13.5 C
Pristina
Monday, May 27, 2024

Erdogan për gazetën “FAZ”: Gjermania duhet ta shpallë FETO-n një organizatë terroriste

Më të lexuarat

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), publikoi të mërkurën një artikull që mban titullin “Pritjet nga Gjermania” dhe firmën e Presidentit Erdogan, i cili fillon sot (27 shtator) një vizitë zyrtare në këtë vend…

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se Gjermania duhet ta shpallë FETO-n një organizatë terroriste.

E përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), publikoi të mërkurën në mbrëmje një artikull ekskluziv që mban titullin “Pritjet nga Gjermania” dhe firmën e Presidentit Erdogan, i cili fillon sot (27 shtator) një vizitë zyrtare në këtë vend.

Ai potencon se Turqia pret mbështetjen e Gjermanisë në luftën e saj kundër organizatave terroriste si PKK, FETO dhe DHKP-C.

“Ne presim që Gjermania të mbështesë luftën me PKK-në dhe FETO-n. Ne duam që Gjermania ta shpallë FETO-n një organizatë terroriste. Pritma jonë parësore nga Gjermania është që të pranojë, sikurse veproi qeveria e Mbretërisë së Bashkuara, se tentativa për grusht shtetit (e 15 Korrikut 2016) është bërë nga organizata terroriste gyleniste (FETO). Nëse miqtë tanë gjermanë ndërmarrin urgjentisht hapa konkrete ndaj institucioneve, organizatave dhe personave të lidhur me FETO, duke u bazuar në provat e siguruara nga Turqia, atëherë kjo do të mirëpritet nga populli turk, i cili do që FETO-s t’i kërkohet llogari”, shkruan Erdogani.

Sikurse konstatohet edhe në raportet e shërbimeve gjermane të inteligjencës – tërheq vëmendjen kreu i shtetit turk – organizata separatiste terroriste, PKK, vazhdon të ushtrojë aktivitete të ndryshme në Gjermani, nga rekrutimi i elementëve të rinj, trafikimi i drogës dhe i qenieve njerëzore e deri te propaganda terroriste dhe vënia e gjobave që mbledh si haraç.

Më tej, pasi paralajmëron se “politikat e papërgjegjshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po e shtyjnë botën drejt një lufte tregtare kokëkrisur”, Presidenti Erdogan nënvizon se Turqia dhe Gjermania duhet të bashkëpunojnë për ta parandaluar këtë gjë.

“Ejani të përqendrohemi në interesat, kërcënimet dhe problemet tona të përbashkëta. Të mbajmë përherë hapur rrugët e dialogut kur kemi divergjenca, të vazhdojmë të bashkëpunojmë, të tregojmë ndjeshmëri maksimale dhe të përpiqemi të kuptojmë ndjeshmërinë e njeri-tjetrit”, shprehet ai.

Erdogani shkruan se zhvillimet dramatike në botë e bëjnë të domosdoshme si për Gjermaninë ashtu edhe për Turqinë që të hapet një faqe e re në marrëdhëniet bilaterale, në mënyrë që të dyja vendet të lënë mënjanë dallimet dhe të fokusohen në interesat e përbashkëta.

Artikullin e tij për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kreu i shtetit turk e mbyll me këto fjalë: “Jemi të obliguar që të përmirësojmë me racionalizëm marrëdhëniet tona të bazuara në interesa të përbashkëta.”

Presidenti i Turqisë do të fillojë sot një vizitë zyrtare në Gjermani, e cila synon përmirësimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit