15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

E vërteta e Islamit kurrë nuk ka humbur – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Allahu ka garantuar se do ta ruajë Kuranin dhe kjo garanci, pa më të voglin dyshim, përfshin vetë burimet fondamentale të Islamit, që janë Kurani dhe Suneti.
Kurani është ruajtur përmes mësimit përmendësh, që nga koha e Profetit (alejhi salatu ue selam) brez pas brezi, nga një shumësi aq e madhe njerëzish, ku mundësia për të ndryshuar apo devijuar, me qëllim apo gabimisht, qoftë edhe shqiptimin e një shkronje është praktikisht ZERO. Krahas kësaj metode bazike, Kurani është ruajtur edhe përmes shkrimit të tij, që nga koha e Profetit, por sigurisht, kjo metodë vjen si plotësuese e së parës dhe jo ajo bazike, edhe pse shumë njerëz mendojnë gabimisht, se kjo mënyrë është kryesorja.
Suneti është ruajtur nga qindra mijëra transmetues, të cilët i kanë përcjellë hadithet me gojë dhe me shkrim, nga njëri brez në tjetrin, si dhe nga kontributi i qindra dijetarëve, të cilët jo vetëm i kanë shkruar dhe mbledhur këto hadithe, por edhe kanë bërë vlerësimin e çdo transmetuesi, duke kaluar në sitën e autenticitetit mbarë korpusin e gjerë të transmetimeve.
Por, përveç garantimit të ruajtjes së fesë përmes ruajtjes së autenticitetit të burimeve të saj, Islami është ruajtur edhe nga tradita e pandërprerë e mësimit, kumtimit, përçimit, transmetimit, interpretimit dhe shpjegimit të pandërprerë, që hoxhallarët dhe dijetarët islamë i kanë bërë kësaj feje, në të gjitha kohërat dhe vendet, të lidhur brez pas brezi.
Kjo do të thotë se në mënyrë kategorike dhe absolute, nuk ka në historinë islame asnjë periudhë ndërprerjeje, apo të errët, ose të mjegullt e të paqartë, ku dikush apo disa, të kenë futur duart, duke ndryshuar të vërtetën që i erdhi Muhamedit (alejhi salatu ue selam) dhe kjo të jetë bërë pjesë e fesë, si të ishte e vërteta e saj absolute.
Padyshim, ka pasur dhe do të ketë njerëz gabimtarë, apo edhe keqdashës, injorantë dhe manipulues, që kanë tentuar dhe do të tentojnë me vetëdije ose jo, të fusin në Islam gjëra që nuk i përkasin atij, por në asnjë rast, këto atavizma dhe deformime nuk janë kthyer kurrë dhe nuk do të kthehen në fenë e pranuar dhe miratuar njëzëri nga të gjithë muslimanët.
Nëse do të kishte ndodhur ky deformim, premtimi i Allahut atëherë do të kishte qenë i pavërtetë, hasha!
Duke qenë se diçka e tillë është absolutisht e pamundur, atëherë të gjithë zërat që ngrihen poshtë e përpjetë, nga injorantë me shkollë e pa shkollë feje, të sinqertë ose jo, që hallakaten nëpër errësirat e dilemave dhe dyshimeve që lexojnë sa andej këndej, duke supozuar se kanë zbuluar të vërtetën e fesë islame për herë të parë sot, apo se kjo e vërtetë paska qenë e fshehur për qindra vjet, janë absolutisht dhe katërçipërisht të humbur në padijen dhe injorancën e tyre.
U del si detyrë hoxhallarëve, që këtij fenomeni në rritje, t’i japin përgjigje me argumente dhe fakte, sepse ilaçi më i mirë i injorancës është dija, me atë sasi dhe cilësi që kërkon edhe injoranca përkatëse.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit