9.4 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Emiri i Katarit në OKB: Lufta kundër terrorizmit është prioritet në nivel kombëtar

Më të lexuarat

Emiri i Katarit Sheikh Temim bin Hamad Al Thani tha gjatë fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se pas më shumë se një viti nga bllokada ndaj Katarit, janë zbuluar shumë fakte rreth ekzistencës së një plani të paramenduar për nxitjen e fushatës denigruese kundër vendit të tij.

Sheikh Temim theksoi se bllokada e ka dëmtuar së tepërmi reputacionin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), duke vënë në dukje se paralizimi i këtij Këshilli është reflektuar negativisht në rolin dhe efektivitetin e tij rreth çështjeve rajonale dhe botërore.

Ai tha se bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar tashmë pavërtetësinë e akuzave kundër Katarit të cilat synojnë justifikimin e kësaj bllokade, në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe rregullave të marrëdhënieve ndërshtetërore, si dhe vlerave dhe traditave të popujve të rajonit.

Sheikh Temim vuri në dukje se pavarësisht masave të bllokadës dhe luftës ekonomike për të destabilizuar vendin e tij, periudha e bllokadës ka dëshmuar forcimin e pozicionit të Katarit dhe konsolidimin e rolit të tij si një partner aktiv në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, duke shtuar se ekonomia Katarit ka vazhduar bindshëm rritjen dhe qëndrueshmërinë e saj.

Siguria Kibernetike

Lidhur me bllokadën, Emiri i Katarit tha se zinxhiri i ngjarjeve që prekën disa vende – mes tyre edhe Katari – ka nxjerrë në pah nevojën për masa të reja që nuk janë dashur në të kaluarën, si mbrojtja e njerëzve nga rreziqet e penetrimeve kibernetike, çka thekson rëndësinë dhe domosdoshmërinë e sigurisë kibernetike. Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për vendosje rregullash të qarta në ligjin ndërkombëtar rreth sigurisë kibernetike, dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të organizuar një konferencë ndërkombëtare mbi format e rregullimit ligjor të sigurisë kibernetike.

Çështja palestineze

Për çështjen palestineze, Sheikh Temim theksoi se procesi politik që ka filluar një çerek shekulli më parë për zgjidhjen e çështjes palestineze, përbën shembullin e daljes nga korniza e Kombeve të Bashkuara, pasi disa kanë perceptimin se kështu zgjidhja mund të vijë më shpejt, por si rezultat çështja është bllokuar dhe ndërlikuar më tepër.

Emiri tha se përmendi përpjekjet për likuidimin e çështjes palestineze nëpërmjet rrëzimit të zgjidhjeve të përhershme të statusit të Jeruzalemit dhe çështjes së të drejtës së kthimit të refugjatëve, duke theksuar kauzat kombëtare nuk mund të zgjidhen përmes logjikës së forcës, por nëpërmjet logjikës së parimeve siç është e drejta për vetëvendosje.

Siria dhe Jemeni

Në lidhje me krizën siriane, Emiri i Katarit tha se pas shtatë viteve komuniteti ndërkombëtar ende nuk është në gjendje të zgjidhë situatën siriane, duke vënë në dukje se populli sirian ndjen se krimet e gjenocidit dhe praktikat e dëbimit masiv mund të bëhen me kalimin e kohës të pandjeshme për komunitetin ndërkombëtar.

Ndërsa për Jemenin, Sheikh Tamim konfirmoi angazhimin e vendit të tij për unitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Jemenit, dhe nevojën që palët në konflikt të arriijnë pajtimin kombëtar për t’i dhënë fund krizës, në bazë të Rezolutës 2216 të Këshillit të Sigurimit dhe Iniciativës së Gjirit.

Ai i bëri thirrje aktorëve të komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë popullin jemenas që të kapërcejnë rrethanat aktuale dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të adresuar situatën humanitare serioze atje, dhe njoftoi se vendi i tij ka lidhur një marrëveshje me Kombet e Bashkuara për të luftuar kolerën në Jemen nëpërmjet mbështetjes së programeve për luftimin e shkaqeve të sëmundjes dhe përhapjes së saj.

Lufta ndaj terrorizmit

Rreth temës së terrorizmit, Emiri i Katarit theksoi disa kushte për suksesin e luftës ndaj terrorizmit, si bashkëpunimi ndërkombëtar për të luftuar ekstremizmin, dhunën kundër civilëve, dhe harmonizimin e standardeve antiterrorizëm në mënyrë që kjo luftë të mos keqpërdoret bazuar në përkufizime selektive fetare ose etnike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit