11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Ebu Muslimi këshillon Kalifin – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Ebu Muslim el-Khaulani (v. 62 h.) është një nga pasardhësit e shquar të sahabëve (tabiinë). Një ditë ai i thërret kalifit të muslimanëve, Muavijes, ndërkohë që ai ishte ulur në mimberin e Damaskut (në xhami) duke i thënë:

“O Muavije! Ti je vetëm se një varr në varrezë! Nëse sjell diçka të takon diçka, e nëse nuk sjell asgjë, nuk të takon asgjë.

O Muavije! Mos e mendo kalifatin grumbullim dhe ndarje pasurie, porse kalifati është të veprosh me të vërtetën, të thuash të drejtën dhe të udhëzosh njerëzit për tek Allahu i Madhëruar.

O Muavije! Ne nuk duam t’ia dimë për errësirën e ditës për aq kohë sa koka e syve tanë është e kthjellët dhe ti je koka e syve tanë.

O Muavije! Ruaju të mos i hysh në hak ndonjë fisi arab dhe padrejtësia jote të rëndoj më shumë se drejtësia.”

Kur Ebu Muslimi mbaroi fjalët e tij, Muavija u kthye nga ai dhe i tha:

“Allahu të mëshiroftë!”.

( Përcillet në Hilejtul Eulija, e Ebu Nuajmit, 2/126)

Ndërsa një herë tjetër Muavija u mbajti hutbe njerëzve, por ndërkohë kishte dy ose tre muaj që nuk u kishte dhënë asgjë nga pasuria e shtetit. Atëherë Ebu Muslimi i tha:

“O Muavije kjo pasuri nuk është e jotja, as babait tënd dhe as e nënës tënde!”

Atëherë Muavija ua bëri me shenjë njerëzve të qëndrojnë. Ai zbriti shkoi u la dhe pastaj u kthye dhe tha:

“O njerëz! Ebu Muslimi tha se kjo pasuri nuk është pasuria e ime, as e babait tim dhe as e nënës time. Të vërtetën ka thënë Ebu Muslimi.

Unë e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë: “Zemërimi vjen nga shejtani dhe shejtani vjen nga zjarri dhe uji e shuan zjarrin, ndaj nëse dikush nga ju zemërohet le të lahet.”

Shkoni pra dhe merrni hisen tuaj, me mbarësinë e Allahut.”

(Hilejtul Eulija, e Ebu Nuajmit, 2/ 130)

Dikush me të drejtë mund të pyes se çfarë lidhje kishte hadithi dhe veprimi i Muavijes (radijallahu anhu) me fjalët e Ebu Muslimit?

Nga ngjarja kuptohet qartë se Muavija e zemërua nga fjalët e Ebu Muslimit, që i foli me atë gjuhë dhe i kërkoi hakun e njerëzve në sy të njerëzve, por si njeri i vetëpërmbajtur ai nuk tha asnjë fjalë, por shkoi u la dhe pasi i ra zemërimi u kthye dhe i shpjegoi njerëzve se pse u largua dhe çfarë bëri dhe pse e bëri, pasi i dha më parë të drejtë Ebu Muslimit për fjalët që tha.

Të tillë ishin selefët! Allahu i mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me ta!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit