20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Ethet blasfemike dhe loja e demit spanjoll

Më të lexuarat

Mendimtari algjerian në librin e tij “Konflikti ideologjik tek vendet e pushtuara” shprehet kështu: “Ekspertët e mediave dhe luftës psikologjike në Perëndim luajnë me publikun mysliman, lojën e demit spanjoll. Toreadori spanjoll i tund në fytyrë demit të irrituar një pëlhurë të kuqe, e cila e xhindos demin. Ai turret me vërtik drejt pëlhurës herë pas here, pa arritur ta mbërthejë me brinjët e tij majëmprehta. Kështu demi vazhdon ecejaken e tij derisa ta lënë forcat dhe të shembet përtokë i rraskapitur.”

Në të njëjtin libër Malik ibnu Nebij shprehet: “Ekspertët aplikojnë me myslimanët teorinë e reagimit të kushtëzuar të formuluar nga psikologu rus Ivan Pavlov thelbi i së cilës është të vendosë njeriun në rrethana të tilla, që e bëjnë reagimin e tij mekanik dhe të parashikueshëm.”
Dominimi i emocioneve në logjikën e myslimanëve të sotëm, e bën krejtësisht të lehtë parashikimin e tipit të reagimit të tyre karshi një provokimi të caktuar. Kjo, pasi ky reagim nuk buron nga një mendim i thellë dhe i planifikuar më parë. Kështu, myslimanët mund ti largosh krejt kollaj nga angazhimet e tyre të dobishme. Ata mund ti konsumojnë menjëherë emocionet e tyre të cilat ashtu siç shpërthejnë menjëherë, ftohen menjëherë pa i shërbyer aspak një qëllimi. Kështu, kur një gazetar mediokër, një regjisor dështak dhe një karikaturist pa talent, mund të ngrejë në këmbë miliona myslimanë dhe tu përcaktojë temat e predikimit në xhuma e ardhshme, ky është tregues se aspekti emocional dominon mbi çdo aspekt tjetër në shoqëritë tona.
Nëse shohim blasfemitë e përsëritura ndaj islamit që me versetet satanike të Selman Rushdit, karikaturat e ndyra të Danimarkës, filmin e fundit në SHBA-së e kupton saktësinë e diagnostikimit të Malik ibnu Nebijit. Po ashtu, kupton se ekspertëve të mediave dhe luftës psikologjike nuk u mungojnë stimuluesit nëpërmjet të cilëve provokojnë emocionet e papërmbajtura të myslimanëve, në një proces të pafund konsumimi.
Nëse vëren kontekstin kur janë shfaqur tre provokimet e lartpërmendura – versetet satanike, karikaturat e Danimarkës dhe filmi i producentit izraelito-amerikan – e kupton se skenaristët janë kujdesur për të shkaktuar irritimet më të fuqishme dhe kultivimin e armiqësisë së thellë mes islamit dhe krishterimit, mes botës arabe dhe asaj perëndimore.
1 – Selman Rushdiu e dinte mirë reagimin ndaj librit të tij. Për këtë, ai bëri çmos që ta mbingarkojë librin me provokime, të cilat nuk kanë asnjë bazë krijimtarie artistike dhe letrare. Gjithçka është bërë me qëllim që të shkaktojë irritim politik. Dr. Abdul Vehab Efendiu tregon se mendimtari Eduard Seid i ka thënë gojarisht: “Kam qenë i ftuar në shtëpinë e Selman Rushdisë në Londër para se të botojë librin Versetet Satanike. Pasi hëngrëm drekë, ai më mori në zyrën e tij dhe nga sirtarët nxori një dorëshkrim të cilin teksa ma drejtoi ta shoh, më tha: “Ky do i çmendë fare myslimanët!”
2 – Përzgjedhja e Danimarkës për karikaturat, ky shtet evropian që ka flamurin i tij me simbolin e kryqit nuk ishte diçka e rastësishme sipas meje. Qëllimi ishte që turmat myslimane të irrituara, të shfaqeshin në televizionet anembanë botës, duke djegur kryqin, simbolin e krishterimit. Kështu, çarja mes islamit dhe krishterimit do të thellohej më tej dhe njëkohësisht, opinioni evropian ndaj emigrantëve myslimanë thjesht do të nxihej dhe më shumë. Dhe e gjitha kjo për ta zgjeruar rrethin e luftës mes islamit dhe armiqve të tij, ku synohet të futet i gjithë perëndimi, madje të gjithë të krishterët e botës kudo që jetojnë. Synimi është që lufta të mos bëhet vetëm me agresorët, ashtu siç na urdhëron Kurani dhe e kërkon logjika e shëndoshë.
3 – Lidhur me filmin e fundit, ai nuk mund të ndahet nga ankthi që ka pushtuar Izraelin, ku qendrat studimore kanë vënë alarmin lidhur me ndryshimet strategjike në rajon. Ata janë shprehur të dëshpëruar lidhur me mundësitë që ka krijuar Pranvera Arabe dhe horizontet janë hapur për më shumë mirëkuptim mes perëndimit dhe lindjes. Nuk ka gjë që i tmerron krerët e projektit sionist më shumë se çlirimi i popujve arabë nga zgjedha e diktatorëve dhe tiranëve. Ashtu siç i frikëson fakti që Perëndimi i cili ka mbështetur pushtetarët diktatorë për dekada luftoi Gedafin në Libi, i ushtron presion Besharit në Siri dhe përgëzoi rënien e diktatorëve si; Mubaraku të cilin Izraeli e konsideronte një thesar strategjik të çmuar.
Teksa hetojmë kontekstin kohor dhe vendor të këtyre blasfemive të herë pas hershme, nuk duhet të harrojmë dhe faktin se filmi në fjalë u publikua veçse në përvjetorin e sulmeve ndaj kullave binjake dhe vizitës së Papës në Liban edhe pse ai ishte prodhuar një vit më parë.
Provokimi aktual nuk është veçse një hallkë e një zinxhiri të gjatë provokimesh të mëparshme. Ato që do të pasojnë, do të jenë edhe më të dhimbshme dhe me ndikim më të thellë, sidomos nëse myslimanët vazhdojnë ta mbështesin suksesin e këtyre provokimeve me reagime të ekzagjeruara të cilat i bëjnë reklamë autorëve të tyre. Myslimanët duhet të ndërgjegjësohen se dhënia pas luftrave dhe betejave masive nuk e ndihmon dhe nuk e përkrah as Profetin a.s dhe as mesazhin e tij. Përkundrazi, ato nuk janë gjë tjetër veçse shfaqje e qëllimit të mirë ndaj planeve dashakeqe të armiqve. Që nga publikimi i çmendurisë së Selman Rushdiut në vitet tetëdhjetë ne kemi rënë pre e të njëjtëve stimuj, reagojmë gjithmonë njëlloj. Tre dekada janë mëse të mjaftueshme për prodhimin e një metodologjie të re në të menduar dhe të vepruar, e cila do i shërbente umetit dhe besimit tonë.
Më poshtë po cek disa vërejtje dhe uroj që të jenë motiv për ti menduar më thellë gjërat:
Së pari; Uroj që secili prej nesh ta pyesë veten: Vallë si do të reagonte vetë i dërguari i Zotit a.s në një rast të tillë? Lipset të mendohemi dhe thellohemi mirë në këtë pyetje, para se të ndërmarrim ndonjë reagim i cili mund të shndërrohet në një fatkeqësi fetare dhe katastrofë politike, si vrasja e ambasadorëve, gjë të cilën islami e ndalon kategorikisht. Po ashtu, djegia e pronave publike dhe private si dhe cenimi i rendit në momente delikate.
I dërguari i Zotit është fyer dhe ofenduar kushedi sa herë gjatë jetës së tij. Ai është ekspozuar ndaj sharjeve dhe shpifjeve herë pas here. Sakaq, reagimi i tij ka qenë gjithmonë falja dhe distancimi prej xhahilëve. Ai gjithmonë merrte parasysh pasojat dhe i kushtonte vëmendje dhe studim rrjedhës së ngjarjeve. E gjitha kjo, në koherencë dhe përputhje me udhëzimin kuranor: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (Araf, 199)
Në këtë kontekst, vlen të përmend dhe një ngjarje të përhapur në mesin e myslimanëve e cila ka të bëjë me një urdhër profetik për vrasjen e Kab ibnul Eshrefit i cili bashkë me të tjerë komplotonte për luftë ndaj myslimanëve dhe vrasjen e Profetit a.s. Këto komplote ata i mbështesnin me poezi dhe vjersha. Shumë myslimanëve u është mbushur mendja se Profeti a.s urdhëroi të vriten të gjithë ata që e ofendonin verbalisht atë. Në fakt ky është një gjykim dhe kuptim i gjymtë, pasi injoron me dhjetëra raste të tjera, ku Profeti a.s ekspozohej ndaj dhunës verbale të mynafikëve, çifutëve, beduinëve injorantë madje dhe disa myslimanëve dritëshkurtër të cilëve nuk u kishte depërtuar besimi në zemër. E megjithatë, ai reagonte me falje, zemërgjerësi dhe fisnikëri.
Së dyti; Vendet arabe po kalojnë një periudhë tepër delikate dhe të sikletshme ku u lipset paqja dhe marrëdhëniet e mira me veten në radhë të parë dhe me mbarë botën. Më e pakta që i lipset këtij rajoni është që bota ta mirëkuptojë nevojën e këtyre popujve për demokraci dhe liri, po ashtu edhe të ketë mbështetjen e vendeve të fuqishme kundër diktatorëve. Vendet perëndimore të cilët kanë ndikimin më të madh në rajon, janë vendet me të cilat na lipsen marrëdhëniet e mira më shumë se këdo tjetër në këto rrethana. Kjo, nëse duam që Pranvera Arabe të japë frutat më të shijshme dhe me më me pak shpenzime si në jetë ashtu dhe në ekonomi.
Logjika e pajtimit dhe marrëdhënieve të mira, kërkon që të mos lejojmë zërat provokues dhe konfliktet të prishin marrëdhëniet mes popujve tanë dhe popujve perëndimorë. Ato janë marrëdhënie të cilat për herë të parë Pranvera Arabe i nxjerr nga faza e vartësisë në fazën e miqësisë. Më e rëndësishmja është që të mos lejohet abuzimi dhe çarja e marrëdhënieve mes myslimanëve dhe të krishterëve në shoqëritë arabe.
Vallë a janë të ndërgjegjshëm protestuesit se të sulmosh ambasadat amerikane dhe evropiane, do të thotë të mobilizosh opinionin publik perëndimor kundër revolucioneve arabe? A thua e kuptojnë çfarë pasojash sjell ky reagim tek revolucioni sirian ku aty ka mbajtur frymën i gjithë rajoni? A e dinë se sa kokëçarje shkakton në procesin e tranzicionit dhe kalimit nga vende diktatoriale në vende ku respektohet liria dhe drejtësia në Tunizi, Libi, Egjipt dhe Jemen?
Së treti: Puna metodologjike e pandarë dhe e ndërgjegjshme për objektivat dhe me mekanizma të përzgjedhura mirë është ajo çka na lipset sot dhe jo euforizmat që më shumë prishin sesa ndreqin. Tashmë ka ardhur koha për të vënë strategji rreth reagimit ndaj blasfemive islame. Ka ardhur koha e punës metodologjike, larg reagimeve emocionale. Duke menduar në mënyrë metodologjike, do të gjejmë se reagimi më i mirë ndaj këtyre provokimeve të zhurmshme është injorimi dhe shpërfillja. Reagimet plot zhurmë në vetvete nuk janë gjë tjetër veçse reklamë gratis dhe vetë ofendim për veten, para se të jetë për të tjerët. Dijetarët myslimanë e kanë perceptuar dhe kuptuar që prej shekujsh urtësinë e injorimit dhe shpërfilljes ndaj provokuesve, të cilët synojnë ti bëjnë vetes reklamë. Në hyrjen e koleksionit të imam Muslimit thuhet se: “Të heshtësh ndaj një fjale të hedhur, është mënyra më e duhur për të bërë që emri i autorit të saj të shuhet dhe të harrohet. Kjo është mënyra më e mirë për të mos zgjuar kureshtjen e xhahilëve.”
Me reagimet tona ne thjesht përmbushëm nevojën për famë të producentit të filmit. Gjithashtu, përmbushëm nevojat e financuesve të tij, për denigrimin e imazhit të myslimanëve. Ne thjesht ngritëm ca barriera të panevojshme mes nesh dhe pjesës tjetër të njerëzimit. Ashtu siç morëm jetët e disa qytetarëve në Jemen, Sudan, Tunizi dhe Egjipt po ashtu morëm jetët e miqve dhe diplomatëve në Libi, shkatërruam pronat e qytetarëve tanë dhe makinat e tyre, shkelëm me këmbë mbi imazhin tonë, fesë dhe shoqërive tona, po dëmtojmë përpjekjet për një të ardhme të ndritur pas revolucioneve.
Ekzistojnë shumë forma të frytshme të reagimit ndaj filmit blasfemik. Një ndër to është injorimi i plotë dhe mos kushtimi i asnjë lloj vëmendjeje. Kështu, autorët e tij bashkë me financierët vdesin nga inati, e bashkë me ta vdes dhe ideja e tyre e ligë që donin të përcjellin. Dijetarët tanë e mbysnin bidatin (risinë) me heshtje.
Një formë e dytë është dhe ndjekja penale ndaj producentëve dhe financuesve. Këtë mund ta bëjnë shumë mirë arabët dhe myslimanët që jetojnë në SHBA ose mund ta bëjë Organizata Islame për Bashkëpunim. Ndjekja e kësaj çështjeje ligjërisht më e pakta u shkakton harxhim kohe dhe pasurie autorëve të filmit, si dhe i bën të mendohen mirë ata që kanë ndërmend të ndjekin të njëjtën linjë provokimi.
Kur Terry Xhons vendosi të djegë kopje të Kuranit fisnik këshilli për marrëdhëniet amerikano-islame, shpërndau në SHBA një milionë kopje të Kuranit të përkthyera në gjuhën angleze. Kjo, në vend të reagimeve euforike ndaj një fanatiku idiot i cili rend pas famës.
Islamikët të cilët Pranvera Arabe i çoi në pushtet kanë një përgjegjësi madhore në orientimin e publikut të umetit tonë, drejt reagimit metodologjik, në vend të rendjes pas instinkteve emocionale. Nëse demagogjia dhe aferat politike janë të kuptueshme nga opozita e cila ka mbetur pa pushtet nga ana tjetër ato janë të papranueshme prej atyre që përgjegjësia u rëndon mbi supe dhe kanë në dorë vendimmarrjen dhe ndërtimin e së ardhmes.
Ekspertët e mediave dhe të luftës psikologjike nuk do të lënë provokim pa përdorur me qëllim që të sfilitin myslimanët në një luftë e cila veçse shteron energjitë e tyre. Vallë a do të vazhdojmë ti nënshtrohemi logjikës së tyre apo do të ndjekim logjikën tonë?
 
Muhamed Shenkitij
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit