8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

“Drita e syve tanë, Murat bej efendi!”- Vëllëzërit Frashëri ankohen për Faik Konicën

Më të lexuarat

Lexojeni letrën e shkruar nga Rilindasit kombëtar, Naim e Sami Frashëri. Këtu, shkruan MekuliPress, do të kuptoni se sa e vështirë e me sa vuajtje është ruajtur alfabeti e gjuha e shenjtë shqipe.

Lexojeni letrën-histori dhe binduni se akoma ka të tillë njerëz që veten e tyre e kan në anand publik, vetëm e vetëm për pasuri personale e për karierë. Mendoni se sa e sa media shqipe janë të shitura e që punojnë kundër interesave tona kombëtare e humane.

Ja letra e shkruar nga kolosët Frashëri:

Drita e syve tanë, Murat bej efendi!

Në letrën që i keni shkruar Mithat beut thoni se letrës sonë, që ju keni dërguar me anë të ambasadës, i jeni përgjigjur po nëpërmjet këtij kanali.

Siç kuptojmë nga letra e Mithatit; në letrën t’uaj, që ka rënë në dorë të Sulltanit, ju jeni përgjigjur në mënyrë negative. Mirëpo duhet të mendoni e ashtu pastaj të na përgjigjeni. S’duhet ta humbim rastin që kemi në dorë dhe s’duhet të mashtrohemi për punë që s’mund të bëhen.

Mbasi keni shkruar njëherë se, ndërsa ishit në Itali, punët i kishit në vijë dhe se mund të kryheshin shumë punë, kemi kuptuar më vonë se shqiptarët e atjeshëm;punojnë për Shqipërinë, por për Italinë dhe se e keni prerë shpresën prej tyre.

Qëndrimi i Faikut është i dyshimtë. Ai është një erudit, por kundërshtar i rrugës sonë. Dihet se ai i shërben një qëllimi të dëmshëm, që synon shembjen e punëve të realizuara që prej njëzet e pesë vjetësh më parë. Shprehim çudinë e keqardhjen tonë që keni shkuar deri në Bruksel vetëm për t’u takuar me të dhe për të marrë vesh qëndrimin e qëllimet e tij. Kemi parë një letër të këtij zotërie, që ia ka shkruar ambasadorit otoman Bukresh, letër e cila nga ambasada i është dërguar Portës së Lartë e nga kjo Mabejenit (Zyra Sekrete e Pallatit). Nga Mebejeni letra na u tregua ne që të jepnim mendimin tonë për të. Faik beu, me këtë letër kërkonte nga qeveria që t’i jepej leje për ta futur lirisht në Turqi gazetën e tij dhe, kundrejt këtij nderi që do t’i bëhej, i premtonte qeverisë këto shërbime.

1. Të bëhej vegël e mjet që shqiptarët të dërgonin armët.

2. Të prishte alfabetin që është përhapur në Shqipëri.

3. Të orvatej që të mbylleshin shkollat e hapura në Shqipëri dhe që të mos hapen të tjera më vonë

4. Në qoftë se është dëshira e qeverisë që të shkruhet e të mësohet shqipja, të propagandohej përdorimi i gërmave turqisht për shqipen. E një varg tradhtish të tjera, që na kanë ngelur në hatër. Mbas nja dy javesh që pamë këtë letër, erdhi “Albania” që del në Bruksel, me një rrobë të ndryshme prej së parës dhe me një a dy faqe shkruar turqisht. Pra, kuptohet se qenkan marrë vesh në pazarllëk. U kuptua tashti shkaku e arsyeja pse Faiku nuk e pranon alfabetin tonë që zuri rrënjë e u përhap. Duhet të ruhemi fort e fort që të mos bëhemi vegël e intrigave të një njeriu tradhtar e dinak si Faiku dhe t’i ngulim thikën mu në zemër kombit. Ja, ky është identiteti i Faikut.

Dhe Meksi me shokë, që kanë ardhur nga Athina janë tradhtarë. Armiqtë e kombit tonë prej kohësh, përpiqeshin të na mbushnin mendjen e të na gënjenin se gjuha shqipe është një gjuhë e prishur e trashamane, nuk shkruhet e nuk mund të shkruhet, s’ka gramatikë, shkencat nuk mësohen me të, e të tjera. Por në fund e panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj. U hartua gramatika. U shtypën librat e shkencës. U përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja.

Më tutje MekuliPress citon letrën-histori:

Thoshnin se shkrimet tona s’i pranon askush. Por pamë se myslimanë, kristianë, ortodoksë, të gjithë i pranuan. Shqipja filloi të shkruhet e të këndohet anekënd Shqipërisë. Shkrimet e saj u përhapën. U çelën shkolla. Armiqtë tanë kërkojnë ta pengojnë këtë lëvizje një orë e më parë, që ta shembin ndërtesën që u ngrit dhe t’i shkulin drurët që lëshuan rrënjë. Për t’ia arritur këtij qëllimi armiqtë tanë s’po lënë gur pa luajtur. Pra për të thënë se shqipja s’bën, nuk ua vë kush veshin. Duan të futin në radhët tona disa njerëz që, duke u shtirur si patriotë të zellshëm, do ta quajnë si detyrë të vetën për të thënë andej-këtej se këto germa s’vlejnë, se ato duhen prishur e ndërruar, kështu, po t’ia arrijnë një herë që ta prishin letërsinë tonë, tashmë të rrënjosur, ta shkulin pemën që ka lëshuar rrënjë thellë, pema që mendojnë të mbjellin ata zë apo nuk zë, e për më tepër e dinë fort mirë se shqiptarët duke e ndërruar dita-ditës alfabetin, do të mërziten në fund të fundit dhe do të shporren pa mundur ta zëvendësojnë këtë alfabet me një tjetër. Gjithë përpjekja e tyre këtu synon. Këtë qëllim ka dhe Faiku. Këtë qëllim ndjek dhe “Ylli i Shqipërisë”, që del në Bukuresht. Shkurt, në këtë hulli po punojnë armiqtë tanë. Prandaj të hapim sytë e të mos na mashtrojnë fjalët e tyre. Sepse të gjithë veprojnë sipas instruksioneve të Athinës e vendeve të tjera. Biri ynë! Jeni edhe i ri e gënjeheni shpejt. A e mbani mend kur prej Brukselit na shkruanit se Roçildi do ta shpëtojë Shqipërinë? Më vonë nuk na shkruat më. E ç’mund të bënte Roçildi, për Shqipërinë? Shumë shumë, një lëmoshë 100-200 lirash e asgjë tjetër.

Evropa ka vendosur autonominë e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Madje i ka bërë një notë Portës së Lartë. Në mars do të kryhet kjo punë. S’i hedhim ujë të ftohtë gjellës së gatuar. T’i lëmë gjërat të përfundojnë. Sepse një lëvizje jona prish punë. Epiqendra e këtyre punëve sot është Stambolli. Jo Bukureshti, Brukseli ose ndonjë vend tjetër.

Bashkëlidhur ju dërgojmë letrën që kemi marrë nga Asija.

Përshëndetje e të fala të gjithëve!

Naim, Sami

8 Janar, 1899

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit