Në kohën tonë dëgjohet shpesh shprehja “zgjidhja është në Riad”, si shenjë e aftësisë së udhëheqësve të vendit tonë për të zgjidhur mosmarrëveshje e konflikte, për t’u dalë në ndihmë atyre që kërkojnë ndihmë dhe janë të pafuqishëm, si edhe për mençurinë e tyre në kapërcimin e vështirësive dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme.
Nuk do të udhëhiqem nga emocioni, edhe pse jam qytetar saudit dhe krenar për atdheun dhe udhëheqësit e vendit tim. Megjithatë, duke qenë se kam arritur moshë të shtyrë dhe kam përjetuar shumë ngjarje, kam mundësi të paraqes fakte që i kam jetuar vetë mbi politikën e jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe mënyrën se si, falë peshës së saj ndërkombëtare dhe pozitës tek arabët dhe myslimanët, ka ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Në të folurën popullore thuhet, për të qortuar një veprim të pamend: “Sa durim ka toka”, shprehje që ndoshta rrjedh nga thënia arabe “më i durueshëm se toka”. Kjo është hyrja më e goditur për të folur sot për durimin saudit.
Kush e njeh historinë moderne të këtij vendi pas bashkimit të tij nga mbreti Abdulaziz – Allahu e mëshiroftë – së bashku me një brez burrash të ndershëm nga gjyshërit tanë, nuk do ta ketë të vështirë të kuptojë shtyllën kryesore të politikës së udhëheqësve që u pasuan në qeverisje. Durimi i shoqëruar me urtësi i ka habitur armiqtë para miqve dhe është shndërruar në një tipar të veçantë të politikës saudite.
Durimi saudit, nga vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar deri në Luftën e Tetorit të vitit 1973, gjatë periudhave të revolucioneve, disfatave dhe shpërthimeve popullore, është përshkruar si dobësi dhe hezitim. Të pamaturit e asaj kohe nuk e kuptuan sekretin e tij, përveçse pasi provuan pasojat e nxitimit të pamenduar dhe pasi i futën popujt e tyre në kriza, nga të cilat disa ende nuk kanë dalë.
Ne, si popull, mësuam nga udhëheqësit tanë durimin e të urtit dhe pamë edhe forcën e tyre kur u zemëruan: qëndrimin e mbretit Faisal, kur ndërpreu furnizimin me naftë për Perëndimin që mbështeste sionistët; qëndrimin e mbretit Fahd ndaj pushtimit të Kuvajtit; vendimin e mbretit Abdullah për të ruajtur sigurinë e Bahreinit; dhe, së fundi, Stuhinë Vendimtare të mbretit Salman për të mbështetur legjitimitetin në Jemen dhe për të ndalur shtrirjen persiane. Këto janë qëndrime që historia do t’i regjistrojë në faqet e guximtarëve që refuzuan agresionin pasi durimi i tyre u sos dhe i kthyen gjërat në rrjedhën e tyre të natyrshme.
A keni dëgjuar ndonjëherë që Arabia Saudite të ketë ndërhyrë në ndonjë konflikt apo luftë të brendshme diku në botë dhe të ketë nxitur përçarje derisa të shpërthejë?
Përfundimisht: durimi nuk është dobësi, por urtësi. Megjithatë, edhe durimi ka kufij. Kur ndonjë i pamatur i tejkalon këta kufij dhe nuk tërhiqet, atëherë nuk mbetet tjetër veçse ilaçi i fundit i arabëve djegia me hekur të nxehtë dhe prushi me të cilin djeg sauditi është i fortë dhe lë gjurmë të thella në histori.
Autori: Abdullah Ibrahim Al-Kuaid
Rubrika: Karvani ecën
Burimi: Gazeta Al-Jazirah
