është një avantazh për secilin që strukturon dhe ndihmon punësimin në të ardhmen. Krijon një jetë më të mirë për secilin dhe ndihmon në zhvillimin e vendit. Afërsia që populli ynë ndjen në raport me popullin gjerman vërehet më së miri në interesimin e shprehur nga të rinjtë tanë dhe sidomos në vitet e pasluftës për të mësuar gjuhën gjermane dhe për të rritur bashkëpunimin dhe komunikimin.

Programi mundëson dhe hulumtimin shkencor në fushën e hulumtimit të gjermanishtes së gjuhës së huaj në fushën e zbatimit të metodologjisë së mësimdhënies dhe avantazhet e tjera. Një nga çështjet parësore ku do përqendrohet vëmendje e qeverisë sonë është mirëqenia dhe ofrimi i mundësive për avancimin e rinisë sonë. Andaj çdo veprim dhe mbështetje drejt realizimit të këtij synimit është i mirëpritur dhe do ketë mbështetjen”, tha ajo, raporton KP.

Kurse, zëvendësambasadori gjerman në Kosovës, Jan-Axel Voss tha se salla e re e gjermanishtes në UP është rinovuar dhe është pajisur me teknologji dhe literaturën profesionale moderne.

Voss tha se populli gjerman dhe ai kosovar janë partner shumë të mirë, prandaj tha se edhe hapja e programit Master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj“, do t’ua mundësoj mësimdhënësve që të ofrojnë një arsim të shkëlqyeshëm.

Ai tha se këto aktivitete po realizohen në kuadër tët ditëve të javës gjermane.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi janë realizuar deri tani trajnime të shumta për profesorët e Departamentit për gjuhë dhe letërsi gjermane dhe gjithashtu salla e gjermanishtes që po përurohet sot iu mundëson studentëve në të ardhmen që të përgatiten në mënyrë profesionale dhe në një ambient modern si dhe të shfrytëzojnë teknologjinë informative më moderne.

Kemi parë që diçka ka munguar këtu dhe për këtë arsye kam kënaqësinë që sot po prezantojmë edhe programin e ri master gjermanishtja si gjuhë e huaj, në kuadër të ditëve gjermane program ky i cili do të nis në vitin e ardhshëm akademik 2021-2022. Dhe në kuadër të këtij programi mësimdhënësit e ardhshëm të gjuhës gjermane do kenë mundësinë që të marrin një arsimim të shkëlqyeshëm”, tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti tha se përurimi i kësaj salle moderne do të ndikojë pozitivisht në përgatitjet akademike të studentëve.

Ndërsa, programi Master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj“, tha se do të ofrojë certifikata të njohura ndërkombëtarësh për studentët e këtij programi që do nis nga viti i ardhshëm akademik.

“Përurimi i një hapësire të tillë me teknologji moderne dhe literaturë të nevojshme për studentët e departamentit është një ndihmës për kuadrin që do dalin dhe sigurisht do ndikoj për të mirë edhe për përgatitjen e tyre akademike.. Një pasuri tjetër që pritet t’i shtohet departamentit të gjuhës dhe letërsisë gjermane është programi studimor ‘Gjermanishtja si gjuhë e huaj’.

Ky program është i veçantë për disa arsye përfshirë ideimi i tij i cili është bërë me universitetet ndërkombëtare dhe rajonale si dhe është bazuar në nevojat në rritje për mësimdhënësit e gjuhës gjermane si gjuhë e huaj në vend. Studentët që do i bashkohen këtij programi do përfitojnë certifikata të njohura ndërkombëtarësh të lëshuara nga partneri ynë Instituti Goethe”, tha ai.

Ndërsa, prodekanja e Fakultetit të Filologjisë në UP, Milote Sadiku tha se programi Master ka ardhur si nevojë e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës.

Ajo tha se nga një hulumtim i bërë nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane rreth 60 për qind e studentëve janë të punësuar si mësimdhënës të kësaj gjuhe në sektorin publik dhe atë privat.

Sadiku e cila është edhe profesorësh e gjuhës gjermane në UP tha se hapja e këtij programi Master i gjermanishtes ofron mundësi që studentët e kësaj dege të aftësohen edhe në aspektin teorik-shkencor.

Po ashtu, ajo tha se ky program ka një planprogram të specializuar në fushën e metodikës dhe didaktikë, kulturës gjuhësisë aplikative dhe fushave të tjera të hulumtimit të lidhura me gjuhën gjermane.

“Në tregun e punës në Kosovë ka nevojë për staf të kualifikuar mirë në fushën e gjermanishtes si gjuhë e huaj. Ky program nga fusha e gjermanishtes së gjuhë e huaj mundëson kualifikimin e duhur për punësim në institucione të ndryshme arsimore në shkolla publike, private në shkolla të gjuhëve të huaja apo edhe në universitete.

Programi master ‘Gjermanishtja si gjuhë e huaj’, përveç komponentit të fuqishëm të praktikës i aftëson studentët që t’i qasen gjuhës gjermanes si gjuhë e huaj edhe nga aspekti teorik- shkencor, qëllimi i këto programi është që të aftësoj studentët në rrafshin profesional didaktik. Pas përfundimit të studimeve master ‘Gjermanishtja si gjuhë e huaj’, studentët përgatiten edhe për karrierë të avancuar akademike dhe profesionale përmes një planprogrami të specializuar në fushën e metodikës dhe didaktikë, kulturës gjuhësisë aplikative dhe fushave të tjera të hulumtimit të lidhura me gjuhën gjermane”, tha ajo.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit